E Diel, 1 Nëntor 2026

Në mbledhjen e sotme të Këshillit të Ministrave u miratuan edhe një numër marrëveshjesh të rëndësishme. U miratua vendimi "Për miratimin e marrëveshjes, ndërmjet Qeverisë së Republ

Në mbledhjen e sotme të Këshillit të Ministrave u miratuan edhe një numër marrëveshjesh të rëndësishme.

U miratua vendimi "Për miratimin e marrëveshjes, ndërmjet Qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Bullgarisë, për njohjen e ndërsjellë të dokumentave të arsimit dhe të gradave shkencore".

Nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje do të shërbejë për zhvillimin dhe konsolidimin e bashkëpunimit në fushën e arsimit dhe shkencës ndërmjet dy vendeve. Marrëveshja ndërqeveritare përcakton proçedurat për njohjen reciproke të dokumentave dhe gradave shkencore që lëshohen nga institucionet arsimore dhe organet kompetente të të dy vendeve.

Marrëveshja synon lehtësimin e qarkullimit të potencialeve intelektuale mes dy vendeve, krijimi i lehtësirave për aplikim në shkollat e larta të vendeve përkatëse nëpërmjet njehsimit të dokumentave për arsimin e mesëm e të përgjithshëm profesional, si dhe krijimin e lehtësirave për punësim nëpërmjet njëhsimit të dokumentave të arsimit profesional dhe kurseve të kualifikimit.

Nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje do t'i shërbejë nxënësve, studentëve dhe punonjësve shkencorë, si dhe do t'i japë një nxitje të mëtejshme forcimit të marrëdhënieve ekzistuese ndërmjet dy vendeve tona.

U miratua vendimi "Për miratimin, në parim, të dokumentit të ndryshimeve të Marrëveshjes së Kredisë së zhvillimit, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Shoqatës Ndërkombëtare për Zhvillim (IDA), për projektin e rimëkëmbjes së industrisë private".

Marrëveshja e Kredisë së Zhvillimit midis Shqipërisë dhe IDA-s mbulon Projektin e Rimëkëmbjes së Industrisë Private, i cili ka nisur të zbatohet që në vitin 1998. Objektivi i këtij projekti është nxitja dhe rigjallërimi i sektorit privat prodhues të ekonomisë shqiptare. Ky objektiv është zbatuar nga Agjencia Shqiptare e Garancive me anë të garancive që ajo ka lëshuar për kompani prodhuese që ushtrojnë aktivitetin në Shqipëri.

Për shkak të uljes së riskut politik dhe përmirësimit të situatës makroekonomike në Shqipëri, Banka Botërore ra dakort për ndryshimet e propozuara që kanë të bëjnë me lirimin e fondeve të disbursuara dhe vënien e tyre në dispozicion të Qeverisë Shqiptare, e cila do të vendosë mbi përdorimin e këtyre fondeve.

U miratua vendimi "Për miratimin, në parim, të marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Këshillit të Ministrave të Bosnjës dhe Hercegovinës, për transportin ajror".

Me anë të kësaj marrëveshjeje krijohen kushte për zhvillimin e transportit ajror të pasagjerëve dhe të mallrave midis dy vendeve, rritjen e numrit të fluturimeve për dhe nga Shqipëria dhe rritjen e cilësisë së shërbimeve ndaj pasagjerëve. Marrëveshja përcakton parimet e operimeve të shërbimeve të shoqërive ajrore, të drejtat e trafikut ajror, të sigurimit të aviacionit civil, të tarifave për aplikim, të aktiviteteve ajrore, të përdorimit të fluturimeve charter, të regjistrimit të avionëve etj.

Rritja e bashkëpunimit në fushën e transportit ajror me Bosnjë-Hecegovinën i krijon mundësi palës shqiptare të plotësojë të gjithë hartën e operimit rajonal në fushën e transportit ajror. Kjo marrëveshje i përgjigjet plotësisht standarteve ndërkombëtare në operimin në fushën e aviacionit civil, duke autorizuar fluturimet ndërkombëtare midis dy vendeve tona, sipas parimit të përcaktimit të itinerarit të fluturimit dhe pikave të uljes në të dy vendet respektive.

U miratua vendimi "Për miratimin, në parim, të marrëveshjes plotësuese, ndërmjet Qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të "Marrëveshjes, ndërmjet shteteve palë në Traktatin e Atlantikut Verior dhe Shteteve të tjera pjesëmarrëse në Partneritetin për Paqe, për statusin e Forcave të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Republikën e Shqipërisë".

Marrëveshja, si pjesë plotësuese e "Marrëveshjes, ndërmjet shteteve palë në Traktatin e Atlantikut Verior dhe Shteteve të tjera pjesëmarrëse në Partneritetin për Paqe, për statusin e Forcave të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Republikën e Shqipërisë" e ratifikuar nga Kuvendi i Shqipërisë, specifikon statusin që do të kenë Forcat e SHBA-së kur ato mund të shërbejnë, bazuar nga kjo marëveshje, në territorin e Republikës së Shqipërisë.

Në marrëveshje përckatohen në mënyrë të detajuar probleme të ndyshme si: hyrje dhe daljet, përdorimi i objekteve dhe zonave, juridiksioni kriminal dhe përcaktimi i tij, çertifikatat zyrtare të detyrës, ndalimet dhe aksesin, burgosjet dhe lejimin e vizitave familjare në këto raste, disiplinën, sigurinë, ankesat, etj.

Konsolidimi i statusit të këtyre trupave në territorin e Shqipërisë i shërben bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes dhe më gjerë, duke patur parasysh prezencën e tyre në stërvitje të përbashkëta ushtarake, operacione humanitare, paqeruajtëse etj.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›