Në mbrojtje të koranit, sekuestrohen 40 varka në Pogradec
Policia, masa të forta në mbrojtje të faunës ujore
Procedim penal për peshkatarët e jashtëligjshëm
Jo vetëm zhdukja e njërit prej peshqve më të rrallë në Ballkan, koranit, por edhe e specieve të tjera, ka bërë që Inspektorati i Peshkimit në qytetin e Pogradecit, i ndihmuar edhe nga forcat e policisë, të ndërmarrë një ditë më parë një aksion për bllokimin e mjeteve motorike që kryenin gjueti të paligjshme në liqen. Një gjë e tillë është konfirmuar dje nga nënprefekti i Pogradecit, Nikolla Duda, sipas të cilit, ky aksion ka pasur si qëllim mbrojtjen e faunës ujore, që fatkeqësisht është dëmtuar së shumti për vite me radhë. Gjithashtu, nënprefekti ka shpjeguar se masa janë marrë edhe kundër peshkimit të paligjshëm në këtë liqen. Kështu, mbi 40 mjete motorike dhe një numër i konsiderueshëm rrjetash peshkimi janë sekuestruar nga ana e Inspektoratit të Peshkimit, në bashkëpunim me forcat e policisë së komisariatit të Pogradecit. Sipas Dudës, në vëmendjen e pushtetit lokal gjithnjë e më shumë tashmë është vënë mbrojtja e liqenit të Pogradecit. "Disa vite më parë është abuzuar me peshkimin e paligjshëm në liqen nga ana e banorëve të fshatrave që shtrihen përgjatë bregut të liqenit, por ne kemi vendosur të forcojmë masat e kontrollit për të mbrojtur florën dhe faunën e këtij liqeni", - deklaroi Duda.
Numri dy i prefekturës së Pogradecit ka thënë gjithashtu se në periudhën kur ndalohet gjuetia e peshkut në liqen janë kryer kontrolle më të shumta dhe si rezultat i tyre janë sekuestruar mbi 40 mjete motorike. Këto kontrolle janë ushtruar në vazhdim gjatë këtyre muajve, por tashmë janë përforcuar edhe me patrullime të përbashkëta të Policisë Kufitare shqiptare dhe asaj maqedonase. Sipas të dhënave, rreth një muaj më parë, filloi të zbatohet marrëveshja dypalëshe për patrullime të përbashkëta të policisë kufitare nga komisariati i Pogradecit dhe ajo maqedonase, duke dhënë rezultat në bllokimin e disa mjeteve motorike nga peshkimi i paligjshëm, por edhe i rrjetave që peshkatarët vendosin në liqen në orët e natës. Nga ana shqiptare e liqenit të Pogradecit peshkojnë rreth 200 peshkatarë të licencuar, ndërsa një pjesë e banorëve të zonës ushtrojnë peshkim të paligjshëm dhe sidomos në periudhat kur ndalohet gjuetia. Në këtë kuadër, Duda tha se “zbatimi i projektit për ndërtimin e kolektorit që mënjanon derdhjen e ujërave të zeza të qytetit të Pogradecit në liqen, na detyron që të forcojmë edhe më shumë masat për mbrojtjen e mëtejshme të florës dhe faunës në liqen”.
Sipas tij, një nga këto masa edhe vendimi për të hedhur më shumë rasat korani në liqen, pasi ky lloj peshku është rrezikuar jo vetëm nga peshkimi pa kriter, por edhe nga shfarosja që i bëhet prej peshkut të troftës.
Shifra
40 mjete motorike lundrimi janë sekuestruar nga policia e Pogradecit
200 peshkatar të paligjshëm mendohet se kryejnë gjueti të jashtëligjshme në liqen