E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shtatë bashki në projektin e administrimit të tokave

Memorandumi

32 milionë dollarë është shuma në dispozicion për bashkitë e Beratit, Durrësit, Gjirokastrës, Korçës, Kamzës, Lushnjes dhe Vlorës, të cilat do të jenë pjesë e Memorandumit të Mirëkuptimit për Implementimin e Projektit për Administrimin dhe Menaxhimin e Tokave (LAMP), financuar nga Banka Botërore. Lajmi është bërë i ditur dje nga të dhëna zyrtare të Ministrisë së Brendshme, sipas të cilave, ministri Bujar Nishani dhe ministri i Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, Sokol Olldashi, nënshkruan me krerët e shtatë bashkive të vendit këtë memorandum. Qëllimi i këtij memorandumi është bashkëpunimi në mbështetjen dhe kapitalizimin e reformës së decentralizimit nëpërmjet investimeve direkte në infrastrukturë dhe ngritjen e aftësive dhe kapaciteteve menaxhuese vendore. Ndërkohë që komponenti i projektit që ka të bëjë me menaxhimin e tokave urbane do të administrohet nga Ministria e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, ndërsa komponenti për investime në bashki dhe ngritjen e sistemit të adresave nga Ministria e Brendshme. Sipas MB-së, qeverisja qendrore bazuar në këtë memorandum merr përsipër mbështetjen e zhvillimit të tregut efikas të tokave dhe pasurive, duke shtuar sigurinë e të drejtës së pronësisë dhe përmirësuar shërbimet e administrimit dhe menaxhimit të tyre, krijimin e një sistemi kontrolli me pjesëmarrje për zhvillimin dhe planifikimin urban dhe dhënien prioritet të realizimit të shërbimeve dhe investimeve të përzgjedhura në infrastrukturë në përputhje me planet strategjike për investime. Projekti “Administrimi dhe Menaxhimi i Tokës” shkon në të njëjtin drejtim me filozofinë e qeverisë që mbështetja e procesit të decentralizimit të bëhet nëpërmjet mbështetjes së autoriteteve vendore për ushtrimin e kompetencave dhe funksioneve të një performance të mirë dhe në dobi të cilësisë së jetës së komuniteteve.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›