E Hënë, 2 Nëntor 2026

Në një korrespondencë "fobike" udhëtimi

21/03/2005  Sigmund Frojd

Një korrespondencë e rrallë e Sigmund Frojd, drejtuar familjes së tij, botuar kohët e fundit në Francë dhe në vende të tjera evropiane, zbulon për publikun e gjerë, përtej një gjeniu të psikologjisë dhe psikanalizës, një njeri më një humor therës dhe talent tepër të veçantë përshkrues, por edhe fobitë e tij personale.

Të lexosh korrespodencën e një njeriu të shquar, në udhëtim e sipër, të krijon kënaqësi të rrallë. Të krijon mundësinë të observosh gjeniun në jetën e tij të përditëshme, në presionin e "aleatëve" të tij gjatë këtij udhëtimi si vapa e tmerrëshme, mëzitjen, lodhjen apo edhe vështirësitë për të patur rroba dhe ndërresa të pastra. Por gjithashtu është një kënaqësi të zbulosh edhe këndvështrimin dhe përshkrimet e tij, për vende që ndoshta, shumë nga lexuesit kanë patur rastin t‘i vizitojnë, më një pyetje jo shumë modeste në mendje: A i ka parë ai më mirë se ne këto vende? Dhe në fund, pushtohesh nga lumturia e të zbuluarit të disa pjesëve të mrekullueshme antologjie, si prezantimin e "Karmenit" në teatrin e "Quirino", në Romë, në vitin 1907. Ky përshkrim vjen nga një spektator, si Frojdi, i edukuar me rreptësinë e operas vjeneze. "Oficeri dhe dhe shefi i flamurtarëve ishin të mrekullueshëm, ndjeheshin të lumturuar me maskimin e tyre. Ishte një kënaqësi e madhe ta shikoje atë skenë". Por Frojdi, përveç një udhëtari të pasionuar ishte gjithashtu, një baba dhe bashkëshort shembullor. Pothuajse, çdo ditë ai i shkruante letra familjes, duke përshkruar itenerarin dhe vendet që vizitonte. Këto përshkrime janë botuar në frëngjisht me një titull tepër origjinal "Zemra jonë shkon drejt jugut", një frazë e marrë nga njëra prej letrave të tij. Parathënia e këtij libri është e Chistfried Tögel, historiane e psikanalizës. Lexuesi mund të mësojë se pas pushimeve familjare në muajin gusht, Frojdi, në shtator, i përkushtohej udhëtimeve i vetëm, ndërsa familja kthehej në Vjenë. Udhëtar i madh, për epokën tij, në shumë raste, ai preferonte të shoqërohej nga ndonjë nxënës apo koleg i tij, si Ferenczi apo Jung, gjatë udhëtimit në kontinentin amerikan dhe në një rast tjetër nga kunata e tij, Minna Bernays. Ajo që tërheq vëmendjen, është fakti se babai i psikanalizës, në fillimet e "jetës" së tij turistike, vuante nga sëmundjet që askush nuk i njihte më mirë se ai, si fobia e trenave, rezultat i aksidenteve të shumta hekurudhore të asaj epoke. Por ai do të shërohej shumë shpejt, kur vëllai i vet, Aleksandër, specialist i transporteve dhe projektues i një hekurudhe, e shoqëroi në disa udhëtime, duke i shpjeguar arsyet për të qenë i sigurtë gjatë udhëtimeve të tij. "Informimi i pacientit mbi rreziqet reale, ekspozimi ndaj situatave të dyshimta", ja një prej shembujve të mrekullueshëm të terapisë të një pacienti fobik, një teknikë e përdorur shumë në ditët tona, nga një masë e gjerë psikoanalistësh. I çliruar shumë shpejt nga këto fobi, Frojdi i lejoi vetes të shijonte një nga dëshirat e tij më të parapëlqyera, të udhëtonte dhe të zbulonte më një konfort të madh botën, fakt nga i cili kishte qenë i privuar në rininë e tij, si rezultat e varfërisë. Duke lexuar letrat e tij nga Evropa jugore, Londra, më pas nga SHBA, mund të prekesh nga një nostalgji aristokratike mbi luksin e një turisti të pasur. Në këtë korrespondence familjare, dallon shumë shpesh një humor therës dhe talentin e tij të veçantë përshkrues. Duke lexuar faqe me përshkrimet e tij, kupton se ka qenë një fatkeqësi, fakti që ai nuk ka qenë gazetar apo edhe shkrimtar, pasi do të kishte qenë shumë më i lirë për tu shprehur. "Deti është plot me anije, të krijohet përshtypja e një supe të konservuar", shkruan ai gjatë momentit të kalimit të La Manche. Kupton gjithashtu se themeluesi i psikanalizës ka qenë një shpirt i lirë. Përcaktimet e tij kanë qenë tepër të thella. "Maskarallëk dhe kafaz majmunësh është Napoli", ndërsa në Friuli do të shkruante, "shkëlqimi i bazilikës antike romake, më bënë të ndjehem mirë në mes të indigjencës moderne". Në udhëtimin e tij në Londër, gjatë vizitës së tij në Galerinë Kombëtare, shkruante: "Gratë e famshme, sistematikisht të shëmtuara". Dreq! Më shumë gjen përshkrime të drejtpërdrjeta, por edhe kupton interesimin e tij për elementë të një jete luksoze në një familje, si cilësinë e ushqimit, rehatinë e përditshëm, takimet interesante, por edhe vështirësitë e kapërcyera. Kjo korrespondencë mbyllet në një mënyrë të trishtueshme, mbi një udhëtim të tij të fundit në Romë, në vitin 1923, vit që Frojdi zbuloi simptomat e para të tumorit, që vite më vonë i shkaktoi vdekjen. 15 vite më vonë, ai do të shkojë në Londër, por këtë herë jo për turiziëm, por për t'i shpëtuar përndjekjes naziste dhe për vdekur...

Marrë me shkurtime nga gazeta "Le Figaro"

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›