E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dëshmia: Remzi Hoxha ishte kërcënuar me vdekje nga autoritetet serbe



Katër dëshmi të tjera kanë plotësuar dje kuadrin e rrëmbimit të biznesmenit shqiptaro-maqedonas Remzi Hoxha, Ziso Kristopulli dhe Avdyl Loshaj. Dëshmitarët kanë rrëfyer para gjykatës gjithçka dinin rreth rrëmbimit të Hoxhës apo dhe Ziso Kristopullit dhe Avdyl Loshajt, por nuk kanë përmendur emra konkretë rrëmbyesish, përveç strukturës së SHIK-ut, sipas deklarimeve të bëra nga bashkëbiseduesit e tyre. I pari që dëshmoi para togave të zeza ishte Basri Zuka, i cili ishte sekretar i Përgjithshëm i një sindikate në Kosovë dhe një i njohur i Remzi Hoxhës. Sipas tij, biznesmeni shqiptaro-maqedonas, Remzi Hoxha, ishte kërcënuar edhe më parë nga autoritetet serbe. Dëshmitari ka treguar dje para gjykatës njohjet e tij me biznesmenin, si dhe dijenitë që ai ka marrë për zhdukjen e tij. “Remzi Hoxhën e kam njohur në shkurt të vitit 1990, kur më është paraqitur me një shokun tim, Shefqet Maliqi, dhe më kanë kërkuar që të bëhem anëtar i Sindikatës së Ekonomisë së Vogël dhe të Zejtarisë në Kosovë. Në vitin 1989 është thirrur nga autoritetet serbe, pasi ka mbështetur grevën e minatorëve. Shpjegime ka dhënë edhe në vitin 1991”, - ka nisur të deklarojë dëshmitari nga Kosova. Gjatë dëshmisë së tij, Zuka shpjegoi se biznesmenit kosovar i kanë bërë disa herë kërcënime që të largohej nga Ferizaj, Kosovë, vend në të cilin edhe jetonte me familjen e tij. “Remziut i ishte bërë shantazh deri në vrasjen e familjes së tij, si dhe në djegien e banesës”, - ka theksuar më tej Zuka. Dëshmitari ka shpjeguar se për zhdukjen e Hoxhës e ka marrë vesh nga një prej vëllezërve të tij, por më shumë informacione kishte marrë nga Avdyl Loshaj. Mësohet se Loshaj i kishte treguar se ishte rrëmbyer nga Shërbimi Informativ, duke u akuzuar për vrasjen e ish-ministrit të Brendshëm, Agron Musaraj. Loshaj pasi ishte liruar kishte shkuar në Kosovë, ku edhe kishte kontaktuar më 26 janar të vitit 1997 me vëllanë e Remziut, Et’hem Hoxhën, i cili më pas e kishte adresuar tek Zuka. Dëshmitari ka shpjeguar se biseda është zhvilluar në zyrat e Partisë Unikomb në Prishtinë. “Meqë ishte hera e parë, bisedën e kam regjistruar dhe më pas e kam zbardhur, të gjitha i kam dorëzuar në prokurori. Gjatë bisedës, Loshaj përmendi rreth tri emra, të cilat nuk i mbaj mend. Loshaj më tha se i kishte dëgjuar të bërtiturat e Remziut. Kur më ka thënë këto fakte, ka qenë në gjendje shpirtërore jo shumë të mirë”, - tregoi dyshimtari, ndërsa theksoi se “Remziun e kishin mbështjellë me çarçaf, i kishin futur një armë në gojë dhe i kishin stimuluar shkrepjen, pasi arma nuk kishte plumba”. Në fund, dëshmitari ka sqaruar se ishte takuar edhe me të ëmën e shtetasit Avdyl Loshaj, e cila i kishte treguar se pasi i kishte ardhur i biri nga Shqipëria, dhëmbët i kishte të thyer. Dëshmitari i dytë ka qenë ish-kryetari i Partisë Socialiste në Sarandë, i cili ka treguar për kërcënimet që i janë bërë Ziso Kristopullit, si dhe gjendjen e tij pas marrjes nga Shërbimi Informativ. Astrit Llanaj ka shpjeguar se gjatë kohës që Ziso ishte në krye të partisë, i kishte shkuar disa herë në zyrë, duke i thënë se kishte marrë kërcënime të shumta. “Në muajin tetor më vijnë përfaqësuesit e partisë së Ksamilit dhe më thonë që kanë marrë Zison ata të Shërbimit Informativ. Kam shkuar menjëherë në zyrë dhe pasi kam zbritur nga shkallët e godinës, jam ndeshur me ish-kryetarin e SHIK-ut, Alfred Dukën. E kam pyetur në lidhje me Remziun dhe më është treguar shumë i ftohtë, duke bërë sikur nuk e njihte”, - ka treguar dëshmitari. Pas disa ditësh, Ziso Kristopulli do të lirohet. “I kam shkuar në banesë. Ishte rrahur barbarisht, kishte shenja. Kur e kam pyetur, më tha që e akuzonin për trafik armësh dhe kishte firmosur atë që i kishin kërkuar. Më tha që kishte dy mundësi, ose të firmoste, ose do ta vrisnin”, - ka vazhduar Llanaj. Në fund dëshmitari ka shpjeguar se Ziso i kishte thënë që nuk njihte njeri, pasi i kishin vënë thesin në kokë. Më tej kanë dëshmuar edhe dy ish-punonjës të SHIK-ut, të cilët dëshmuan mbi hedhjen e Avdyl Loshaj nga kati i tretë, por pa dhënë më tepër detaje rreth këtij fakti.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›