Topi: Vendosja e drejtësisë në pozicionin kushtetues është sfida më e madhe

Presidenti i Republikës, Bamir Topi u shpreh sot gjatë një takimi me banorë të qytetit të Burrelit, se sfida më e madhe për vendin është vendosja e sistemit të drejtësisë në pozicionin kushtetues. Sipas zyrës së shtypit të Presidencës, Kreu i Shtetit zhvilloi paraditen e sotme një vizitë pune në këtë qytet. Në fjalën e tij përshëndetëse drejtuar banorëve të Burrelit z. Topi, vuri në dukje rëndësinë e vendosjes së institucionit të drejtësisë në pozicione kushtetuese. "Sfida më e madhe që po mundohem të përballoj, së bashku me aktorët e tjerë institucionalë dhe politikë, është vendosja e sistemit të drejtësisë në pozicionin kushtetues dhe të pavarur totalisht nga të gjitha influencat, qofshin këto politike apo ekonomike", u shpreh Presidenti. Sipas tij "ky institucion duhet të jetë në funksion të qytetarëve të thjeshtë në mënyrë që ai të bindet, se ne do të ndërtojmë në mënyrë definitive shtetin e së drejtës, që të jetë në funksion të tyre, pavarësisht ku jetojnë në Tiranë, në Burrel, në fshatrat e Matit". Pasi vlerësoi historinë e kësaj zone, ku përmendi figurën e Ahmet Zogun, si njeriu "që vendosi themelet e shtetit shqiptar", Presidenti vuri në dukje se pas tre javësh Shqipëria do të futet dhe do të jetë anëtare me të drejta të plota në NATO.
"Vite më parë ky eveniment do të ishte i paimagjinueshëm, kjo do të thotë se Shqipëria gjatë këtyre viteve patjetër ka bërë progres dhe do të jetë pjesë e progresit dhe këtu është dhe kontributi juaj si qytetarë të denjë të një vendi që inspiron të integrohet në familjen euroatlantike", tha Kreu i shtetit. Ai theksoi rëndësinë e ruajtjes së harmonisë fetare në këtë zonë, ku bashkëjetojnë fe të ndryshme, duke shprehur besim se "populli i Matit e Burrelit ka ditur të kalojë traumat e veta që janë të lidhura me episode të ndryshme gjatë viteve, por që sot është i sigurt në të ardhmen e tij". Presidenti Topi iu bëri thirrje biznesmenëve e intelektualëve, të cilët kanë shfrytëzuar pozitivisht lëvizjen e lirë për të shkuar në Tiranë apo diku tjetër, që të mos e harrojnë Burrelin e Matin dhe t’i japin mundësi resurseve ekonomike, që edhe kjo zonë të ketë progres të shpejtë. Në vizitën e tij në këtë qytet Presidenti shoqërohej nga autoritetet lokale, kryetari i Bashkisë, Skënder Lleshi, Kryetari i Këshillit të Qarkut Besnik Murati, etj.
...