Vendimi, pension suplementar për akademikët me titull
Qeveria vendos që, profesorët në pension dhe ata në prag të tij, të marrin, nga 1 maji, pension suplementar
Të gjithë akademikët jo aktivë, të cilët mbajnë titullin "Profesor", duke filluar nga data 1 maj, krahas pensionit që u takon me ligj, do të marrin edhe pensionin suplementar, të vendosur së fundi nga Këshilli i Ministrave.
Vendimi është bërë i ditur nga Ministria e Arsimit dhe e Shkencave, e cila njoftoi dje se për personelin akademik me titullin shkencor, qeveria ka rënë dakord që të gjithë të marrin një pension suplementar, në një masë të konsiderueshme.
Akademikët që përfitojnë nga vendimi i fundit janë ata që kanë titullin "Profesor" dhe "Profesor i Asociuar", ose "Drejtues Kërkimesh" dhe "Mjeshtër Kërkimesh".
Nga vendimi, thuhet në relacionin e përgatitur nga Këshilli i Ministrave, përfitues do të jenë si akademikët, që gëzojnë titullin dhe që janë në prag të pensionit, ashtu edhe ata që janë shkëputur nga mësimdhënia dhe kanë pranuar të gëzojnë pensionin.
Të vetmit që nuk përfitojnë nga vendimi janë akademikët që mbajnë titujt e mësipërm, por që janë ende larg moshës së pensionit.
Në konferencën e dhënë për shtyp, ministri i Arsimit, Fatos Beja, u shpreh se pensioni shtetëror suplementar do t'u takojë si profesorëve, të cilët nuk kanë mundur të japin një kontribut suplementar, pra që e kanë mbyllur misionin e tyre akademik me daljen në pension, ashtu edhe atyre, të cilët sot, japin kontributin në universitete dhe do të kontribuojnë dhe në të ardhmen me një përqindje, siç veprohet me të gjitha rastet e pensioneve suplementare.
"Ky është një vendim që do t'u vijë më shumë në ndihmë akademikëve, që me punën e tyre kanë bërë të mundur edukimin e një brezi të tërë shqiptarësh. Masa e shpërblimit është një pension suplementar, i cili mund të shkojë deri në katër herë të pensionit bazë të pleqërisë, sipas ligjit përkatës", - sqaroi ministri i Arsimit.