E Shtunë, 31 Tetor 2026

Komunitetet fetare, financim nga buxheti i shtetit

Financimi synon minimizimin e varësisë së institucioneve fetare nga donacionet e huaja.

Ligji i ri parashikon rritje pagash me 8500 lekë në muaj, për punonjësit e personelit në bashkësitë fetare.


Katër komunitetet fetare më të rëndësishme në vend, do të marrin financime të përvitshme nga buxheti i shtetit. Një projektligj i miratuar dje nga qeveria, parashikon një fond të veçantë për investime në objektet e kultit, buxhet për shkollat me karakter fetar, si dhe rritje pagash për punonjësit e administratës.

Për vitin 2009, qeveria ka parashikuar të japë 113 milionë lekë nga buxheti i shtetit për këto bashkësi. Një grup pune i ngritur nga qeveria, ka hartuar faturën financiare vjetore, që do të derdhet për llogari të tyre.

Financimi është pjesë e marrëveshjes që myslimanët, ortodoksët, katolikët dhe bektashinjtë, nënshkruan pak kohë më parë me përfaqësues të qeverisë. Me këtë ligj, qeveria synon të minimizojë varësinë e komuniteteve fetare në vend nga financimet e huaja, megjithëse ato janë në rënie nga viti në vit.

"Miratimi i këtij ligji vjen pikërisht si një detyrim madhor i vendit dhe shtetit, për të njohur kontributin e madh, për t'u mundësuar atyre të ushtrojnë të gjitha detyrimet që rrjedhin nga doktrinat fetare, të bashkuara të gjitha tek i gjithëfuqishmi, zoti",- tha Kryeministri Berisha në mbledhjen e qeverisë.

Qeveria ka marrë përsipër të paguajë edhe faturën financiare të legalizimit të objekteve të kultit, pasi, sipas saj, bashkësitë fetare kanë pësuar humbjen më të madhe në prona, si rrjedhojë e Ligjit 7501 dhe të përfitimeve nga të tretët.

Në relacion thuhet se financimi i tyre është detyrim i shtetit, për persekucionin e klerikëve dhe shkatërrimin e objekteve të kultit gjatë regjimit komunist, si dhe abuzimeve që janë bërë me pronat e këtyre komuniteteve pas viteve '90-të. Gjithashtu, në relacion thuhet se, financimi i komuniteteve fetare është praktikë që njihet në shumë vende të zhvilluara të Evropës.


Buxheti


Qeveria ka vënë në dispozicion për investime për vitin 2009, 10 milionë lekë, për këto komunitete. "Ato duhet të paraqesin projekte konkrete për ndërtim, mirëmbajtje, riparim, infrastrukturë, etj., që përzgjidhen nga Komiteti Shtetëror për Kultet dhe miratohen nga ministri përgjegjës për Kultet",- citohet në relacion.

Pjesa më e madhe e buxhetit të shtetit do të shkojë për rritjen e pagave të punonjësve të administratës, jo klerikë, dhe për arsimin. Të 450 punonjësit e administratës, që punojnë në këto bashkësi fetare, do të marrin nga 8500 lekë shtesë në muaj, me një fond total prej 46 milionë lekësh.

Ndërkohë, për arsimin është lënë në dispozicion një fond prej 50 milionë lekësh, ose 5% e totalit të shpenzimeve që vetë këto bashkësi shpenzojnë për këtë sektor. Aktualisht, komunitetet fetare në vend shpenzojnë rreth 8.3 milionë dollarë për arsimin me fondet e veta dhe donacionet e huaja.

Në shkallë vendi, regjistrohen 32 shkolla të licencuara nga qeveria, me 7650 nxënës dhe 750 mësues. Në ligj është parashikuar një fond prej 7.2 milionë lekësh për Kryegjyshatën Botërore Bektashiane, i cili do të ndryshojë në vite, në raport me nevojat dhe mundësitë.


 

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›