E Diel, 1 Nëntor 2026

Në pak muaj Shqipëria merr votëbesimin e 15 vendeve anëtare të Aleancës së Atlantikut

Mbretëria e Bashkuar dhe Estonia ratifikojnë protokollin e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO. Kursi refomator i kabinetit “Berisha” po mbyll në një kohë rekord ratifikimin e dokumentit që do të mundësojë anëtarësimin e vendit në aleancën më të madhe të lirive

TIRANE - Shqipëria po ecën me hapa të shpejtuar drejt anëtarësimit të plotë në Aleancën Atlantikut të Veriut dhe kjo faktohet më së miri nga ecuria pozitive e procesit të ratifikimi të protokollit të aderimit në NATO, ku tashmë llogariten 15 shtete që kanë mbyllur përfundimisht procedurat.
Në këtë drejtim, ashtu siç u premtua gjatë vizitës së suksesshme të para disa ditëve të Kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli në Londër, Parlamenti i Mbretërisë së Bashkuar mbylli dje në mesditë procesin e Ratifikimit të Protokollit të Shqipërisë me NATO-n.
Pas kalimit në komisionet parlamentare, u bë edhe depozitimi i instrumentit, sipas ligjeve në fuqi.
Edhe parlamenti i Estonisë ka Ratifikuar Protokollin e Shqipërisë me NATO-n me një votim në unanimitet të plotë.
Ritmet procesit të ratifikimit të protokollit tregojnë për mbështetjen që ndërkombëtarët po i japin reformave në Shqipëri.
Menjëherë pasi mori lajmin, Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli falënderoi në emër të saj dhe të Kuvendit të Shqipërisë, homologun e saj britanik, z. Majkëll Martin për mbështetjen që i dha nxitjes së këtij procesi.
Gjithashtu kryeparlamentarja Topalli i dërgoi një letër mirënjohje dhe vlerësimi, homologes së saj estoneze Ene Ergma, ku e falënderon për mbështetjen që Parlamenti Estonez i dha me këtë votë, integrimit të Shqipërisë në strukturat euroatlantike.
Aktualisht, nga 26 vendet anëtare të NATO-s më shumë se gjysma (15 prej e tyre) e kanë ratifikuar Protokollin e anëtarësimit, ndërkohë që 11 shtet e tjera pritet ta përfundojnë në ditët në vijim dhe këtu përfshihen Belgjika, Kanadaja, Islanda, Italia, Luksemburgu, Holanda, Norvegjia, Portugalia, Greqia, Sllovenia, dhe Gjermania.    

Ratifikimi i Protokolleve të Anëtarësimit të Shqipërisë në NATO

- 5 shtator 2008 - Ratifikimi nga Parlamenti i Hungarisë
- 18 shtator 2008 - Ratifikimi nga Parlamenti i Letonisë
- 25 shtator 2008 - Ratifikimi nga Senati i SHBA-së  
- 06 tetor    2008 - Ratifikimi nga Parlamenti Lituanisë
- 16 tetor    2008 - Ratifikimi nga senati i Polonisë
- 21 tetor    2008 - Ratifikimi nga Senati i Rumanisë  
- 23 tetor    2008 - Ratifikimi nga Parlamenti i Bullgarisë 
- 24 tetor    2008 - Ratifikimi nga Parlamenti i Sllovakisë    
- 26 nëntor 2008 -  Ratifikimi nga Parlamenti i Turqisë    
- 04 dhjetor 2008 - Ratifikimi nga Senati i Francës
- 09 dhjetor 2008 - Ratifikimi nga Parlamenti i Danimarkës
- 17 dhjetor 2008 - Ratifikimi nga Senati i Spanjës
- 17 dhjetor 2008 - Ratifikimi nga Dhoma e Deputetëve të Çekisë
- 18 dhjetor 2008 - Ratifikimi nga Parlamenti i Mbretërisë së Bashkuar
- 18 dhjetor 2008 - Ratifikimi nga Parlamenti i Estonisë

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›