“PD po shkon në zgjedhjet e reja me modelin e ri qeverisës që krijoi gjatë këtij mandati”

Flet posaçërisht për gazetën, deputeti i PD-së dhe anëtari i Komisionit të Ligjeve, Pal Dajçi
TIRANE - Deputeti Pal Dajçi në një intervistë për gazetën “55” vlerëson arritjet dhe rezultatet e qeverisë Berisha në këto vite. “Qeveria ka vepruar drejt dhe është shënuar një progres i dukshëm në të gjitha fushat”, shprehet midis të tjerave ai. “Por qeveria ka nxjerrë në pah edhe një tjetër cilësi pozitive, pikërisht tolerancën dhe mundësinë që i ka dhënë opozitës për të bashkëpunuar me të në marrjen e vendimeve të rëndësishme”, vëren midis të tjerave deputeti Dajçi.
Për sa i përket organizimit parazgjedhor dhe veçanërisht në koalicionin e djathtë mazhoritar, deputeti Pal Dajçi ka theksuar se PD është gjithmonë me dyer të hapura. Në lidhje me rezultatet e e zgjedhjeve të ardhshme deputeti është optimist dhe beson në një fitore të Partisë Demokratike. “Padiskutim, arritjet e këtyre viteve do të sigurojnë një fitore në zgjedhjet e ardhshme sepse është evidente që Shqipëria po ndryshon”, shprehet ai.
Si i shikoni dhe komentoni rezultatet e qeverisë Berisha gjatë tre viteve të mandatit të saj?
Qeveria Berisha ka realizuar me sukses një sërë reformash në ato fusha ku kishte më tepër nevojë vendi. Rezultatet e këtyre reformave kanë qenë tepër pozitive dhe kjo është evidente. Është shënuar një progres i dukshëm në të gjitha fushat. Vihet re një përmirësim i përgjithshëm. Gjithashtu janë shënuar rezultate pozitive në luftën kundër korrupsionit. Politikat e drejta dhe reformat në fushën e financave mundësuan hartimin dhe miratimin e një buxheti si ai i vitit 2009 i cili është buxheti më i madh i realizuar ndonjëherë në vendin tonë. Ky buxhet përmban një sërë prioritetesh ku ndër më të rëndësishmit është edhe rritja e pagave. Ndërsa në lidhje me reformën në drejtësi qeveria ka bërë përpjekje të mëdha. Iniciativa e qeverisë dhe e maxhorancës ka qenë tepër e madhe dhe është bërë një punë e përkushtuar në këtë drejtim. Unë si anëtar i Komisionit të Ligjeve, mund të them se vështirësitë në lidhje me reformën në drejtësi janë të lidhura me qëndrimet kundërshtuese të opozitës. Opozita ka dhënë një kontribut tepër të vogël, nuk ka ofruar mbështetje dhe vazhdimisht ka kundërshtuar. Ajo ka dhënë kontribut vetëm për sa i përket ligjit të gjyqësorit ndërsa në aspektet e tjera ka shprehur vetëm kundërshtime. Edhe në këtë fushë qeveria ka punuar drejt, drafti është i përmbyllur dhe gjithashtu kemi marrë parasysh vërejtjet e institucioneve ndërkombëtare. Vështirësia e reformës në drejtësi lidhet pikërisht me mungesën e konsensusit të opozitës dhe të mos harrojmë që institucionet që kemi sot janë të miratuara pas vitit 1997 nga opozita e sotme dhe mazhoranca e djeshme.
Për sa i përket reformës elektorale kemi një konsensus më të gjerë dhe një bashkëpunim me partinë më të madhe të opozitës. Si e komentoni këtë hap të rëndësishëm të politikës shqiptare?
Merita është e qeverisë. Ashtu si në rastin e reformës në drejtësi edhe për sa i përket realizimit të reformës elektorale qeveria ka dëshmuar një tolerancë të madhe dhe një pjekuri politike. Mazhoranca i ka lënë hapësira opozitës dhe i ka dhënë mundësinë që të bëhet palë me të për sa i përket ndërmarrjes së vendimeve të rëndësishme. Reforma elektorale dhe kodi elektoral u miratuan me konsensus të gjerë në Parlament pavarësisht kundërshtimeve të disa partive politike të vogla. Ndërsa kthimi i Kodit nga Presidenti nuk është i lidhur me çështje që kanë të bëjnë me përmbajtjen e tij, por thjesht me disa elementë teknikë.
Si po procedon PD-ja në lidhje me përgatitjen për në zgjedhjet e ardhshme elektorale?
Përgatitja po bëhet në përshtatje me sistemin e ri elektoral, proporcional rajonal. Po realizohet mbyllja e mbledhjeve të seksioneve. Por partia demokratike do të shkojë në zgjedhjet e ardhshme me një alternativë tepër pozitive dhe kjo alternativë është tërësia e arritjeve dhe sukseseve që ka shënuar gjatë tre viteve qeverisjeje.
Po për sa i përket organizimit apo ristrukturimit të koalicionit të djathtë si po veprohet nga ana e PD-së, partisë më të madhe të këtij koalicioni?
Kjo është një çështje në proces, në bisedime. Janë krerët e partive ata të cilët pas këtyre proceseve do të bëjnë deklarime. Partia Demokratike është gjithmonë me dyer të hapura, mirëpret këdo dhe ndoshta do të ketë zgjerime për sa i përket organizimit të koalicionit.
Si i parashikoni rezultatet e zgjedhjeve të ardhshme?
Ashtu siç edhe e sipër përmenda, ashtu siç demonstron edhe kryeministri Berisha në tubime të ndryshme rezultatet e këtij mandati qeverisës, pa diskutim që do t’i mundësojnë një mandat të dytë PD-së. Mandat të cilin e meriton pasi realisht, Shqipëria në këto vite ka ndryshuar.
Intervistoi.