E Shtunë, 31 Tetor 2026

Si regjistrohen tokat pa sipërfaqe

22/04/2009  Qytetarët duhet të sigurojnë një deklaratë nga pronarët në kufi me pronën tuaj

Afati i regjistrimit në zyrat e hipotekës është brenda 30 ditëve

Nëse keni një pronë dhe nuk e dini saktë sa është sipërfaqja e saj, mund ta regjistroni brenda 30 ditëve në zyrat e hipotekës. Ajo që ku nevojitet është nga një deklaratë e pronarëve në kufi me pronën tuaj. Do të jenë zyrat vendore të Regjistrimit të Pasurive që brenda këtij muaji janë të detyruara të fillojnë këtë procedurë për të gjitha ato prona që ndodhen brenda vijës urbane në qytetet e mëdha. Ky proces, që për tre vjet me radhë ka qenë shkak për të lënë pezull shumë raste të paregjistruara, është çliruar me vendim të Qeverisë që ka përcaktuar procedurat e regjistrimit të pasurive të paluajtshme për të cilat zotërohen dokumente të ligjshme pronësie, por që nuk kanë të përcaktuar sipërfaqen e tokës. Ky proces pritet që të sjellë një futje në tregun formal shumë troje që deri më tani kishin mbetur jashtë çdo mundësie shit-blerjeje. Tashmë ato do të marrin një vlerë financiare, pasi do të mund të vlerësohen dhe mbi to do të mund të investohet.

Regjistrimi

Pronari i tokës do të ketë mundësi në këtë mënyrë që të bëjë zyrtare me dokumente, të drejtën që ka mbi pronësinë. Ligji i mëparshëm linte vend për interpretime, ndërsa tashmë ata pronarë që mund ta dokumentojnë pronësinë e tyre, e kanë më të thjeshtë që të investojnë në të. Jo rrallë ky proces është shoqëruar me abuzime nga ana e administratave në rrethe. Kjo për shkak se procedura që ka ekzistuar më parë linte vend për interpretime. Këto raste të tilla regjistrimesh do të jenë pjesë e verifikimit nga zyrat e hipotekave.

Dhurimi i një toke bujqësore

Për të dhuruar një tokë bujqësore, veç kontratës së dhurimit, certifikatës së pronësisë, kartelës së pasurisë dhe hartës treguese të pasurisë, pranë këtyre zyrave kërkohet edhe një vërtetim nga organi i njësisë vendore mbi përbërjen e familjes, si dhe akti i vlerësimit të pasurisë për efekt tatimi. Nevojitet edhe një certifikatë e gjendjes familjare në momentin e kalimit të pronësisë, si dhe vendimi i gjykatës për caktimin e kujdestarit të miturve anëtarë të familjes bujqësore. Taksa e detyrueshme për t’u paguar parën arkave të zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, në rastet e dhurimit të një toke bujqësore apo të një trualli a ndërtese është 1 500 lekë të reja, ndërsa tarifa e shërbimit është 300 lekë.

Si bëhet këmbimi i

një trualli në hipotekë

Qytetarët që kanë nevojë të këmbejnë troje ose ndërtesa mes tyre duhet të zbatojnë procedurë të caktuar pranë zyrave të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme. Në rastin e këmbimit të një trualli apo një ndërtese qytetarëve u kërkohet një kontratë këmbimi, certifikata e pronësisë, kartela e pasurisë, si dhe harta treguese e pasurisë. Në rastin e këmbimit të një toke bujqësore veç kontratës së këmbimit, certifikatës së pronësisë, apo kartelës së pasurisë dhe hartës treguese të pasurisë, kërkohet gjithashtu edhe një vërtetim nga organi i njësisë vendore mbi përbërjen e familjes, si dhe një certifikatë e gjendjes familjare në momentin e kalimit të pronësisë. Në rastet e këmbimit të tokës bujqësore apo të një trualli apo ndërtesë aplikohet 1 500 lekë të reja taksë, 300 lekë për tarifën e shërbimit, si dhe 150 lekë në ditë gjobë për çdo ditë vonesë. Afati ligjor për t’u paraqitur pranë zyrave vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme është brenda 30 ditëve. Punonjësit e hipotekës janë të detyruar që këtë procedurë ta mbarojnë brenda një afati që zgjat plot 5 ditë pune.

Procedura, si bëhet regjistrimi

i pasurisë në zyrat e hipotekës

Për regjistrimin e pasurisë truall ose ndërtesë e kthyer nga KKKP para vitit 2000, sipas procedurës zyrtare, duhet akti i marrjes së tokës në pronësi, plan-vendosja ose vendimi gjyqësor për çeljen e trashëgimisë. Taksa që aplikohet në këtë rast nga ana e punonjësve të zyrave të hipotekës është 200 lekë të reja plus 300 lekë tarifa e shërbimit. Për çdo ditë vonesë nga afati ligjor për regjistrim, që është 30 ditë, aplikohet gjobë prej 20 lekësh në ditë, ndërsa procedura zgjat vetëm 12 ditë pune. Por procedura është e ndryshme për apartamentet. Për ato që janë privatizuar në vitin 1992 është e nevojshme të keni me vete një kontratë të shitjes së banesës, planimetrinë e apartamentit, gentplanin e apartamentit, certifikatën familjare që të jetë e datës 1 dhjetor 1992. Taksa që aplikohet në këtë rast është 200 lekë të reja plus 300 lekë tarifa e shërbimit. Për çdo ditë vonesë nga afati ligjor për regjistrim, që është 30 ditë, aplikohet gjobë prej 20 lekësh në ditë, ndërsa procedura pranë zyrave të Regjistrimit të Pasurisë së Paluajtshme zgjat vetëm 5 ditë pune.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›