Qeveria nga "shërbimin informativ" ekonomik
Struktura e re do të quhet "Drejtoria e Hetimit Tatimor" dhe ka për detyrë kontrollet në fushën financiare
TIRANË- Këshilli i Ministrave miratoi ditën e djeshme një vendim ku e autorizon Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve të ngrejë një strukturë e ngjashme me SHISH-in, për të parandaluar krimet që kanë të bëjnë me, detyrimet tatimore apo me taksat.
Sipas këtij vendimi, ky organizëm i quajtur Drejtoria e Hetimit Tatimor, do të ketë si detyrë parandalimin, zbulimin, dokumentimin apo ndërprerjen e veprimtarive kriminale në fushën e tatimeve dhe të taksave.
Pritet që kjo drejtori t'i përmbushë këto detyrime, nëpërmjet mbledhjes, përpunimit, ruajtjes, dhe analizimit të informacioneve komprometuese për subjekte që shkelin. Për mirëfunksionimin e këtij sektori, Këshilli i Ministrave ka urdhëruar edhe caktimin e një buxheti të posaçëm pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve.
Gjatë kryerjes së aktivitetit të saj, kjo zyrë pritet të bashkëpunojë me Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave, njësinë e pastrimit të parave, Policinë e Shtetit dhe shërbimet e tjera inteligjente, duke shkëmbyer informacione, duke dhënë ose marrë ekspertiza të kualifikuara, në funksion të zbulimit të krimeve në fushën e tatimeve, pastrimit të parave etj.
Sipas VKM-së, të gjithë drejtuesit e strukturave, brenda sektorit tatimor, duhet që të bashkëveprojnë me këtë drejtori, duke i dërguar asaj materiale dhe informacione për subjekte të veçanta tatimpaguese, për të cilat dyshohet se mund të kryejnë ose kanë kryer evazion fiskal ose mashtrim tatimor.
Një tjetër ndihmë që i është dhënë nga qeveria është përfshirja e kësaj strukture në listën e institucioneve, anëtarë e të cilëve do të pajisen me pasaporta shërbimi për jashtë shtetit.