E Diel, 1 Nëntor 2026

Prishchepov: Ambasada e re, shenjë e marrëdhënieve më të mira

Ambasadori i Federatës Ruse në Tiranë, Alexander L. Prishchepov, e ka paralelizuar zhvendosjen e përfaqësisë në Tiranë në një godinë të re, me marrëdhëniet e një stadi të ri dhe mjaft pozitiv me vendin tonë. "Marrëdhëniet ndёrqeveritare, siç dihet, fillojnë nga ambasadat. Në të vërtetë, ne kërkuam një ndërtesë të tillë për ambasadën tonë duke pasur në mend një fakt të tillë. Një ndërtesë që u përgjigjet synimeve dhe dëshirave të Rusisë për të zhvilluar marrëdhëniet me Shqipërinë", shprehet ambasadori rus. Ai shton më tej se "aktualisht ne mendojmë se kjo ndërtesë u përgjigjet kërkesave dhe aktivitetit diplomatik rus në Shqipëri". Ndërsa nuk ka përjashtuar mundësinë që me kalimin e kohës një ndërtesë edhe më e madhe të nevojitet për ambasadën ruse në Tiranë. "Mendoj se do t‘i zgjidhim problemet sa herë që ato do të dalin", tha Prishchepov. Ndërtesa e re, sipas ambasadorit të Federatës Ruse në Tiranë, kishte si qëllim përfaqësimin e vendit të tij në mënyrë dinjitoze dhe mbi të gjitha të krijonte atmosferën e mikpritjes tradicionale ruse për politikanët dhe miqtë shqiptarë. "Kryesorja është që të krijojmë atmosferën e mikpritjes tradicionale ruse, në mënyrë që kur miqtë shqiptarë të vijnë këtu të mos ndihen në një mjedis zyrtar, por në një mjedis të lirshëm dhe si në shtëpinë e tyre dhe mbi të gjitha midis miqsh", thotë Prishchepov. Sipas tij, zhvillimi i mëtejshëm i marrëdhënieve midis Shqipërisë dhe Rusisë kërkonte një zgjerim më të madh të ambienteve. "Prandaj, edhe kur përzgjodhëm ndërtesën, ne patëm këtë fakt në konsideratë, sepse, sipas mendimit tonë, ajo u përgjigjej karakterit dhe mundësive të marrëdhënieve diplomatike midis Rusisë dhe Shqipërisë", tha ai. Prishchepov mendon se ambasada e re reflekton një përputhje të plotë të formës me përmbajtjen. Ai ka theksuar se ambasada e re është vizituar nga shumë personalitete politike shqiptare gjatë pritjes me rastin e Ditёs sё Rusisё, si Kryeministri Sali Berisha, Kryetarja e Parlamentit, Jozefina Topalli dhe shumë deputetë e ministra.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›