Në pranga atë e bir, plagosën me armë dyqanxhiun
Vetëm 4 orë pas ngjarjes, policia ka mundur të prangosë dy autorët e plagosjes dhe dhunimit të një 50-vjeçari nga Patosi, ngjarje kjo e ndodhur mbrëmjen e së mërkurës. Burime zyrtare të policisë lokale bëjnë të ditur se janë ndaluar: Albert Yzeiraj dhe Adriatik Yzeiraj, atë e bir, përkatësisht 48 dhe 24 vjeç. Të njëjtat burime saktësojnë se ndalimi i tyre u bë për shkak se rreth orës 21:30 të së mërkurës, në bashkëpunim me njëri–tjetrin në lagjen “1 Maji” në Patos kanë plagosur me armë zjarri automatik 50-vjeçarin Fatmir Muhametaj, banues në Patos. Gjithçka ka ndodhur për shkak të një borxhi në të holla për një sasi malli të papaguar nga ana e autorëve të ngjarjes. Ndërkohë, Kostandina Yzeri, bashkëshortja dhe nëna e të arrestuarve është shprehur për gazetën “Shqip” se: “familja ime nuk ka konflikt me familjen e Fatmirit. Një mik i tij është në debat me ne prej pesë vjetësh. Ne na ka dhunuar Fatmiri dhe djali i tij, Albani. Madje, djali ka qëlluar me pistoletë ndaj djalit tim”. Ajo ka këmbëngulur se me armë nuk ka qëlluar bashkëshorti dhe djali i saj, por pala që mbeti e plagosur. Ndërkohë që burime nga grupi i hetimit pohojnë se autorët kanë pranuar se kanë qëlluar me mjete të forta, por jo me armë.
#