E Diel, 1 Nëntor 2026

Viktima e aksidentit, dokumente me dy emra

Durrës Policia nuk arrin ta identifikojë

Ka mbetur i paidentifikuar personi që humbi jetën gjatë një aksidenti në superstradën Durrës-Tiranë, ndërsa policia arrestoi në flagrancë drejtuesin e automjetit. Në veshjet e viktimës u gjetën dy dokumente me identitete të ndryshme, gjë që ka vështirësuar identifikimin e tij, ndërsa kanë munguar interesimet nga familjarë. Në mesnatën mes së mërkurës dhe së enjtes, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit Bedri Merhori, 45 vjeç me arsim të lartë, pasi në kohën kur drejtonte automjetin tip “Land Rover” fuoristradë me targa TR 1834 P, është përplasur me një motoçikletë të drejtuar nga një shtetas i paidentifikuar, i cili gjeti vdekjen. Gjatë kryerjes së veprimeve të para hetimore në veshjen e viktimës u gjet një leje qarkullimi në emër të shtetasit Musli Bajram Kërnaja, 45 vjeç, lindur në Tropojë e banues në Tiranë, si dhe një akt përdorimi në emër të shtetasit Astrit Syl Krasniqi, i vitlindjes 1970, lindur në Tropojë e banues në Tiranë. Ndërsa po punohet për identifikimin e viktimës ndaj drejtuesit të automjetit u ngrit akuza e shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor, e cila pritet të mbështetet ose jo nga organi i akuzës në bazë të veprimeve të mëtejshme hetimore.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›