Zhduken dy vajza, policia në kërkim
Dy të reja largohen nga banesa, familjarët në alarm, ndërsa policia vihet në kërkim të tyre. Esmire Mehmetaj, 20 vjeçe, lindur në Tropojë dhe banuese në lagjen 17 të qytetit bregdetar, si dhe Anisa Ndregjoni, 18 vjeçe, lindur në Dibër dhe banuese në lagjen 6 janë shpallur në kërkim nga policia dhe po punohet për gjetjen e tyre. Dy familje të ardhura me banim në Durrës po përjetojnë të njëjtën situatë ndonëse nuk kanë lidhje me njëra-tjetrën. Vajzat u janë larguar nga shtëpitë dhe të dëshpëruar nga kjo situatë baballarët i janë drejtuar Komisariatit të Policisë Durrës për të bërë kallëzimet përkatëse dhe kërkuar ndihmë nga autoritetet. Kallëzimet kanë mbërritur thuajse afër mesnatës së të mërkurës, me një diferencë kohore prej 30 minutash nga njëri-tjetri. 47-vjeçari Z.Mehmetaj ka denoncuar largimin nga banesa të së bijës 20-vjeçare dhe po të njëjtën situatë ka treguar dhe babai 63-vjeçar i Anisës. Për të dyja rastet kanë nisur gjithashtu dhe hetimet për të zbardhur nëse largimi i vajzave ka qenë me dëshirë, apo ato mund të jenë viktima të mundshme të një trafiku të brendshëm.
#