E Diel, 1 Nëntor 2026

OSSH: Nuk i japim energji spitalit pa shlyer borxhin

Laç Lëvizja “Mjaft” i kërkon prokurorisë të nisë hetime për rrezikimin e pacientëve

Ndërsa më shumë se 60 pacientë të spitalit të Laçit vazhdojnë të vuajnë mungesën e energjisë elektrike, OSSH shpreh vendosmërinë për të mos toleruar deri në shlyerjen e faturave.

OSSH

Zyra e shtypit e OSSH-së reagoi pas lajmit të botuar në “Shqip” për lënien pa drita të spitalit. Përveçse konfirmon këtë lajm, OSSH saktëson se borxhi që spitali i ka kompanisë është rreth 6,7 milionë lekë të rinj dhe se autoritetet e spitalit kanë paguar dje vetëm 300 mijë lekë. “OSSH ka treguar gatishmërinë maksimale për t’i dhënë një zgjidhje situatës, por nuk mund të toleroje pafundësisht injorimin e shlyerjes se detyrimeve, ashtu si e kërkon nga çdo konsumator tjetër, familjar, buxhetor apo jobuxhetor”, thuhet në komunikatën për shtyp që shpërndau dje OSSH.

Shoqëria civile

Ndërkohë, në lidhje me këtë ngjarje ka reaguar dje edhe lëvizja “Mjaft”, që e konsideron çnjerëzor e të pamoralshëm vendimin e OSSH-së për të lënë spitalin pa drita. “Një veprim i tillë, që vë në rrezik shëndetin dhe jetët e qytetarëve është i pajustifikueshëm dhe pa asnjë lloj konsiderate njerëzore, sipas çdo lloj kodi, qoftë ky ligjor apo moral”, thuhet në një deklaratë të lëvizjes “Mjaft”. Duke e konsideruar të patolerueshëm rrezikimin e jetëve të njerëzve për shkak të faturave të pashlyera, “Mjaft” u bën thirrje Ministrisë së Shëndetësisë dhe asaj të Energjetikës që të marrin masa të menjëhershme për zgjidhjen e kësaj situate dhe të parandalojnë makabritete të tilla në të ardhmen, si dhe i kërkon Prokurorisë së Rrethit Laç që të nisë një hetim zyrtar mbi këtë veprim të paprecedentë të OSSH.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›