Në pranga dy të rinj, vidhnin banesa e lokale
LEZHË- Policia e Lezhës ka arrestuar në flagrancë Alfred Nikollin, 30 vjeç, lindur në fshatin Shëngjergj të Komunës Kaçinar të rrethit Mirditë; si dhe E. V., 17 vjeç, lindur në fshatin Kuzhnen të Komunës Kaçinar të rrethit Mirditë dhe banues në qytetin e Rrëshenit të rrethit Mirditë. Arrestimi i tyre u bë për arsye se këta shtetas u kapën në flagrancë për veprën penale të vjedhjes, pasi në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë vjedhur me thyerje disa banesa dhe po punohet për zbardhjen e disa vjedhjeve të tjera, të cilat dyshohet se këta shtetas janë autorë të disa vjedhjeve. Në momentin e arrestimit të tyre, policia ka sekuestruar në cilësinë e provës materiale një automjet tip “Volsvagen Polo” me targa të huaja AF 281 WV së bashku me dokumentacionin e tij, një thes i mbushur me tel bakri të zhveshur me fije, një kokë dushi, një bolier dushi, një lavatriçe e markës Ariston, një televizor 20 polësh, një palë pinca të gjata me dy krahë, dy hekura hekurosjeje, një saldatriçe, një gjenerator, një armë gjahu automatike dhe një radio kineze. Sipas burimeve zyrtare të policisë së Lezhës, ndaj dy të rinjve është ngritur akuza për veprën penale të “Vjedhjes së kryer në bashkëpunim” dhe “Mbajtjes pa leje të armëve sportive dhe gjuetisë”. Të njëjtat burime shprehen se dy të arrestuarit dyshohen se kanë kryer një sërë vjedhjes edhe në rrethin e Mirditës, ku për këtë po shikohen edhe shenjat e gishtërinjve që janë gjetur në vendet që është kryer thyerje dhe vjedhja e banesave apo lokaleve.