Rrëzohet motoçikleta në hyrje të Durrësit, vdes 24-vjeçarja
DURRËS- Një aksident me pasoja të rënda ka ndodhur pasditen e djeshme në hyrje të qytetit të Durrësit, në aksin Ura e Dajlanit-Durrës. Një motoçikletë tip Yamaha ka humbur kontrollin dhe dy personat që ishin në të janë rrëzuar duke marrë plagë të rënda. Burime të policisë së Durrësit kanë bërë të ditur se ngjarja ka ndodhur rreth orës 15.00. Motoçikleta tip Yamaha pa targa, drejtohej nga 21-vjeçari Z. Mamaqi, por bashkë me të udhëtonte dhe Boralda Zeneli, 24 vjeç, banore e lagjes nr 6 në Durrës. Rrëzimi i motoçikletës ka ndodhur për shkak se ka humbur kontrollin drejtuesi i saj, 21-vjeçari Mamaqi, i cili ka deklaruar pas aksidentit në kohën që ka mbërritur policia në vendngjarje, se nuk e ka kuptuar se çfarë e pengoi që të humbte kontrollin e saj. Megjithëse 21-vjeçari ka marrë plagë të rëndë, gjendja më e vështirë është shfaqur te 24-vjeçarja Boralda Zeneli, e cila menjëherë pas ngjarjes është dërguar në urgjencën e spitalit, ku edhe është futur në sallën e operacionit. Pas disa orësh, rreth orës 20.00, ajo nuk ka mundur t’u mbijetojë plagëve dhe hemorragjisë që është shkaktuar nga rënia nga motoçikleta dhe ka vdekur. Edhe drejtuesi i motoçikletës ndodhet akoma në spital në gjendje të rëndë, por e ka kaluar rrezikun për jetën. Ceremonia e varrimit të 24-vjeçares është zhvilluar pasditen e djeshme. Pavarësisht masave të rënda ndëshkuese për drejtuesit e mjeteve në rrugët e vendit, përsëri numri i aksidenteve vazhdon të jetë i lartë. Njësia e qarkullimit rrugor në Durrës ka bërë të ditur se vetëm për muajin janar të këtij viti ka vendosur 5562 gjoba, ka pezulluar 112 leje drejtimi, 76 mjete janë bllokuar. Gjatë muajit që sapo kemi lënë pas janë shënuar 20 aksidente rrugore, me 5 të vdekur, 4 të plagosur rëndë dhe 22 të plagosur lehtë. A.K.