E Diel, 1 Nëntor 2026

Në pranga tre shqiptarë, 100 mijë euro në muaj nga shfrytëzimi i vajzave



Nga shfrytëzimi seksual ndaj vajzave që kishin “nën kujdes” arrinin që të përfitonin rreth 2 milionë euro në një vit. Kapitalin e fituar, ata më pas e investonin në Shqipëri në aktivitete të ndryshme. Por agjentët italianë arritën që të zbulonin aktivitetin e tyre në qytetin e Torinos dhe vunë në pranga tre shqiptarë. Sipas hetimeve të kryera, grupi i të arrestuarve vepronte në qytetin e Torinos dhe në rrethinat përreth. Në prangat e karabinierëve italianë ranë A. Dinoshi, 28 vjeç, R. Koçibelli, 25 vjeç dhe A. Balla, 26 vjeç. Sipas mediave italiane, vajzat e shfrytëzuara ishin nga Lituania dhe Rumania. Ato ishin blerë nga tutorët e tyre të mëparshëm për një çmim prej 2 mijë eurosh dhe më pas ato nxirreshin në trotuar për të prostituuar. Hetimi ka nisur pas arrestimit të disa muajve më parë të një rumuni 26-vjeçar. Ai akuzohej për shfrytëzimin e një minoreneje 17-vjeçare. Adoleshentja kishte kontakte me vajzat e tjera të shfrytëzuara nga grupi i shqiptarëve. Gjatë marrjes në pyetje nga agjentët italianë të saj dhe të tutorit 26-vjeçar, nisën edhe hetimet në lidhje me aktivitetin e grupit të shqiptarëve të tjerë. Ata nisën kontaktet me vajzat e tjera të shfrytëzuara, nga ku filluan më pas hetimet. Sipas mediave italiane, ka qenë e vështirë për agjentët që të nisnin bashkëpunimin me vajzat e shfrytëzuara. Tre shqiptarët shfrytëzonin shtatë vajza, të cilat ishim me origjinë nga Rumania dhe Lituania. Ato kishin ardhur në Itali të joshura nga premtimi për një jetë më të mirë. Më pas ishin detyruar që të punonin në rrugë. Ato vepronin në qytetin e Torinos, por edhe në Dalmine në provincën e Bergamo-s, si dhe në Brechia. Edhe pse tutorët e tyre silleshin disi më mirë me to, sërish vajzat ishin të detyruara që të punonin edhe në kushte shumë të vështira, në temperatura që arrinin deri në -10 gradë celsius. Të shtatë vajzat ishin nën 23 vjeç dhe tre prej tyre ishin minorene. Vajzat u gjetën nga karabinierët në një banesë në rrugën “Bardonechia” të qytetit të Torinos. Ato për shkak të kërcënimeve të marra, nuk kanë dashur të bashkëpunojnë. “Kemi frikë për familjet tona”, - u kanë thënë ato agjentëve. Hetimet nga agjentët italianë kishin nisur që gjashtë muaj më parë. karabinierët italianë kishin rënë në “gjurmë” të një grupi të përbërë nga tre shqiptarë, që merrej me shfrytëzimin e vajzave lituaneze dhe rumune për prostitucion. Ka qenë ndalimi i një 17-vjeçareje rumune, që ka çuar tek arrestimi i tre shqiptarëve. Ajo ishte shitur nga ata për rreth 2 mijë euro dhe vazhdonte të mbante kontakte me shoqet e saj, që ishin “pronë” e shqiptarëve. Vajzat dilnin çdo ditë në rrugët e Torinos, të Brechia-s dhe të Dalmine-s në Bergamo, nga ora 23:00 deri në orën 06:00 të mëngjesit. Ato arrinin që t’u sillnin një fitim prej 100 mijë eurosh në muaj tutorëve të tyre, ose gati 2 milionë euro në vit. Sipas hetuesve italianë, tre shqiptarët kishin gjetur një mënyrë shumë të mirë për të përdorur paratë e tyre. Ata i investonin në pasuri të paluajtshme, si apartamente ose dyqane, ose biznese të tjera në Shqipëri lekët e marra nga vajzat e shfrytëzuara. Ndalimi i tyre u bë teksa ata po mendonin që ta mbyllnin këtë biznes dhe të riktheheshin sërish në vendin e tyre të lindjes, këtë radhë të pasur. Ata janë shoqëruar nga policia italiane në qelitë e paraburgimit, në pritje për të dalë përpara Gjykatës së Torinos, për të marrë masën e arrestit.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›