E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Në pranverë” me “Art Kontakt”

13/04/2010 Kanë zgjedhur pranverën për “të shijuar” art dhe për të debatuar për të. Ngjarja më e re artistike e “Art Kontakt” është pagëzuar “Në pranverë”. Organizatorët e quajnë atë edhe një festë, ku është menduar që përveç punëve “me ndjeshmëri të mirë profesionale”, të ketë një larmi teknikash në fushën e artit pamor. Artistë shqiptarë dhe të huaj kanë konfirmuar pjesëmarrjen në këto aktivitete, ku do të realizohen edhe biseda debatuese rreth gjendjes së sotme të artit pamor në Shqipëri. Hapja e ekspozitës, e cila mendohet të nisë nga data 15 prill, do të mbahet në galerinë “F” në Shijak dhe do të qëndrojë për publikun për 15 ditë, pastaj do të lëvizë në qytetet Shkodër, Berat, Fier dhe Korçë. Kështu do të ketë një histori të gjatë udhëtimesh e diskutimesh të vlefshme për pikturën e artin. “Art Kontakt” mbërriti për herë të parë në Shqipëri me Festivalin Ndërkombëtar të Artit më 10-13 gusht 2007. Ky festival arti u realizua duke përdorur teknika të reja artistike, dvd dhe video, performanca, instilacione, fotografi, balet modern, muzikë eksperimentale etj. Ambienti i realizimit të aktivitetit u bë kalaja e Ali Pashë Tepelenës në Porto Palermo.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›