E Diel, 1 Nëntor 2026

Teatri “Bylis” tërheq tragjikomedinë kosovare

Fier

Dy net më parë në teatrin e Fierit “Bylis” është shfaqur tragjikomedia “Kush m’ka faj që jam shqiptar”. Shfaqja kosovare me regji të aktorit të madh kosovar Enver Petrovci, në të njëjtën kohë dhe autori i kësaj pjese, e shfaqur premierë është pritur me mjaft sukses nga artdashësit e qytetit të Fierit.

Aktorët e trupës së teatrit “Bylis” në Fier, Klajdi Marku, Fatmir Xhelili, Bledar Mehmeti dhe studentja Olta Gixhari, ditën të zotërojnë për një orë skenën, duke përcjellë mesazhe dhe emocione artistike me publikun. Me skenografi të Gëzim Hajdinit dhe muzikë të Robert Hoxhës kjo vepër e shkruar nga Petrovci në vitin 1994 ka në qendër jetën e një artisti të madh kosovar. Ai braktisi vendet e mëdha dhe të zhurmshme, ku e priste karriera dhe kthehet në provincën e tij. Fillimisht, ai pritet me madhështi, për t’u përballur më pas me problematikën e shumtë provinciale. “Ngjarja merr spunto në Kosovë, por ajo është aktuale për popujt e Ballkanit”, - tha Petrovci. “Më ka tërhequr qyteti i Fierit si një qytet artdashës, trupa e tij teatrale e mrekullueshme”, - u shpreh ai. Ai vlerësoi kontributin e bashkisë për financimin e projektit të tij artistik me trupën teatrale të Fierit, si dhe projekteve të tjera kulturore, siç është Festivali Mbarëkombëtar i Aktrimit tashmë i kthyer në traditë.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›