E Shtunë, 31 Tetor 2026

Në pyetësor nuk përmendet kufiri i Serbisë me Kosovën

Nga Express më 02 shkurt 2011 në ora 10:38

Serbia i ka dorëzuar përgjigjet në mijëra pyetje që i kishte marrë nga Komisioni Evropian në pyetësorin e dërguar në vjeshtën e vitit të shkuar. Komisioni në tetor do të nxjerrë mendimin nëse Serbia i përmbush kriteret për të marrë statusin e kandidatit apo jo.

Në këtë pyetësor, siç mëson “Koha Ditore”, ka pasur disa pyetje edhe lidhur me Kosovën, por ato ishin formuluar për t’u përshtatur me qëndrimet e Serbisë dhe vendeve të cilat nuk e kanë njohur pavarësinë në mënyrë që Serbia të mos ketë probleme për t’u përgjigjur. Por mbetet të shihet se në çfarë mënyre janë përgjigjur autoritetet e Serbisë dhe si do t’i vlerësojë këto përgjigje Komisioni Evropian.

Nga disa vende anëtare të BE-së diplomatët më herët kishin thënë se ndonjë “gabim” i Serbisë rreth Kosovës do të mund të kishte pasoja që mendimi për Serbinë të jetë negativ. Por, këtu, thonë diplomatët, nuk duhet fajësuar shumë Serbinë në kohën kur ka edhe vende anëtare të BE-së që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës. Madje, disa zyrtarë të Këshillit të BE-së mendojnë se për rolin e Bashkimit Evropian si lehtësues në dialog mes Serbisë dhe Kosovës “është mirë se 5 shtete nuk e kanë njohur Kosovën”.

Në pyetësorin e dërguar nga Komisioni Evropian në Beograd, përgjigjet në të cilin të hënën Serbia ia dërgoi Komisionit, thuhet se, sikur edhe në rastin e Marrëveshjes së Stabilizim - Asociimit “Kosova nuk mbulohet me pyetësor”. Po ashtu kur përmendet Kosova, në fund të faqes bëhet referencë në “nën UNSC/1244”, që është Rezoluta e OKB-së për Kosovën.

Kosova përmendet në pjesën e “sigurisë së brendshme” e sidomos në aranzhimet mes armatës dhe policisë në Serbi në detyra të sigurisë së brendshme. “Si është siguruar përparësia (primati) i policisë mbi ushtrinë në menaxhimin e vijës administrative me Kosovën?” Është njëra ndër pyetjet.

Është interesant se në dokumentet e BE-së, kur flitet për kufirin mes Serbisë e Kosovës në gjuhën angleze përmendet si “border/boundary” (kufi/linjë administrative) ku fjala “kufi” është për të kënaqur 22 vendet që e kanë njohur Kosovën si shtet dhe që këtë vërtet e konsiderojnë si kufi ndërshtetëror mes dy shteteve që i kanë njohur. Ndërsa përmendja e njëkohshme edhe e “linjës administrative” (boundary line) përmendet për të kënaqur e vendet që nuk e njohin Kosovën si shtet dhe që mes Kosovës dhe Serbisë nuk shohin kurrfarë kufiri, por thjesht një “vij administrative”. Pra në këtë pyetësor kjo referencë ka injoruar qëndrimet e vendeve që e njohin Kosovën si shtet dhe si pasojë shohin se mes Kosovës dhe Serbisë ka kufi.

Ka edhe pjesë tjera ku përmendet Kosova. Në pyetjen ku kërkohet nga Serbia të dhëna për “Çështje rajonale dhe obligimet ndërkombëtare” parashtrohet pyetja: “Na jepni një pamje të raporteve tuaja me Kosovën dhe përpjekjet tuaja për të siguruar një bashkëpunim efikas në çështjet që kanë të bëjnë me BE-në dhe bashkëpunimin inkluziv rajonal”.

Në pjesën ku flitet për të dhënat statistikore të bujqësisë kërkohen edhe të dhëna për shkëmbimin tregtar me vendet e rajonit, përfshirë edhe Kosovën. Në pjesën për taksat i parashtrohet pyetja Serbisë: “Çfarë regjimi i TVSH-së aplikohet ndaj mallrave të transferuara nga Serbia në Kosovë dhe anasjelltas”. Nga autoritetet e Serbisë është kërkuar po ashtu që të sqarojnë në detaje procedurat e dhënies së pasaportave biometrike për “banorët e Kosovës” dhe masat për të parandaluar mashtrimet dhe korrupsionin.

Kërkohet nga Serbia që të “përshkruajë në detaje situatën në linjën administrative me Kosovën” sikur edhe bashkëpunimin me EULEX-in. “Ju lutemi të përshkruani procedurat e kontrollimit në rastet e hyrjes së të huajve në Serbi përmes linjës administrative me Kosovën” është po ashtu njëra ndër pyetjet. Ka pyetje edhe për legjislacionin e doganave në Serbi, cilat masa aplikohen në rastin e mallrave nga Kosova dhe për në Kosovë, si është e rregulluar çështja e “origjinës së mallit” dhe a ka dogana që aplikohen me Kosovën.

Në pjesën e pyetjeve për politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë së BE-së, ku flitet për “dialogun politik”, Serbisë i është parashtruar pyetja: “Çfarë dialogu politik zhvillohet mes shtetit tuaj dhe si vijon: - Ballkani Perëndimor (Shqipëria, Kroacia, Bosnja e Hercegovina, ish- republika jugosllave e Maqedonisë, Mali i Zi dhe Kosova). Këtu është ndër pjesët e rralla ku Kosova është përmendur në të njëjtën formë sikur shtetet tjera, por si pjesë e rajonit.

Nga Bashkimi Evropian Serbisë i është bërë me dije se nisja e dialogut mes Serbisë dhe Kosovës do të ndihmonte shumë që edhe përgjigjja në këtë pyetësor të jetë e favorshme për Serbinë. Kjo është njëra ndër arsyet pse Serbia nxiton që të nisë ky dialog, sepse ajo qartë mund të përfitojë nga nisja e këtij dialogu. Në BE thonë se “as Kosova nuk do të humbë nga nisja e dialogut”.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›