Në shërbim, policia "ngatërron" personin që duhej shoqëruar
16/05/2005 TIRANË- Polici i komisariatit numër 4, në vend të shoqërojë në ambientet e policisë personin që iu duk i dyshimtë, hutohet dhe shoqëron një 19-vjeçar që kalonte aty pranë. Ngjarja e rrallë ka ndodhur në orët e vona të së shtunës, në afërsi të Qendës Spitalore "Nënë Tereza", kur një efektiv i këtij komisariati, ishte duke kryer shërbimin. Burimet të komisariatit numër 4 thanë për gazetën se, aty ishte parkuar një makinë, e cila përdorej si taksi nga drejtuesi i saj. Efektivi i policisë i kërkoi shoferit të paligjshëm, emri i të cilit nuk bëhet i ditur, dokumentacionin përkatës të makinës dhe letërnjoftimin. Me dokumentet e makinës në dorë, punonjësi i policisë po shihte që aty pranë po kalonte një i ri, 19 vjeç, banues në këtë lagje. Ai po shihte veprimet proceduriale të efektivit të policisë dhe ndaloi. Burimet policore thanë se punonjësi i policisë e paralajmëroi të riun, duke i thënë se do ta shoqëronte në komisariat. Debati vazhdoi derisa shoferi i makinës ishte zhdukur dhe polici shoqëroi në komisariat të riun. Në orët e para të ditës së djeshme, drejtuesi i mjetit është paraqitur në komisariat, ku tërhoqi dokumentet e makinës, ndërsa 19-vjeçari doli nga ambientet e komisariatit.