E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qëllon gruan me thikë, vetëvaret

Një krim i rëndë brenda familjes ndodhi dje në Laç. 

LAÇ/ ROLAND NIKOLLI

 Burri, pasi goditi gruan me thikë, vari dhe veten, pasi mendoi se ajo kishte vdekur. Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 07:00 në lagjen nr. 5 të qytetit. Policia bëri të ditur se 44-vjeçari Alfred Doçi është gjetur i vetëvarur në një pemë, pak metra larg banesës së tij. Viktima ishte vetëflijuar pasi kishte qëlluar disa herë me thikë bashkëshorten e tij 38-vjeçare, Drane Doçi. Ai e kishte qëlluar në fytyre dhe në qafë, duke i shkaktuar plagë të rënda. Më pas, teksa ka lënë gruan të mbytur në gjak, 44-vjeçari ka dalë nga shtëpia dhe në kushtet e një depresioni të rëndë ka vendosur t’i japë fund jetës. Sipas burimeve të policisë që po dokumenton ngjarjen, gjithçka ka nisur nga një sherr i momentit mes çiftit. Në banesën e tyre ishte e pranishme edhe motra e Alfred Doçit, e cila ka zbardhur për policinë edhe skemën e ngjarjes. Ajo ka deponuar se vëllai dhe kunata e saj kishin filluar të grindeshin që sapo ishin zgjuar, ndërsa tre fëmijët e tyre ishin ende në gjumë. Sipas dëshmisë së saj, i vëllai pas sharjeve e fyerjeve të ndërsjella, kishte marrë thikën e bukës dhe më pas ka qëlluar gruan e tij. Ai i ka shkaktuar asaj plagë në fytyrë. Ndërkohë që një plagë të madhe i ka shkaktuar edhe në qafë. Mjeku kirurg i spitalit të Laçit, Leonard Zefi u shpreh se, “Drane Doçi ka marrë plagë me thikë në fytyrë dhe qafë. Plaga në qafë ishte e thellë, por fatmirësisht thika nuk kishte kapur ndonjë arterie, e cila do t’i shkaktonte asaj vdekjen e menjëhershme”. Pas krimit të kryer, Doçi është larguar, ndërsa motra e tij bashkë me disa fqinj, të cilëve ajo iu kërkoi ndihmë e çuan të plagosurën me urgjencë në spitalin e Laçit. Burimet spitalore bënë të ditur se 38-vjeçarja pas ndihmës së dhënë e kaloi rrezikun për jetën. Pasi gruaja kaloi rrezikun, spitali i qytetit sinjalizoi policinë për të plagosurën me thikë. Policia mbërriti në spital dhe arriti të mësojë nga e plagosura, se bashkëshorti i saj kishte shfaqur së fundmi shenja të dukshme depresive. Më pas, policia u nis për në banesën e saj për të kryer arrestimin e Alfred Doçit. Por kur blutë arritën në shtëpinë ku kishte ndodhur ngjarja, ata e gjetën të kërkuarin të vetëvarur. Policia bëri të ditur se e kishte gjetur Doçin të vetëvarur në një pemë, rreth 80 metra larg shtëpisë së tij. Pas këqyrjes së vendit të ngjarjes dhe veprimeve të tjera procedurale, policia mori në pyetje disa nga të afërmit e viktimës. Ata pohuan se Alfred Doçi kishte shfaqur së fundmi probleme me shëndetin mendor. Sipas tyre, ai kishte shenja të dukshme depresive, motivi i së cilës dyshohet të jetë vështirësia financiare në të cilën gjendej familja Doçi. Viktima mësohet se ishte zhvendosur disa vite më parë nga Lura e Dibrës. Doçi kishte emigruar për 10 vite në Greqi. Me paratë që kishte mundur të fitonte kishte blerë edhe tokën ku ai ndërtoi shtëpinë. Ai ishte kthyer përfundimisht në Shqipëri tre vite më parë. Punonte ku të mundte, por kohët e fundit viktima ishte përballur me vështirësi ekonomike. Pikërisht ky motiv dyshohet se i ka shkaktuar atij edhe depresionin dhe konfliktet me të shoqen, me të cilën kishte 15 vjet martesë.

Hidhet nga ballkoni 32-vjeçarja

VLORE - Një 32-vjeçare nga Vlora tentoi t’i japë fund jetës dje pas një debati në familje. Policia njoftoi se ngjarja kishte ndodhur në lagjen “24 maji”. Rozana N., nënë e një fëmije, është vetëhedhur nga kati i tretë i pallatit ku ajo banonte. Fqinjët e saj pasi kanë njoftuar bashkëshortin që ndodhej brenda në shtëpi, sinjalizuan edhe policinë. Gruaja u gjet e mbuluar me gjak, në gjendje të rëndë. Sipas mjekëve, 32-vjeçarja ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Ndërsa policia bëri të ditur se dyshohet që viktima tentoi vetëflijimin në kushtet e depresionit.             q.b

Pogradec, mbytet 17-vjeçari

POGRADEC - Mbytet në liqenin e Pogradecit një 17-vjeçar. Sipas policisë, viktima është gjetur nga një peshkatar rreth orës 19:30 të së mërkurës. Viktima Valmir Balliu nga Tirana u dallua i mbytur në ujërat e Ohrit nga peshkatari, i cili njoftoi policinë. Disa orë më pas, pasi i mbyturi u dërgua në morgun e qytetit, u bë i mundur edhe identifikimi i tij. Viktima kishte shkuar për pushime tek të afërmit e tij në Pogradec, dhe ata kishin disa orë që e kërkonin. I riu ishte futur të notonte në liqen, por më pas ishte zhdukur.                           j.gj

Bie nga pema, vdes e moshuara

POGRADEC - Një 56-vjeçare nga fshati Blace në Pogradec vdiq pasi ra nga pema. Policia bëri të ditur se dy ditë më parë, rreth orës 11:00, në spitalin e qytetit ishte çuar nga familjarët në gjendje të vdekur Jetere Oshafi. Nga deklarimi i bashkëshortit të saj, Tefik Oshafi, rezulton se viktima kishte qenë duke shkundur kumbulla, kur ajo kishte rënë nga pema. Burri që po mblidhte frutat në tokë, është munduar t’i japë ndihmën e parë, por 56-vjeçarja nuk ka mundur t’i mbijetojë plagëve dhe tronditjes që kishte marrë.             j.gj

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›