Në shtratin e vdekjes, Picasso thërriti Apollinaire
Jo, vërtet që ende nuk dihet mjaftueshëm mbi jetën e Pablo Picasso-s. Në këtë përfundim del autorja Mary Ann Caës, e cila ka publikuar librin "Picasso në shtratin vdekjes thërret Apollinaire". Vëllimi është një guidë e përqendruar mbi ekzistencën e piktorit, e pasuruar me referenca dhe miqësitë e mëdha të tij. Njëra mbi të gjitha, ajo me poetin Apollinaire të cilin Picasso do ta thërrasë në shtratin e vdekjes. Ndryshe është rasti i Andrè Breton, i cili pasi e lëvdon pa fund spanjollin, prish çdo lidhje me të në vitin 1946, kur zbulon se ai bëhet pjesë e Partisë Komuniste. Një miqësi intensive ka pasur me Braque gjatë periudhës kubiste, e më pas nisin të distancohen, ndërsa shoqëria me Matisse-n shënjohet nga një respekt i thellë e reciprok. Picasso është zemërgjerë, ndihmon miqtë, ja dy histori të ndryshme dhe të rëndësishme. Poeti Max Jacob shpesh ka nevojë për para dhe Picasso në vitet ‘20 e ‘30 i dërgon skica të vetat, në mënyrë që t‘i shesë. Max e përshkruan kështu Picasso-n: "I vogël, i ashpër, i fortë, me sy të errët e depërtues, gjeste të shpeshta, duar e këmbë të vogla, i çrregullt e me një urrejtje brutale". E vazhdon më tej: "Picasso ka qenë miku im për 16 vjet, jemi urryer reciprokisht dhe i kemi bërë njëri-tjetrit shumë mirë dhe shumë keq, e pavarësisht të gjithave, ai është i patjetërsueshëm për mua". Historia e Antonin Artaud është dramatike. Artaud, i mbyllur në një çmendinë, i shkruan Picasso-s në vitin 1946 për t‘i kërkuar të holla për të publikuar poezitë e tij "në një kartë të zakonshme... në mënyrë që edhe studentët e poetët, të varfrit e të rinjtë pa të ardhura të mund të t‘i lexojnë". Asnjë përgjigje. Sërish Artaud: "Kam përjetuar nëntë vjet internim, ngacmime, qeli, këmisha force... përveç këtyre, dy vite elektroshoku të shoqëruara me 11 koma... nuk është shumë miqësore të më tërheqësh për pesë herë nga Ivry në rrugën Grand Augustins (ku Picasso kishte studion)... nuk mendon se unë vlej aq sa të forcohesh për të më dërguar të paktën një përgjigje, cilado qoftë ajo". Nuk ka asnjë gjurmë replike. Picasso, dihet, nuk e pëlqente shumë të shkruarin.