E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tentativë për të zbardhur kronikat "e zeza"

"Trebicka" si frikë për ekzistencën e jetës
Këto ditë, rishfaqja në media e Efraim Diverolit, i cili së
bashku me ca pushtetarë - biznesmenë tanët "pollën"
Gërdecin, risolli edhe emrin e ndjesëpastit Kosta Trebicka.
Duket se tashmë, vdekja tragjike e denoncuesit
numër 1 për pisllëqet që bëheshin nga Ministria e
Mbrojtjes, nuk ka edhe aq "rëndësi". Pra nëse ajo është
shkaktuar prej një ekzekutimi, vrasjes "si aksident" apo
thjesht nga një batim banal i makinës ku udhëtonte.
Nëse përdorim thonjëzat për t‘i dhënë ngjyrimin momental
mosrëndësisë së kësaj ngjarjeje tragjike, si vrasje
apo jo, (tashmë e kthyer në kazus të radhës në Shqipëri,
por e kaluar jo lehtë edhe nga media të rëndësishme
ndërkombëtare), kjo bëhet për të ngritur siparin
e një analize për atë që ndodhi dhe veçanërisht për atë
që la në psikozën e shoqërisë sonë, të paktën si precedent:
Po fole vdes! Po e "kruajte" me të fuqishmit,
"mallkohesh" dhe prapë vdes! Edhe nëse bëhet fjalë
për një aksident të pastër, siç arriti në përfundim
prokuroria (pavarësisht se dy prej ekspertëve të grupit
hetimor nuk pranuan të firmosin raportin), menjëherë
pas ngjarjes, frika si një metastazë e pashpresë për t‘u
shëruar, pushtoi atë pjesë të shoqërisë që ende beson
se mafia, nuk e ka kapur dhe s‘ka shans që ta kapë
përfundimisht shtetin.
Frika si "pasuri"
Dihet se që kur ka lindur dhe deri në kohërat e sofistikimit
dhe të arsimimit të vetvetes, mafia, në radhë të parë të
armëve të shumta që ka përdorur për t‘u bërë vetë "shtet",
ka vendosur frikën: Dhe jo vetëm trembjen për atë
që të krijon lufta dhe rreziku për një mbijetesë
ekonomike, por thjesht edhe për ekzistencë fizike. Kur
s‘ke jetën, s‘ke as pasurinë, as varfërinë, as idealizmin,
as guximin e denoncimit. Madje për të gjithë ata si ty,
apo që aspirojnë të jenë si ty, është punuar me paramendim
që të lënë pas një pasuri (më e çmuara për
Krimin), atë që funksionon më mirë se arma, korruptimi,
shantazhi: Të heshtësh...
Përpara viteve ‘90, institucioni i frikës mendoj se ka qenë
më i forti në historinë e popullit tonë. Por edhe më "i
lehti" për t‘u menaxhuar. Më i fortë, sepse të gjithë kishin
frikë nga pushkatimi, burgu, linçimi kolektiv, goditja zinxhir
e gjithë fisit e deri edhe prerja e flokëve ala "bishtpëllumb",
përpara shkollës së rreshtuar pa bëzanur. Por
njëkohësisht të gjithë, (jua përsërisnin në çdo orë të ditës,
në shkollë, punë, televizion, gazetë e radio) e dinin me
ligj, se nëse bëje Këtë dhe Atë apo flisje kundër Atij dhe
Asaj, si përfundoje. Në këtë kuptim ishte "i lehtë", pavarësisht
se ekzistenca për gjallim nuk mund të krahasohet
me atë të mendjes dhe shpirtit. Kishte edhe një
komfort në atë kohë: askush nuk bënte përjashtim. Tashmë
të gjithë e kanë të qartë se dhe vetë Hoxha kishte
frikë… Edhe ai ashtu si krimi i organizuar, sot e investoi
dhe e përdori atë si pasurinë dhe armën më të fuqishme
të klikës që drejtonte.
Frika që vjen nga "frika"
Në Shqipërinë e pasviteve ‘90, frika ndaj sigurisë fizike,
gati nuk ka ekzistuar për njerëz të cilët rrethohen nga
aureola politike apo janë pjesë e pushtetit administrativ.
E njëjta gjë mund të thuhet edhe për mediat dhe aq
më shumë për menaxherët e tyre, të cilët çdo ditë e
më shumë po shfaqen nën petkun e politikanëve dhe
struktura të errëta në biznes. Tranzicioni shqiptar startoi
gati pa viktima, por vetëm me grabitje të pasurisë
ende "të përbashkët" dhe masakra të paprecedenta
në frutikulturën, florën dhe faunën e pasur të vendit.
Asnjë ish- anëtar i Sigurimit të Shtetit, i çdo niveli, asnjë
polic, asnjë oficer kufiri që vrau, asnjë denoncues i
"mikut" me të cilin kishin bërë plan për t‘u arratisur,
shfaqur më pas në gjyq si dëshmitar etj., etj., nuk u
prek as prej mënge. Nuk ndodhi as në muajt anarkikë
të vitit 1997 dhe duket se shanset që të ndodhë tani
janë zvogëluar afër zeros. Ky është natyrisht një lajm "i
mirë". Por në thelb, është shumë i keq për një shoqëri
që tashmë e ka të shkruar në ballë se një pjesë e mirë
e politikës, biznesit dhe shtetit që ka krijuar, jo vetëm
që s‘trembet nga asgjë, por është bërë poseduese e
pasurisë që përherë synon: frikë për të tjerët. Pas vdekjes
së Trebickës, reporterët e medias së shkruar dhe
vizive, raportuan (dhe vazhdojnë) nga gjykatat dhe
prokuroritë e vendit se shumë dëshmitarë, sidomos ata
të thirrur në seanca për bandat e fuqishme, nuk paraqiten
të dëshmojnë ose kyçin gojën apo mohojnë gjithçka
që kanë deklaruar më parë kur i çojnë me dhunë.
Numri mistik i Kryeministrit 0692099410, ku ftoheshin
qytetarët për të denoncuar korrupsionin në administratë,
përveçse rrogës së "çirakut" që kujdeset dhe famës që
mori në një reklamë shtetërore, nuk arriti ndonjë gjë.
Sipas medias që u referohet burimeve brenda qeverisë,
asnjë "peshk" i saktë nuk ka dalë nga ajo rrjetë, për
t‘u çuar në prokurori…
Trebicka i ndjerë ndoshta e preu më shumë se ç‘duhej
timonin e xhipit të tij, prandaj vdiq pa i thënë të gjitha ato
që dinte për aferën që "mbolli" dhjetëra të vdekur e të
gjymtuar në periferi të Tiranës, por pas la një "pasuri" të
paçmueshme për Mafien: Frikë për ata që guxojnë...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›