E Shtunë, 31 Tetor 2026

Në shumë vende të tjera është shtuar kontrolli i rreptë

Linjat ajrore të pasagjerëve drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës janë përballur dje me një shtim të madh të masave të sigurisë. Ndërkohë, për sa u përket aeroporteve europiane, ato duket se nuk po ndjekin kërkesat amerikane për shtimin e kontrollit për pasagjerët që vijnë nga 14 vende të përcaktuara. Zyrtarët amerikanë në Uashington thanë se masat e reja të sigurisë do të viheshin në zbatim të hënën, por për sa i përket Europës, sepse në botë situata ka qenë më ndryshe, ato nuk kanë qenë edhe aq evidente.
çdo ditë nga kontinenti ynë fluturojnë drejt Shteteve të Bashkuara qindra vetë. Shtetet e Bashkuara kanë bërë një listë prej 14 vendesh, të cilat sipas tyre, duhet të kryejnë një kontroll më të rreptë ndaj pasagjerëve që fluturojnë për në SHBA. Ndryshimet e fundit për sa u përket masave të sigurisë janë urdhëruar nga vetë Presidenti Obama dhe kanë pasuar arrestimin e një nigeriani që dyshohet se do të hidhte veten në erë ditën e Krishtlindjeve në një avion të linjës Amsterdam-Detreoit. Aktualisht, i dyshuari ndodhet në burgun federal të Miçiganit dhe do të shkojë në gjykatë brenda kësaj jave. Për sa u takon aeroporteve aziatike, ato i kanë vënë në zbatim masat e ndërmarra pas kësaj ngjarjeje.
Ndërkohë, Europa konsiderohet dhe është pikëprerja e fluturimeve ajrore nga vendet e ndryshme të botës drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës me 800 fluturime të parashikuara thuajse çdo ditë, të paktën sipas shifrave të vitit 2009. Fluturimet kanalizohen kryesisht nga aeroportet e mëdha të Londrës, Parisit, Amsterdamit dhe Frankfurtit. Në Britani, thuhet se zyrtarët ende po përpiqen që të deshifrojnë domethënien e rregullave të reja të lëshuara nga Uashingtoni. Duket se e njëjta situatë është edhe në vende të tjera europiane si Francë, Zvicër, Gjermani. Dje, autoritetet amerikane kanë deklaruar se të gjithë ata që do të udhëtojnë drejt Amerikës nga shtetet të konsideruara si sponsorë të terrorizmit, si dhe nga vende të tjera me lidhje të dyshimta, do të kalojnë nëpër etapa të një kontrolli të hollësishëm të pasaportave dhe personave. Teknikat e kontrollit do të jenë ato të një kontrolli të imët të gjithçkaje që hyn në avion.
Departamenti Amerikan i Shtetit ka listuar në këtë listë shtete si Kuba, Irani, Sudani apo Siria si sponsorë të terrorizmit, por ndërkohë ka renditur edhe vende të tjera si: Afganistani, Algjeria, Iraku, Libani, Libia, Nigeria, Pakistani, Arabia Saudite, Somalia dhe Jemeni si shtete nga të cilat mund të qarkullojnë persona të rrezikshëm. Masa të tilla janë komentuar në mënyra të ndryshme. Sipas drejtorit të Këshillit të Mirëkuptimit Arabo-Britanik masa të tilla do të huazojnë edhe më shumë myslimanët nga vendet perëndimore dhe do të kufizojnë udhëtimet e myslimanëve drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ndërsa Nigeria e ka quajtur të padrejtë paragjykimin që u është bërë 150 milionë nigerianëve për shkak të sjelljes së një personi të vetëm.
Në lidhje me këto masa nuk është arritur ende një konsensus i gjerë as në Europë, sidomos për sa u përket kontrolleve tërësore trupore, por këto çështje do të diskutohen shumë shpejt në një mbledhje të posaçme në Bruksel. Ka shumë udhëtarë që thonë se me këto masa cenohet shumë privacia e tyre personale. Ndërsa pilotët e avionëve në të gjithë botën e kanë mirëpritur masën e re. “Duam që “djemtë e këqij” të qëndrojnë jashtë avionëve dhe mendojmë se masat e fundit do t’ia arrijnë një gjëje të tillë”, është shprehur një pilot. Në shumë vende që dje ka filluar pjesërisht ose plotësisht zbatimi i masave të reja të sigurisë dhe kontrolleve të pasagjerëve nëpër avionët që fluturojnë për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›