E Shtunë, 31 Tetor 2026

Në sitë të gjitha lejet e ndërtimit të KRRT-së

07/07/2009  Durrës, specialistë nga Tirana për të hetuar. Banorët: Na zunë frymën pallatet

DURRES- Hapja e themeleve për ndërtimin e disa pallateve në qytetin e Durrësit është shoqëruar në mënyrë paralele me një numër kallëzimesh nga pronarë të tokave dhe qytetarë të apartamenteve. Hapësirat publike në lagjet e qyteteve janë shndërruar në shumë raste në vende të ndërtimit të pallateve disakatëshe dhe kjo ka sjellë reagime të forta. Ka ndodhur që sipërfaqet e bëra objekt ndërtimi si fillim janë bërë objekt i shembjes së kioskave dhe lirimit të hapësirave nga ndërtimet e ndryshme si gardhe, rrethime, avlli, mure, kioska etj., ndërsa banorët kanë menduar se në këtë rast lirimi i hapësirave do të shoqërohej me ndërtimin e lulishteve dhe mjediseve të tjera të pushimit, ka ndodhur krejt ndryshe.

Pushtimi nga ndërtimet

Pa pritur dhe jashtë vullnetit të banorëve të lagjes e pallateve, në tokën që është menduar si pjesë e hapësirës së përbashkët janë hapur themelet e pallateve. Një sërë protestash, kallëzimesh, ankesash dhe peticione drejtuar njësisë së qeverisjes vendore nuk kanë mundur të ndalojnë fadromat dhe ekskavatorët për të hapur gropat e mëdha. Në të katër anën e zemrës së qytetit të Durrësit ka nisur zënia e këtyre hapësirave, kurse zëri i qytetarëve ka mbetur i mekur. Autobote e betoniere presin në radhe në skaje të shumë rrugëve për të shkarkuar barrën e tyre. Aktualisht në të gjithë territorin e bashkisë nuk ka thuajse asnjë pëllëmbë tokë të lirë që mund të shërbejë si sipërfaqe për të ndërtuar lulishte. Madje edhe atje ku kanë qenë këto lulishte gjithçka ka shkuar qëllimisht drejt degradimit për t’u përfituar më pas nga ndërtues. Por pikërisht në kohën kur gjithçka është menduar se ka marrë fund, këto ditë ka nisur edhe inspektimi i këtyre zonave nga specialistë të mbërritur nga Tirana. Sipas të gjitha pohimeve, themelet në të gjitha rastet janë hedhur vetëm pasi është marrë një vendim lidhur me lejen e ndërtimit dhe lejen e sheshit të ndërtimit. Kjo ka kaluar përgjegjësinë drejtpërdrejtë tek komisioni përkatës, ndërkohë që flitet se organet e drejtësisë kanë nisur hetimet. Deri tani çdo gjë po mbahet në fshehtësi lidhur me fatin e këtyre lejeve të pretenduara të lëshuara në kundërshtim me ligjin. Ajo që vihet re ka të bëjë me mosrespektimin e distancave ngase ndërtimet e reja u kanë marrë frymën ndërtimeve të mëparshme. Por këtij kontrolli duket se nuk do i shpëtojnë as ndërtimet tek Currilat. Duke nisur nga Bërryli e deri në Currila tani nuk ka më asnjë pëllëmbë vend ku qytetari mund të bëjë plazh ngase rëra është betonuar nga ndërtimi i lokaleve e objekteve të tjera. Ende nuk është thënë nëse është bashkia ajo që ka dhënë në të tilla raste leje ndërtimi apo subjektet kanë shmangur bashkinë. Ajo që duket hapur ka të bëjë me faktin se në asnjë rast bashkia nuk ka kërkuar ndihmë lidhur me pezullimin e këtyre objekteve. Nuk ka sheshe mes pallateve në qytetin e Durrësit apo hapësirë në pjesën perëndimore të qytetit përgjatë bregdetit poshtë kodrës së Vilës që të mos jetë vënë nën kontrollin e betonit. Shumëkush ka akuzuar kryetarin e bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako, për këtë veprim. Ky i fundit si dhe drejtori i Departamentit të Urbanistikës ka një denoncim nga një qytetar në Plazh tek lokali “Drenica”, sherr që nga mosndërhyrja pasoi me vrasjen e një shtetasi. Gjithnjë e më shumë në Durrës janë shtuar zërat që akuzojnë Dakon në këtë drejtim, ndërsa bashkia është thënë se tashmë është vënë nën sitën e specialistëve lidhur me zbatimin e ligjshmërisë së vendimeve të KRRT-së.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›