E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Ne thjesht pjesë e demonstratës, kërkojmë shtet për qytetarin”

18/01/2011  Rama sqaron pozicionin e PS më 21 janar

“21 janari nuk është demonstrata e Partisë Socialiste për pushtet, po demonstrata e shqiptarëve që duan shtet. Prandaj duhet dalë në demonstratë të premten më 21 janar, pra që të ketë shtet për qytetarin shqiptar”, - u shpreh kreu i PS-së Edi Rama dje gjatë një deklarate për shtyp. Sipas tij, në vend nuk ka shtet për qytetarin me një pushtet kusar, që vjedh votën dhe për këtë arsye çdo qytetar duhet të jetë pjesë e kësaj demonstrate. “Saliu duhet ta dorëzojë bllokun e neveritshëm të pisllëqeve dhe t’i hap rrugë popullit për të zgjedhur me votën e lirë qeverinë. Demonstrata e 21 janarit është vënia në veprim e popullit pas ezaurimit të të gjitha mundësive për të mbrojtur Kushtetutën, ligjin, institucionet dhe liritë e të drejtat e qytetarëve përmes përpjekjes së opozitës politike”, - vuri në dukje Rama gjatë fjalës së tij. Madje, po në këtë linjë kryetari i socialistëve nuk harroi të sqaronte dhe pozicionin e partisë që ai drejton përballë këtij aksioni. “Ne jemi thjesht pjesë e demonstratës popullore, kërkojmë rivendosjen e demokracisë së marrë peng nga një pushtet i korruptuar dhe i kriminalizuar deri ku s’mban më. Që të ketë shtet për qytetarin shqiptarë”, - theksoi Rama. Në gjykimin e tij, ndryshimet në qeveri janë një thellim në rrugën e gabuar të provokimit të popullit nga ana e Saliut, që vazhdon të gënjejë sy për sy dhe përpiqet, edhe pse duke u përpëlitur të hedhë lumin duke zëvendësuar again e korrupsionit me qehajain për të mbajtur më këmbë një koalicion kusarie e matrapazllëku. “Të gjitha këto fyejnë thellë dinjitetin e këtij populli dhe meritojnë demonstratën e madhe popullore të 21 janarit dhe në vazhdim. Saliu duhet të dorëzojë bllokun e neveritshëm të pisllëqeve, që Shqipëria dhe bota mbarë e pa me sy në dorën e një qeverie të marrë fund”, - u shpreh Rama.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›