E Shtunë, 31 Tetor 2026

Në tre muaj 7 vrasje e 12 vetëvrasje në Durrës

20/04/2010 Renditet ndër qarqet më problematikë

DURRES- Bilanci i krimeve gjatë tre muajve të këtij viti ka qenë shqetësues për sektorin e luftës kundër krimit e terrorit në Durrës. Burime zyrtare në Drejtorinë e Policisë së Qarkut kanë saktësuar se në periudhën janar-mars janë shënuar 180 vepra penale të regjistruara nga agjentët dhe oficerë të sektorit të luftës kundër krimeve të rënda. Ndërsa nuk ka pasur asnjë rast të krimit të terrorit, 7 vrasje e vrasje të mbetur në tentativë dhe 12 raste të tjera vetëvrasje kanë qenë të mjaftueshme për të renditur këtë qark ndër problematikët për çështjen e sigurisë së jetës. Zbulimi i krimit kundër personit ka qenë në masën 100 për qind, por optimizmi ndër krerët drejtues të policisë bregdetare ka qenë i zbehtë edhe për faktin se ende një pjesë e krimeve të tjera nuk janë zbuluar. Nga 180 vepra penale të regjistruara vetëm në 135 prej tyre policia ka mundur të gjejë autorët, ndërkohë që operacionet policore për kapjen e të kërkuarve dhe shumë të kërkuarve janë përmbyllur sipas parashikimit të strukturave përkatëse. Për këtë periudhë tremujore vihet re se policia është përballur me shtimin e rasteve të vetëvrasjeve, vetëvrasjeve të mbetura në tentativë, vrasjeve të mbetura në tentative dhe dhunës tek të mitur e femra. Të njëjta pohime zyrtare bëjnë me dije se janë vrarë 3 shtetas, është tentuar të vriten 4 persona, janë plagosur rëndë 3 të rinj, u është hequr liria 3 qytetarëve dhe 12 shtetas janë vetëvrarë. Policia ka mundur të zbulojë rast pas rasti të gjitha vrasjet e vetëvrasjet, si dhe krimet e tjera të mbetura në tentativë duke pohuar se ndikim të vlefshëm kanë pasur telefonatat qytetare. Kështu në 3 muaj nga salla operative janë pritur plot 4200 thirrje telefonike anonime në të cilat qytetarët kanë denoncuar për vrasje, plagosje, prishje të rendit, aksidente rrugore, sinjale të bankave private etj. Rritja e besueshmërisë tek forcat e policisë ka bërë që numri i telefonatave të jetë 3 herë më i madh se një vit më parë dhe 10 herë më i lartë se 5 vite më parë. Ndërhyrja e policisë në një kohë të shkurtër ka pasur efekte të ndjeshme tek telefonuesit. Përgjithësisht telefonuesit, sipas policisë, janë dëshmitare në distancë të sherreve, krimeve dhe aksidenteve, ndërsa vetëm në një numër të vogël ata janë viktima të dhunës dhe abuzimeve nga të tjerë. Në deklarimet zyrtare thuhet se janë bërë 125 telefonata, të cilat kanë kallëzuar për ngjarje kriminale dhe 707 telefonata për prishje të rendit dhe qetësisë publike. Policia ka afruar mbrojtje për 46 femra, të cilat kanë denoncuar dhunën në familje. Gjykata e rrethit gjyqësor në Durrës është detyruar të nxjerrë 46 urdhër mbrojtje si dhe të vendosë për trajtim në qendra të veçanta të 5 femrave e të miturve të dhunuar. Shifrat pozitive të zbulimit të krimeve kundër personit nuk ka bërë optimiste policinë, pasi vërehet një rritje e numrit të rasteve të rënda.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›