E Diel, 1 Nëntor 2026

Në vend të futbollistit, kryeministër

Dardan Rexhepi i ka në mendje alternativat, në rast se nuk do të ishte futbollist. Sulmuesi kosovar thotë se do të bëhej kryeministër i Suedisë, po të mos merrej me sportin që luhet me këmbë. Njëherësh, 19-vjeçari merret me shkrimin e poezive dhe është fanatik i së drejtës humanitare. Nga Express më 03 prill 2011 në ora 14:11

Dardan Rexhepi ka plot alternativa në mendje, po të mos e kishte vazhduar rrugën e futbollistit. Sulmuesi kosovar i Malmos, vitin që shkoi e ka përfunduar shkollën e mesme me notat maksimale.

Kohë më parë, ai kishte treguar se është poet, pasi që shkruan poezi në kohën e lirë. Gjithashtu, ai i viziton shpesh libraritë në Malmo, ku furnizohet me libra dhe romane të ndryshëm.

Mirëpo, 19-vjeçari, të shtunën ka zbuluar diçka të veçantë, të cilën me siguri nuk do të mund ta paramendonte askush. Në pyetjen se çka do të bëhej nëse nuk do të ishte futbollist, futbollisti prishtinas do të përgjigjej kështu:

“Po të mos e ndiqja rrugën e futbollistit, të cilën megjithatë e pëlqej dhe nuk jam aspak pishman, do të bëhesha kryeministër i Suedisë”, theksoi Rexhepi për uebfaqen suedeze, aftonbladet.se.

Natyrisht, përpos poezisë dhe politikës, për Rexhepin thonë se është i përkushtuar dhe i pasionuar shumë edhe në aspektin e të drejtave humane.

Provohet në Manchester United

Dardan Rexhepi, bashkë me dy futbollistë të tjerë nga kampionati suedez, Christopher Smith e Mohammad Muslimovic, gjatë verës pritet ta marrin rrugën e Mbretërisë së Bashkuar, ku do t’i kalojnë disa javë prova.

Sipas uebfaqes suedeze, svenskafans.com, këtë e ka mundësuar skautë i Manchester United, suedezi Patrik Andersson. Me këtë rast, Dardan Rexhepi, i lindur në vitin 1992, gjatë verës do ta marrë rrugën drejt Manchesterit, ku do të provohet te ‘Djajtë e Kuq’.

“Më i famshmi nga këta tre lojtarë që do të provohen në Angli është Dardan Rexhepi. Ai do t’i kalojë tri javë me skuadrën e rezervistëve të Unitedit. Pas kësaj periudhe, klubi anglez do të vendosë nëse do ta mbajë në ekip apo jo”, shkruan uebfaqja svenskafans.com.

Rexhepi, bashkë me sulmuesin tjetër kosovar, Agon Mehmeti, u shpallën kampionë të Suedisë, në sezonin e fundit. Edhe pse qëndroi kryesisht në bankën rezervë, atëherë kur iu dha rasti, 19-vjeçari i shfaqi vlerat e tij të një futbollisti me perspektivë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›