SHKB heton aktivitetin e oficerit që u kanos me vdekje
26/04/2005 TIRANË- Pas kërcënimit për vrasje dhe kallëzimit për mitmarrje ndaj shefes së punësimit të Tiranës, Xhemiko Lozi, oficeri i Policisë së Tiranës, Agim Harizi, hetohet nga SHKB-ja. Zëdhënësja e Policisë së Tiranës, Alma Katragjini, në një njoftim për shtyp sqaron se, "Komisariati i Policisë nr.1 dhe nr.3 kanë kryer me precedentë veprimet proceduriale në zbatim të ligjit. Konflikti midis punonjësit Agim Harizi dhe palës tjetër ka ardhur për arsye private (personale) dhe jo për shkak të detyrës që ky shtetas kryen në polici. Është thirrur personi që ka kërcënuar inspektorin A.Harizi, i cili nuk është punonjës policie dhe deklaron se veprimet i ka kryer nën përgjegjësinë e vet dhe nuk ka qenë i shtyrë nga askush. Nga Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm po hetohet me përgjegjësi ky rast, në përputhje me kërkesat e ligjit. Ngjarja në fjalë ka ndodhur dy ditë më parë, ku, sipas policisë, dikush është prezantuar si oficer policie dhe ka kërcënuar për vrasje familjen e oficerit të policisë dhe bashkëshorten e tij. Kjo e fundit, sipas burimeve të policisë, është pronare e një agjencie turistike në qendër të Tiranës, pranë pallateve të “Shallvareve“. Mëngjesin e së premtes, më 21 prill të këtij viti, inspektori i Krimeve të Drejtorisë së Policisë së Tiranës, Agim Arizaj, është paraqitur pranë Zyrës së Punësimit, pranë Ministrisë së Ekonomisë, për të paguar sigurimet shoqërore për të shoqen, e cila është pronare dhe e punësuar në një agjenci udhëtimi. Agjencia është regjistruar në emër të bashkëshortes së Arizajt dhe është e licensuar për shitje biletash dhe për udhëtime turistike. Këtu ka nisur një sherr mes tyre, ndërsa Policia e Tiranës tashmë do të hetojë rreth aktivitetit të inspektorit. Ndërkaq të gjithë protagonistët janë pyetur nga gazeta "Metropol" dhe përgjigjja e tyre ka qenë: "Nuk dua të prononcohem".