E Diel, 1 Nëntor 2026

“Në zgjedhje mund të dalim vetëm”

Autori i Lajmit: red.
Kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, në një intervistë për “Ballkan” ka bërë të qartë se do të shikohen nga republikanët të gjitha opsionet ku një nga to është edhe mundësia e garimit vetëm në zgjedhjet e 2009-ës. Mediu i ka tërhequr vëmendjen mazhorancës për sa i përket anëtarësimit në NATO, i cili është bërë nga kreu i Qeverisë slogan në turet paraelektorale dhe ato promovuese në gjithë Shqipërinë, që të mos e shfrytëzojë politikisht. Ai ka thënë se “është e domosdoshme që ta kapitalizojmë këtë situatë të re dhe anëtarësim të Shqipërisë në NATO, duke mos e parë thjesht në aspektin e përfitimit momental politik, por në aspektin e përfitimit kombëtar”.

Para disa ditësh është mbledhur kryesia e PR-së, cilat kanë qenë vendimet e marra dhe çfarë është diskutuar?

Në diskutuam disa çështje, por ajo që është më e rëndësishme është organizimi dhe funksionimi elektoral i PR-së. Fill pas kongresit ne kemi organizuar dhe ato që quhen asamble rajonale, të cilat kanë pasur më tepër një rol kordinues në parti dhe që përkojnë edhe me sistemin e ri zgjedhor të ardhshëm. Ne duhet t u japim atyre një pushtet më të madh, i cili duhet të jetë qoftë në rrafshin e propozimit, por edhe të angazhimit konkret të diskutimeve elektorale, sipas rajoneve dhe qarqeve, nëse do ta bëja më konkrete në raport me Kodin Zgjedhor. U diskutuan edhe çështje të tjera, siç është ajo e pronës private dhe angazhimet e mëtejshme të PR-së, por duke mos lënë mënjanë interesat madhore të vendit. Marrja e ftesës për anëtarësim në NATO është një hap jashtëzakonisht i madh, i rëndësishëm, por mendoj që anëtarësimi i plotë bart detyrime të mëdha për Shqipërinë dhe është e domosdoshme që t i vlerësojmë këto detyrime, në mënyrë që të mos kemi kosto të panevojshme. Por nga ana tjetër, është e domosdoshme që ta kapitalizojmë këtë situatë të re dhe anëtarësim të Shqipërisë në NATO, duke mos e parë thjesht në aspektin e përfitimit momental politik, por në aspektin e përfitimit kombëtar.

Cila do të jetë forma e bashkëpunimit me PD-në?

Forma e bashkëpunimit do të përfundojë pas daljes së Kodit Zgjedhor, ishte pjesë e diskutimit që patëm në kryesinë e partisë, ky kod do të tregojë hapësirat dhe mundësitë. Por pa dyshim, e vetmja formulë që do të funksionojë me ne do të jetë ajo që gjithësecila parti të marrë atë që i takon.

A keni marrë propozime konkrete nga PD-ja deri më tani?

Ne jemi në diskutim me PD-në, dua të kujtoj që ka pasur një marrëveshje të partive të koalicionit përpara se të bëheshin ndryshimet kushtetuese, të cilat duhet të jenë detyrim për partitë politike të mazhorancës, pasi janë nënshkruar nga drejtuesit politikë pas një seri debatesh, diskutimesh dhe negocimesh për këtë çështje. Urojmë dhe shpresojmë që ato të vihen në zbatim në Kodin e ri Zgjedhor.

Si do t i vlerësonit lëvizjet e disa aleatëve sa djathtas dhe majtas?

Mendoj që është normale. Ajo që unë shikoj si të domosdoshme në të djathtën e sotme është përfshirja e subjekteve politike pa paragjykime. Është e domosdoshme që të shikojmë një përfshirje sa më të gjërë të subjekteve politike të së djathtës. Në kontekstin e ligjit të ri elektoral mendoj se është e domosdoshme kontributi i gjithësecilit subjekt politik aq më tepër nëse do të ndërtojmë një koalicion ku gjithësekush merr atë që i takon.

Koalicion i përbërë, kjo do të jetë formula?

Një është koalicion i përbërë, të cilin ne e kemi aplikuar edhe më parë, jo në këtë lloj standardi që kërkohet. Pastaj do të shikojmë dhe se kush janë mundësitë e tjera, ashtu siç nuk përjashtohen mundësitë që gjithësecili të garojë sipas peshës dhe potencialit të vet.
Ky lajm është publikuar: 26/09/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›