Negociatat 500 dite pa asnje rezultat
Dita e sotme, kur politika shqiptare ende vritet në ecejaken e një marrëveshjeje apo një fillimi cilësisht të ri të krizës, është pasojë e gati një viti e gjysmë ballafaqimi. Deklarata, reagime, akuza, protesta dhe deri misione ndërkombëtare si rrallë ndonjëherë kaq gjatë nuk kanë arritur të imponojnë zbatimin e një formule që parimisht është pranuar nga të gjithë. Burokracia e ligjeve e përdorur mjaft mirë nga shumica në pushtet jep përshtypjen se ia ka dalë të frenojë angazhimin politik të opozitës së drejtuar nga Partia Socialiste që prej qershorit 2009. Menjëherë pas zgjedhjeve, kjo e fundit kërkoi përmes dy anëtarëve të KQZ proces rinumërimi, i cili u rrëzua në Kolegjin Zgjedhor. Kaq mjaftoi për ta transferuar çështjen në kanale mirëfilli politike, të cilat u bënë shprehi të qarta sa të koniunkturës së brendshme socialiste aq edhe të fakteve dhe dyshimeve që lidheshin me zgjedhjet. Ruzhdia dhe “epopeja” e saj e instaloi problemin elektoral si një hierarki manipulimesh të cilat nxorën në skenë fjalën ngërç e mandej krizë. “Hap kutitë ose largohu”, deviza e PS do të ishte vetëm finalja e një procesi diskutimesh, qëndrimesh të forta, proteste dhe ndërmjetësimi, i cili gjithsesi dha një shkundje të fortë me grevën e urisë, zhvilluar në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” për 14 ditë rresht. “Cedimi” socialist u kushtëzua me një rezolutë të Parlamentit Europian, zbatimi i së cilës mbeti rrugës sa për shkak të evazivitetit të frazave aq edhe të mbështetjes që shumica përfitoi nga e djathta europiane. Por kriza nuk gjunjëzon qeverinë as përmes bojkotit dhe marrëdhënies së kushtëzuar dhe as përmes refuzimit të statusit të vendit kandidat për në BE. Si rrjedhim koha e kaluar që prej 28 qershorit, përveçse e ka maturuar krizën në të gjithë dimensionin e saj, duke e bërë të dukshme, nuk ka sjellë gjë tjetër përveçse një rithemelim të tensionit tanimë në parametra të rinj. Gjithnjë nëse JO-ja e Berishës do të mbetet në fuqi edhe sot.