E Shtunë, 31 Tetor 2026

Negociatat Berisha: Ja çfarë diskutuam në tryezën e Topit

Autori i Lajmit: Suela Topi
Kryeministri Sali Berisha ka bërë dje publike disa nga pikat më të rëndësishme të diskutimit në tryezën e organizuar nga Presidenti i Republikës, Bamir Topi. Gjatë mbledhjes së djeshme të Grupit Parlamentar, ai sqaroi se dhe në tryezën e Topit, PS kishte përdorur disa herë si argument Gjykatën Kushtetuese që i jep të drejtë opozitës të kërkojë hetim të pakushtëzuar. Por shtoi Berisha, aty theksohet qartë se “se pakica ka të drejtë të pakufizuar me kushtin që të mos cenojë parimet bazë të Kushtetutës; se ka të drejtë, por të mos ndërhyjë, paragrafi tjetër, në aktivitetin juridiksional të gjykatave”. Kryeministri shtoi se, nëse PS ka fakte për manipulime dhe shkeljet, atëherë është e lirë që ato ti paraqesë në prokurori. Ai shtoi gjithashtu se mazhoranca mirëpret që kjo çështje ti adresohet Komisionit të Venecias për zgjidhje.
Deklarata
“Siç jeni në dijeni, Partia Socialiste ka sjellë në Parlament dy nisma legjitime parlamentare. Këto nisma do të trajtohen me seriozitetin më të madh, me angazhimin më të madh, në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e vendit”, - informoi dje Berisha ligjvënësit e PD-së. Më tej ai ka hedhur poshtë akuzat e socialistëve, sipas të cilave, ata hynë në Kuvend pa marrëveshje, sepse Berisha nuk e ofroi atë. Duke i konsideruar këto akuza të pabaza, Kryeministri zbardhi dhe një pjesë të negociatave në tryezën e Topit për të sqaruar më tej qëndrimin e mazhorancës. Më tej, duke vlerësuar dhe kontributin e Këshillit të Evropës në këtë proces, Berisha tha se ndërkombëtarët, ashtu si ai, ishin të mendimit se, nëse Rama kishte fakte dhe prova që implikonin në një mënyrë ose në një tjetër hapjen e kutive, duhet të adresohej në prokurori. “Kjo pranohej nga unë si koncesion, pavarësisht se ka skaduar çdo afat për hetimin ligjor të këtyre zgjedhjeve. Por unë e pranoj plotësisht. Natyrisht, kjo nuk u pranua nga zoti Rama. Ndaj, dhe në qoftë se nuk pati marrëveshje, nuk ishte për shkakun tim”, - tha ai. Berisha shtoi më tej se në tryezën e Topit doli e qartë ideja se kërkesa për hapjen e kutive nuk mund të plotësohet pa procedura kushtetuese, në respekt me vendimet e Kushtetutës. Në linjë të po këtij qëndrimi, Kryeministri bëri të njohur dhe qëndrimin e Ramës në këtë tryezë për hetim të pakushtëzuar duke përmendur vendimin e Gjykatës Kushtetuese. “Ai e lexon vendimin në një mënyrë të atillë që i jep 100 për qind të drejtë të hetojë pa asnjë kufizim. Mu drejtua çështë e vërteta jo pak, por dy-tri herë. “Më gjej ti ku vendimi citon gjykatën” dhe u detyrova të marr vendimin, ti lexoj paragrafin ku thotë se “pakica ka të drejtë të pakufizuar me kushtin që të mos cenojë parimet bazë të Kushtetutës; se ka të drejtë, por të mos ndërhyjë, paragrafi tjetër, në aktivitetin juridiksional të gjykatave”. Pasi ia lexova, pati një ndërhyrje, për mendimin tim logjike, nga ana Presidentit të Republikës, i cili i rikujtoi vendimet e Gjykatës Kushtetuese dhe i kujtoi se Gjykata Kushtetuese është garanti i Kushtetutës në Shqipëri”,- pohoi kreu i Qeverisë. “Atëherë u sugjerua dhe unë u shpreha i gatshëm që gjykata, në vullnetin e saj të pavarur, sepse nuk mund ti imponohet absolutisht, ti kërkojë një “amicus curiae” Komisionit të Venecias. Por përderisa ekziston një vendim gjykate, nuk mundet qeveria në asnjë lloj rrethane, që të nisë betejën me Gjykatën e vetë Kushtetuese”, - tha ai.

Leskaj: “Berisha e radikalizoi situatën”

Kryeministri Sali Berisha duhet të përballet me manipulimin e zgjedhjeve, në të kundërt, do të përballet me popullin opozitar. Kjo thirrje i është drejtuar kreut të qeverisë nga selia rozë, përmes deputetes socialiste Valentina Leskaj, e cila ka pohuar dje se Berisha u fsheh përsëri pas gjykatave në deklaratën e tij për të justifikuar mungesën e vullnetit për zgjidhjen e krizës. “Për muaj me radhë, teksa përballej me vendosmërinë e aksionit opozitar për transparencën e zgjedhjeve të 28 Qershorit, Sali Berisha betohej përpara shqiptarëve dhe partnerëve ndërkombëtarë se kishte vullnetin dhe dëshirën për të gjetur një zgjidhje përmes dialogut”,- tha Leskaj, duke shtuar se PS e ka hedhur hapin a parë drejt sigurimit të transparencës mbi 28 Qershorin.
Ky lajm është publikuar: 02/03/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›