Zëdhënësi Leonard Olli: KQZ gati për votimet e së dielës

Të dielën e 31 korrikut, zgjedhjet vendore në 9 komuna të vendit
Zgjedhjet vendore të 2011-ës përfundojnë të dielën e 31 korrikut, me zhvillimin e tyre edhe në 9 komuna të vendit. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve po punon për zhvillimin e zgjedhjeve në 10 njësi vendore në vend këtë të diel. Me përfundimin e tyre KQZ-ja do të përmbyllë procesin zgjedhor të 8 majit, ku do të shpallë të gjitha rezultatet përfundimtare të tyre. Bëhet fjalë për 9 komuna në të disa qarqe të vendit, ku do të përsëriten zgjedhjet për shkak se më 8 maji ose nuk u votua fare, ose sepse më pas procesi u dëmtua dhe gjykata vendosi pavlefshmërinë e tyre.
Fillimisht ka qenë Kolegji Zgjedhor ai që vendosi dje të miratojë aktin e përgatitur nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për shpalljen e pavlefshmërisë së zgjedhjeve edhe në tri komunat e fundit: në Pishaj, Mollas dhe Shllak, ku nuk u votua fare më 8 maji për shkak të ngatërresave me fletët e votimit. Më parë Kolegji kishte vendosur për pavlefshmëri dhe përsëritje të zgjedhjeve edhe në 6 komuna të tjera: Shllak, Papër, Zall Dardh, Armen, Shal dhe Finiq, ku megjithëse më 8 maj u votua, gjatë hetimit administrativ dhe atij gjyqësor u konstatuan shkelje të rënda, që ndikonin në rezultat. Me përmbylljen e procesit gjyqësor Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në mbledhjen e së enjtes vendosi që këto 9 komuna t’i çojë në votime të dielën e 31 korrikut. KQZ-ja njoftoi dje se baza materiale për këto njësi vendore do të dërgohet 48 orë para ditës së votimit, siç parashikohet në procedurat ligjore. Po ashtu KQZ-ja theksoi se kanë përfunduar procedurat teknike për ngritjen e grupeve të punës, grupeve të numërimit, inspektorët e KQZ-së.
Në një prononcim të dhënë dje për mediat zëdhënësi i këtij institucioni Leonard Olli sqaroi se për të zhvilluar zgjedhje të mira nevojitet edhe ndihma e subjekteve zgjedhore. Duke iu referuar problematikave të ditës së votimit, ku në komunën Shllak nuk u paraqitën komisionerët e Partisë Socialiste, Olli theksoi se nuk ka dijeni për ndonjë bojkot të opozitës në këto minivotime, por gjithsesi ai nuk e përjashtoi mundësinë e tij, duke qenë se në mbledhjen e KQZ-së përfaqësuesit e saj nuk janë paraqitur.
Sipas KQZ-së, rezultati zyrtar final do të dalë në çastin që do të mbarojë procesi i votimit dhe shpallja e rezultatit të 10 komunave, por, edhe pse ky rezultat ende nuk ka dalë, 374 njësitë e tjera vendore kanë vijuar punën normalisht, duke përfshirë këtu edhe Bashkinë e Tiranës, e cila fronësoi dy ditë më parë kryebashkiakun e ri Lulzim Bashën.
Të enjten KQZ-ja miratoi dhe një akt me disa pika, ku veç datës së votimit janë përcaktuar dhe disa elemente të tjera të domosdoshme për mbajtjen e zgjedhjeve. Kështu, në total për 9 komunat e mësipërme do të votohet në 102 qendra votimi.
Vulat do të jenë thuajse të njëjta me ato të 8 majit, veçse në to do të shtohet germa “P”, që tregon se janë zgjedhje të përsëritura. Shoqëria që prodhoi fletën e votimit të 8 majit do të bëjë dhe prodhimin e fletëve të reja të votimit, që do të jenë me të njëjtën ngjyrë dhe format si të parat.