E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Kodi Zgjedhor ka nevojë për ndryshime”

28-07-2011 / Gazeta 55

Kryetari i KQZ-së, Arben Ristani

Kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Arben Ristani deklaron se partitë politike duhet të nisin përgatitjet për reformimin e kodit zgjedhor, si një domosdoshmëri imediate për zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Ristani i ka bërë thirrje faktorit politik për rishikimin e kodit, duke theksuar se palët duhet të bien dakord për këto ndryshime. “Aktorët politikë mund të gjejnë dhe forma të ndryshme të menaxhimit të zgjedhjeve. Nuk besoj se shtyllat kryesore të ndryshimit të Kodit Zgjedhor do të jenë ndryshimi i administrimit të zgjedhjeve, por pika të ndryshme të Kodit Zgjedhor. Nuk besoj se çështja kryesore do të përmblidhet tek administrimi i zgjedhjeve”, u shpreh Ristani.
Kreu i KQZ-së, vlerësoi zgjedhjet e 8 majit, duke u shprehur se sasia e ankesave ankimore ka ardhur në rënie nga zgjedhjet në zgjedhje.
“Procesi është më i shpejtë dhe më i lehtë për t’u menaxhuar. Këto zgjedhje treguan se numri i ankesave është më i pakët në krahasim me zgjedhjet e tjera”, përfundoi kreu i KQZ, Arben Ristani.
Partia Demokratike i kërkoi publikisht Partisë Socialiste të pranonte ftesën për bashkëpunim, në kuadër të ngritjes së tryezës për reformën zgjedhore. Por, socialistët ende s’kanë shfaqur sinjale bashkëpunimi, duke mbajtur peng kështu reformimin e Kodit Zgjedhor. Të mendimit se partitë politike duhet të fillojnë punën për reformën elektorale janë edhe ekspertët ligjorë të cilët shprehen se një bashkëpunim i vonuar është kosto për zgjedhjet e ardhshme.
“Reforma zgjedhore duhet të sigurojë një ligj, që të kemi zgjedhje sipas standardeve dhe të nisë sa më parë puna për hartimin e saj. Ata që do hartojnë kodin zgjedhor, duhet të mbajnë përgjegjësi për të. Përcaktimi i kodit është politik dhe ajo duhet që të mbajë përgjegjësi rreth tij. Baza mbetet gjithsesi, vullneti politik, për të hartuar një kod të mirë”, u shpreh dy ditë më parë ish kryetari i KQZ-së, Kristaq Kume.
Të njëjtin qëndrim ka ndarë dhe juristi Çlirim Gjata, kur thotë se reforma elektorale duhet të riparojë ato defekte që u konstatuan në zgjedhjte vendore të 8 majit si numërimi i tejzgjatur dhe emërimet politike në komisionet e administrimit të zgjedhjeve.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›