E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nën hetim lidhjet mafioze të energjisë së erës

Prokurorët antimafia në Sicili kanë hapur hetime të gjera mbi sektorin e energjisë së erës, ku zyrtarët vendës, sipërmarrësit dhe gangsterët dyshohet se janë bashkuar për ndërtimin e mullinjve të erës, një biznes shumë fitimprurës, që zakonisht u shitet kompanive multinacionale pas ndërtimit.

Subvencionimet bujare të Italisë dhe Bashkimit Evropian për pagesën e energjisë së erës me 180 euro për kW të instaluar, e kanë kthyer jugun e Italisë në tregun më tërheqës për energjitë e rinovueshme, vetëm se ky treg po shfrytëzohet edhe nga krimi i organizuar.

Roberto Scarpinato, një prokuror veteran i antimafies në rajonin e Palermos, i tha "Financial Times" se hetimi i tij, i cili filloi javën e kaluar, është përqendruar në tri provinca të mëdha të Sicilisë, në Palermo, Trapani dhe Agrigento. Një hetim i mëparshëm në Trapani, në Sicilinë perëndimore, u mbyll me tetë arrestime në shkurt, gjë që u hapi rrugë akuzave politike për shkëmbim votash dhe parash me leje ndërtimi për mullinj me erë mes mafies dhe politikanëve vendorë.

"Operacioni Era" nxori në pah premtimet e mafies për zyrtarët vendorë në Mazara del Vallo për të paguar lejet e ndërtimit të mullinjve të erës me para dhe vota të mbledhura nga mafia.

Dyshohet se organizata e zbuluar ishte lidhur me bosin në arrati Matteo Messina, i mbiquajturi "Djalli", i cili gjendet në majë të listës së më të kërkuarve në Itali.

Prokurorët dyshojnë se duart e mafies janë në sigurimin e lejeve dhe ndërtimin e mullinjve me erë, të cilat më pas u shiten kompanive italiane apo ndërkombëtare. Dyshohet gjithashtu se mafia ka shkatërruar pajisjet e dy kullave të erës që i përkisnin një konkurrenti dhe që sapo ishin importuar nga Evropa Veriore. Ngjarja ndodhi në Portin e Trapanit dhe zyrtarët mendojnë se kjo përputhet me metodat tradicionale që përdoren nga mafia për të rivendosur kontrollin e tyre mbi territorin.

"Ky është një sistem i rafinuar lidhjesh biznesi me politikën. Një grusht njerëzish kontrollojnë të gjithë sektorin e energjisë së erës. Shumë kompani ekzistojnë, por pas tyre janë po të njëjtët njerëz", tha Scarpinato, hetimi i të cilit përqendrohet në evoluimin e mafies në një organizatë moderne biznesi.

Organizata mafioze Cosa Nostra e Sicilisë po zhvillohet dhe po zbulon fusha të reja biznesi, përfshirë sektorin e energjisë së rinovueshme, po përdor metodat e vjetra të kontrollit të territorit me dhunë, si dhe aftësinë për të siguruar licenca përmes korruptimit dhe kërcënimit të zyrtarëve vendorë.

Shumë parqe eolike të ndërtuara nga kompanitë e dyshuara për lidhje mafioze nuk kanë funksionuar për një apo dy vite, në disa raste për shkak se ishin ndërtuar shumë keq. "Kjo është e tmerrshme, ndërtuesit kanë marrë para publike për të ngritur parqe eolike, të cilat nuk prodhojnë energji elektrike", tha prokurori.

Qeveritë rajonale të Sicilisë, si dhe të Kalabrisë dhe Basilikatës në gadishull, kanë pezulluar autorizimet për parqe të reja eolike, pjesërisht për shkak të dyshimeve për lidhje kriminale dhe paqartësi mbi pronësinë e vërtetë të sipërmarrësve.

Shumica, apo gati të gjitha nga parqet eolike të Sicilisë, filluan si projekte të nisura nga zhvillues vendorë, disa prej të cilëve spekuluan në tregjet dytësore për licenca. Pasi u ndërtuan, shumica e tyre iu shit përmes ndërmjetësve italianë, kompanive multinacionale. "International Power" nga Britania e Madhe është operatori më i madh i energjisë së erës në Itali. Të tjerët janë "Enel" nga Italia dhe "Eon" nga Gjermania, për shkak se kjo e fundit bleu pjesë të kompanisë spanjolle "Endesa" në vitin 2007. EDF e Francës ka gjithashtu asete. Ndërsa kompanitë ndërkombëtare e dinin identitetin e sipërmarrësve sicilianë që i ndërtuan, nuk ka prova që ato të kishin dijeni edhe për lidhjet mafioze.

Meqenëse Italia është shumë larg arritjes së objektivave të emisionit të ndotjeve të vëna nga Bashkimi Evropian, sektori i energjisë së rinovueshme po rritet me shpejtësi, duke tërhequr edhe investime të huaja. "International Power" u bë operatori më i madh i Italisë në 2007-ën, pasi bleu shumë parqe eolike, përfshirë edhe pesë të tilla në Sicili për 1.8 miliardë euro. Italia është e katërta mes vendeve evropiane për kapacitetin e instaluar të energjisë së erës.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›