E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të verbrit dhunohen para Kryeministrisë

Dhjetëra të verbër janë grumbulluar paraditen e djeshme përpara selisë së Kryeministrisë, por janë përballur me dhunën e ushtruar nga një person që, sipas drejtuesve të Shoqatës së të Verbërve, ka hyrë më pas në oborrin e Këshillit të Ministrave si të ishte në shtëpinë e tij. Në një protestë paqësore, të verbrit, të vetëlidhur me litar në mënyrë simbolike, kanë përsëritur kërkesat e tyre drejtuar qeverisë, si dhe i janë drejtuar Kryeministrit Sali Berisha që t‘i presë në një takim e t‘i dëgjojë për hallet që kanë. Ndërkohë që janë përballur me dhunën e ushtruar ndaj tyre. Një 50-vjeçare e verbër është tërhequr zvarrë prej një personi, që sipas versionit të Ministrisë së Brendshme quhet Pëllumb Borshi. Këto autoritete bëjnë të ditur se ai është një biznesmen furrash dhe uniformat blu e kanë shoqëruar mesditën e djeshme në polici. Por, emri i këtij personi nuk figuron në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit të Bizneseve, duke ngritur kështu pikëpyetje të tjera.

Ministria e Brendshme, në reagimin e bërë dje mbi këtë situatë, ka deklaruar më tej se "personi, i cili paraqitet në një media televizive si autor i një incidenti me një qytetare të Shoqatës së të Verbërve përpara godinës së Kryeministrisë, nuk është personel i Gardës së Republikës dhe as i strukturave të Policisë së Shtetit". Ky sqarim erdhi menjëherë pas dyshimeve se autori i sherrit ishte efektiv i gardës. Këto dyshime u ngritën për shkak të lehtësisë me të cilën hyri në godinën e Kryeministrisë nga porta kryesore autori i dhunës së ushtruar. Kjo, në një kohë kur dihet se nga kjo hyrje, që mbrohet nga Garda, ndalohet rreptësisht kalimi i vizitorëve. "Nisur nga akti i tij ndaj një qytetareje, strukturat e policisë po kryejnë verifikimet dhe sqarimet përkatëse", pohojnë më tej në qëndrimin e tyre përfaqësuesit e Ministrisë së Brendshme.

Lidhur me këtë akt dhune ndaj të verbërve në dyert e qeverisë "Berisha", ka reaguar edhe kreu i PS-së, Edi Rama. "E fillova ditën në minierën e Bulqizës, ku pashë hallin e madh, të pazgjidhur e të paqarë të atyre skllevërve të shekullit të ri në mes të Evropës. Tani dal përpara jush, në këtë pasdite, për të shprehur indinjatën time, për atë që ndodhi me të verbrit përpara Kryeministrisë", tha Rama. "Kjo qeveri, e paaftë për të zgjidhur hallet e njerëzve në nevojë, dhe njëkohësisht e pandjeshme për t‘i qarë këto halle, së paku duke u njohur atyre njerëzve dinjitetin, është shëmbëlltyra e fundit e një politike të vjetër", theksoi Rama. Ai shtoi se kjo është qeveri e një politike të vjetër, pa zemër për të ndjerë problemet e njerëzve, pa veshë për të dëgjuar hallet dhe shqetësimet e tyre dhe pa sy për të parë se në çfarë gjendje ata përpëliten.

Pas kësaj ngjarjeje, një përfaqësi e Shoqatës së të Verbërve, e kryesuar nga kryetari Sinan Tafaj, u prit në takim nga ministri i ri i Punës, Viktor Gumi. Në një qëndrim zyrtar të kësaj ministrie konfirmohet se ministri Gumi dëgjoi kërkesat e tyre të fokusuara në identifikimin dhe dënimin e personave, që sipas Tafajt, ushtruan dhunë ndaj të verbërve të tubuar përpara selisë së Këshillit të Ministrave dhe rezervimin e një takimi me Kryeministrin e vendit, Sali Berisha. Ministri Gumi e ka garantuar përfaqësinë se kërkesat e tyre do t‘ia përcjellë institucioneve përkatëse dhe shprehu bindjen se nëse do të konstatoheshin shkelje ligjore nga ana e punonjësve të shtetit, ata do të viheshin përpara përgjegjësisë dhe ndaj tyre do të merreshin masa administrative.

Kërkesat e protestave të përsëritura të të verbërve shqiptarë lidhen me gabimin e bërë në llogaritjen e pagesës së paaftësisë për ta, në hartimin e fletëve të votimit të posaçme për këtë kategori, si dhe përjashtimin nga taksat, ku si më absurdja konsiderohet ajo për TVSH-në.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›