E Diel, 1 Nëntor 2026

“Nëndetëset pa vlerë për skrap, u janë marrë të gjitha metalet e shtrenjta”



Ferdinand Dervishi

Fatosh Voshtina, ish- drejtori i ndërtimit e riparimit të anijeve të Flotës Luftarako-Detare, në këtë pjesë të tretë të intervistës, rrëfen për fatin e katër nëndetëseve të dhuruara nga sovjetikët, deri në ditët e sotme. Mes të tjerave, ish-oficeri tregon vështirësitë që lindën për mirëmbajtjen e tyre pas largimit të sovjetikëve, bashkëpunimin me specialistët kinezë dhe faktin se si u arrit që edhe për rreth 30 vjet të tjera, nëndetëset të ishin në gjendje të plotë pune. Voshtina, ka ndjekur gjithashtu edhe fatin e mëtejmë të nëndetëseve, pas ndryshimeve politike të viteve 1990. Por edhe përpjekjet për t'i shitur për një copë bukë nga njerëz të papërgjegjshëm, një pjesë e të cilëve e kanë pasur synimin te përfitimi. Sipas Voshitnës, dikur dy biznesmenë vlonjatë, që kishin fituar tenderin e marrjes së tyre për skrap, morën nga brendësie e nëndetëseve të gjitha pjesët e përbëra nga metale të shtrenjta. Sipas të njëjtit, ende qeveritarët nuk e kanë kuptuar, apo nuk janë kthyer të kuptojnë, se sa fitimprurësve do të ishte për turizmin, nëse dy nga nëndetëset do të shërbenin si objekte muzeale.
Zoti Voshtina, pasi sovjetikët ikën, apo i përzumë, si arritët t'i mbanin në gjendje pune nëndetëset?
Mbajtja e nëndetëseve për ne ishte një kockë e fortë, që nuk e përballonim dot. Madje ajo ishte e vështirë edhe për dhëmballët sovjetike, sepse shpenzimet për mbajtjen e nëndetëseve janë kolosale. Deri në atë kohë, ne ishin furnizuar nga sovjetikët sipas marrëveshjeve, qoftë për pjesë ndërrimi, karburant, dhe materiale të tjera të mirëmbajtjes. Kështu, me ardhjen e nëndetëseve, veç rezervës 1 vjeçare që e mbanin në nëndetëse, erdhën edhe rezerva 3 vjeçare për të katër nëndetëset tona që i mbanim në një depo të veçantë në breg. Sovjetikët, rezervat e tetë nëndetëseve (tre vjeçare), i mbajtën në bazën e tyre lundruese "Kotelnikov". Por meqë kjo qëndronte në det të hapur, uji i kripur i rrezikonte këto materiale. Kështu që ata kërkuan që ne të ndërtonim një depo tjetër në bazë, që të sillnin këto materiale në breg. Kështu u bë. E rrëfej këtë moment për të treguar edhe një tjetër dredhi tonën. Sepse kur sovjetikët do të iknin, kryeinxhinieri i tyre, që ishte miku im, që kishin ngrënë e pirë bashkë, m'u drejtua për të marrë 8 kompletet e nëndetëseve të tyre. Ndërsa unë luajta rolin e budallait: "I dashur, ne nuk kemi asgjë, veç pjesëve rezervë të nëndetëseve tona". Mirë, thotë marrim dokumentacionin dhe nëse janë më shumë se për 4, do na i jepni. I them: "Nuk keni përse vini në depot tona". Më shau: "Bukëshkal! S'e kisha menduar kurrë se qenke edhe ti i tillë". "Faleminderit, nuk po të përgjigjem me të njëjtën monedhë, se nuk ma lejon edukata", iu përgjigja me kujdes edhe pse në thellësi, ndërgjegjja më vriste për këtë sjellje. Po ja që e donte puna që ne t'i kishim ato materiale. Pasi sovjetët ikën, në gusht 1961, në bazë erdhi udhëheqja më e lartë e Partisë dhe Shtetit, Enver Hoxha, Mehmet Shehu, Hysni Kapo, Beqir Balluku, etj. Më këtë rast u bë një demonstrim i forcave detare shqiptare, ku morën pjesë nëndetëset, të katërta, dragaminat e bazës, gjuajtësit detarë, etj, duke demonstruar edhe lëshime silurësh, hedhje e plasje minash detare, etj. Udhëheqja ngeli jashtëzakonisht e kënaqur për këtë demonstrim. Pra, ne e treguam se u kishim marrë sovjetëve jo vetëm anijet e nëndetëset, por edhe zanatin.
Mirë me nëndetëset, po me mjetet e tjera ndihmëse të tyre si ia bëre?
Dokimin e nëndetëseve e bënim në Pasha-Liman, sepse para se të vinin nëndetëset kishte ardhur edhe një dok lundrues kryesisht për këtë qëllim. Ndërsa për bazën lundruese, në shkurt 1963 u nisëm për në Trieste të Italisë, duke i bërë dokumentacionin si anije mallrash. Megjithatë ne kishim marrë edhe armatim me vete, kallashnikovë e mitraloza të lehtë, se mos na dilnin rrugës sovjetikët dhe na merrnin anijen. Kaluam mirë e bukur. Dokimin e kryem në Muxhia, kantier i ndërtuar që në kohën e austriakëve. Drejtori i kantierit, më kërkoi mua, që isha përgjegjës për anën teknike, që t'i bënte një vizitë anijes. E lejova. Erdhi, u mahnit nga kjo anije, e cila ishte ndërtuar në vitin 1956 në Rostok të R. D. Gjermane, e pajisur me fjalën e fundit të teknikës, ashtu siç dinë të ndërtojnë gjermanët. Përshtypje i bëri ofiçina e anijes, me freza, torno etj, që duheshin për riparime gjatë lundrimit. Por kur u fut, pa fotografinë e Stalinit: "Po këtë ç'e keni?" "është Josif Stalini", iu përgjigjëm. "Ky, më 1945, lejoi trupat jugosllave të futeshin në Trieste. I kthyen kinematë tona në stalla kuajsh", na tha. Kujtoj se paguam për dokimin rreth 10 mijë USD. Më pas, rreth vitit 1965, anija i kaloi Flotës Tregtare Shqiptare, duke marrë emrin "Dajti". Në vitin 1964, pasi një delegacion i madh i Forcave tona të Armatosura, që e drejtonte Gjeneral-Kolonel Beqir Balluku, në të cilin unë përfaqësoja Flotën, shkoi për vizitë në Kinë. Aty u ra dakord, që në Pasha Liman të ndërtohet kantieri i riparimit të anijeve dhe në të njëjtën kohë pala kineze të bënte, bashkërisht me ne, riparimin e 4 nëndetëseve. Për të dy këto probleme, drejtor i ardhshëm dhe drejtues i riparimit u caktova unë. Admirali Abdi Mati më ndihmoi, duke sjellë kuadro të përgatitur nga Flota. Kinezët sollën 127 specialistë riparues për të gjithë teknikën dhe armatimin që ka nëndetësja. Këta u akomoduan në ndërtesat dykatëshe, që dikur shërbenin për ekuipazhet tona të nëndetëseve. U bë plani dhe nisi puna për riparimin.
Ka pasur zëra se sovjetikët i kishin sabotuar nëndetëset. Si është e vërteta?
Nga viti 1965 deri më 1969, kur u çmontuan nëndetëset, në dy prej tyre ne diktuam, në trupin kryesor, në pjesën e poshtme, dy vrima me diametër afërsisht 20 mm dhe thellësi rreth 10 mm. Pra, vrimat kishin depërtuar në gjysmën e trashësisë së çelikut special të nëndetëseve. Vrimat ishin afërsisht në të njëjtin vend në të dyja nëndetëset. U bënë diskutime, pati mendime se mos këto ishin bërë nga sovjetikët, pra u hipotezua një sabotim. Shumë nga ne, përfshirë edhe mua, nuk besonim në këtë version, por besonim se gërryerjet ishin nga veprimi i acideve, që me kalimin e viteve mund të bënin dëmtonin metalit në këto përmasa që konstatuam.
është hipotezuar edhe për një incident, po të shkaktuar për shkak të sabotimit të sovjetikëve, ku vdiqën marinarë tanët, nga një shpërthim zjarri. Po kjo qëndron?
Jo. Nuk është kështu. Kjo ka ndodhur gjatë riparimit të parë të nëndetëseve, në të fundit prej tyre, kur pas provave në gjirin e Vlorës, mjeti u kthye në bazë. Punë e parë, që bëhet pas kthimit në bazë, bëhet karikimi i baterive. Karikimi shoqërohet me nxjerrjen e hidrogjenit të lirë nga elektroliti me të cilin janë të mbushura bateritë. Këto kanë qenë shumë të mëdha, një metër të larta dhe peshonin 600 kg., secila. Hidrogjeni, duke qenë i lirë, hyn nëpër skuta. Në nëndetëse përqindja e tij, që matet me aparatura nuk duhet të kalonte 4 për qind të përbërjes së ajrit. Në të kundërtën, ai qoftë edhe për shkak të një shkëndije të vogël, bashkohet me oksigjenin dhe krijon gaz shpërthyes, që jep flakë si të rrufesë. Këtë, në Bashkimin Sovjetik, na e demonstronin në shkollë, në laboratorë. Për fat të keq, nga pakujdesia e personelit të shërbimit, kaloi kjo përqindje dhe menjëherë ndodhi një shpërthim. Tre marinarë që pushonin, vdiqën, ndërsa tre të tjerë u dogjën rëndë, por fatmirësisht mbijetuan. Nga shpërthimi i shkrumbuan plotësisht edhe dy lokale të mjetit. Ky ka qenë incidenti më i rëndë që na ka ndodhur.
çfarë ndihme dhanë kinezët për mirëmbajtjen e nëndetëseve?
Me kalimin e viteve nëndetëset vazhdonin punën. Pas 1970 u bë edhe një riparim i dytë i nëndetëseve, po me grup kinez. Të cilët, si herën e parë, dhe këtë radhë sollën me vete pjesët e ndërrimit e të tjera.
Nëndetëset, deri në vitin 1990, vazhdonin të lundronin, por me probleme. Pra që nga ikja e sovjetikëve, u bënë gjithsej dy remonte të plota. Nxirrnim gjithçka nga nëndetësja, ajo mbetej praktikisht bosh. Pas prishjes me kinezët, Komanda e Flotës, bëri një studim për nëndetëset. U mendua që nga katër, të mbaheshin vetëm dy, duke seleksionuar më të mirat e duke i kompletuar me materialet e dy të tjerave. Sepse s'kishim nga t'i merrnim dhe për më keq, pjesët ishin shumë të kushtueshme në një kohë që vendi ishte trokë. Nuk u miratua. Kështu që mbetën si janë. Me ardhjen e demokracisë, nuk u mor asnjë masë për mirëmbajtjen.
çfarë ndodhi me nëndetëset në vitin 1997? U plaçkitën?
Jo, nuk u dëmtuan. Më 1997 u sulmua baza e riparimit të Pasha-Limanit, që u plaçkit dhe u shkatërrua. Jo nëndetëset. Po kështu ndodhi edhe me bazën detare të Sarandës, me bazën detare të Durrësit (në Bishtin e Pallës) dhe me bazën detare të Shëngjinit, ku pak a shumë u plaçkitën, u mbytën anije, përfshirë gjuajtës detarë, katër silurues, etj. Në vitin 1998, kur Ministër i Mbrojtjes ishte Luan Hajdaraga, propozohet që këto nëndetëse të dalin jashtë gatishmërisë dhe të hiqen nga inventari i Flotës, bashkë me një seri anijesh të tjera, përfshirë edhe ato që ishin mbytur. Një propozim që Kryeministri Pandeli Majko, me vendim të Këshillit të Ministrave, me numër: 828, të datës 30.12.1998, e miraton. Pikërisht në këtë kohë nëndetëset, automatikisht futen në kontratën që MEICO kishte lidhur me një firmë greke për shitjen e 30 mijë tonëve skrap. Firma greke, pasi i pa nëndetëset, nuk pranoi t'i merrte, duke bërë llogari se nuk ja vlente barra qiranë. Pra, të merreshe me nëndetëset, kishte më shumë shpenzime se sa fitim. Pesha e secilës në ankand u vlerësua 650 tonë, që nuk i përgjigjet realitetit, pasi është të paktën rreth 300 ton më shumë. Grekët u përqendruan te tanket, që ishin llokma të padiskutueshme, pa kocka, pasi peshonte 36 ton çdonjëri. Tanket tona ishin fare të rinj, të padalë, të mbajtur në tunele në gjendje gatishmërie, për arsye se çdo brigadë kishte vetëm nga tri tanke në dispozicion, për të stërvitur tankistët e rinj.
Pasi grekët nuk i morën, si shkoi fati i tyre?
Pasi grekët nuk i morën, MEICO hapi sërish një tender për skrapin e nëndetëseve. Këtë radhë i morën dy biznesmenë vlonjatë, të cilët ishin të informuar shumë mirë se çfarë kishin nëndetëset brenda, nga persona që i njihnin. Sipas ligjit, ata derdhën 10 për qind të vlerës së tenderit në arkën e MEICO-s dhe menjëherë nisën nga puna duke shfrytëzuar edhe njerëz që punonin në kantierin e riparimit të anijeve. Ata çmontuan të gjitha sistemet që ishin të përbërë nga metale bakri, bronzi dhe bimetali (çelik i veshur nga jashtë me bakër apo bronz). Sistemi i komunikimit, ai i ajrit, ai i presionit të lartë, sistemi i vajit, i ujit të kripur etj, që përbëheshin nga këto lloj metalesh, u bënë skrap e shkuan për llogari të tyre. Kjo ishte puna më lehtë, më pak e kushtueshme dhe me më shumë fitim nga skrapi. Kur përfunduan këtë zhveshje të pjesëve të brendshme, dy biznesmenët mendohet se kanë përfituar disa herë më shumë sesa 10 përqindëshi i derdhur në arkën e MEICO-s. Më pas të dy biznesmenët u tërhoqën.
Ka pasur një ide në kohën që Kryeministër ishte Fatos Nano, që një nga nëndetëset të kthehej në muze. Pse nuk funksionoi?
Më pas, në vitin 2002, kur Kryeministër ishte Fatos Nano, u anulua vendimi i Majkos, dhe me vendimin numër 444, të datës 26.09.2002, u urdhërua që dy nëndetëse të liheshin për muzeun detar të Flotës Luftarako-Detare. Ne të shoqatës "Bijtë e detit" bëmë një studim për këtë projekt dhe paralel me ne punoi edhe një oficer i Flotës Tregtare, kapiten Luan Shabani, i cili bëri llogaritë dhe mendoi për pikat e vendosjes së tyre, që përkonin me mendimin tonë. Ato duhet të vendoseshin në Vlorë, në shkollën e përgatitjes së detarëve. U bë edhe vizibiliteti i këtij projekti që iu dorëzua Majkos. Ndërsa ky njoftoi se ia kishte kaluar Institutit të Projektimeve Ushtarake në Tiranë për ta parë dhe dhënë mendim. Kjo u zvarrit dhe sot e kësaj dite nuk është dhënë përgjigje, me gjithë kërkesat që kemi bërë. Me ardhjen në pushtet të Partisë Demokratike, Ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, më priti në takim. Më priti shpejt, pimë edhe kafe i shtrova çfarë mendojmë, por edhe ky nuk e zgjidhi problemin. Në vitin 2007, Banka Botërore për të mbështetur peshkimin shqiptar dhe jo vetëm, organizoi një studim, ku morëm pjesë edhe ne të shoqatës detare "Bijtë e Detit". Ne bëmë gati një projekt, sipas të cilit dy nga nëndetëset të zhyteshin në dy pika, nga Vlora deri në Sarandë, për të shërbyer si destinacione turistike. Pra, me ndihmën e zhytësve profesionistë, turistët të futeshin në brendësi të nëndetëseve të vendosura jo në thellësi të madhe. Ndërkohë ne kishim të dhëna se në Maltë, pra në Mesdhe, ishte arritur që me një nëndetëse të vetme, të fundosur sipas projektit tonë, të ishte realizuar turizëm atraktiv për evropianët. Këtu kishin mbërritur punët para daljes së këtij vendimi të fundit të Qeverisë Berisha për shitjen për skrap të dy prej nëndetëseve. Kjo papërgjegjshmëri e hallakatur ndër vite i jep fund lavdisë së kësaj arme të fuqishme e të vështirë, duke mos menduar për historinë e Flotës Luftarako-Detare e duke shuar memorien historike të shqiptarëve. Unë e them me kompetencë, duke e njohur mirë nëndetësen dhe riparimin e saj, se sado vendime të dalin, ato nëndetëse nuk i prek njeri me dorë, sepse nuk vlejnë shpenzimet për marrjen e skrapit të tyre. Ato kërkojnë mjet dokimi, pasi nuk mund të preken në ujë. Sepse mbyten në vend. Kërkojnë pajisje ngritjeje dhe aparatura prerjeje shumë të fuqishme. Kemi të bëjmë me një trashësi të pazakontë çeliku special, që brenda ka edhe goxha elementë fortësie. Kështu që unë mendoj se vetëm në rast se atyre do u vihej çmimi 1 euro, mund të ketë interes. Nga ana tjetër, ne specialistët e riparimit të tyre, jemi gati të japim kontribut modest për realizimin e muzeut të Flotës Luftarako-Detare.
Pse thuhet se një nga katër nëndetëset është mbytur?
Para pak kohe, në fund të vitit të shkuar, Komanda e Flotës, për të liruar bankinën kryesore në bazën e Pasha-Limanit, vendosi të bënte lëvizjen e nëndetëseve brenda bazës, për në bankinën e mjeteve ndihmëse. Por nëndetësja, e tërhequr nga një anije, nuk arriti deri në këtë bankinë, që nuk është më shumë se 150 metër nga bankina kryesore. Ajo u përmbys në mes të rrugës duke rënë në brinjë. Një pjesë është mbi sipërfaqe, ndërkohë që trupi ka prekur tokën. Lëvizje të tjera nuk janë realizuar.
Kjo është historia e ardhjes dhe përfundimit të nëndetëseve sovjetike. Që prej 40 vjet, oficerët, nënoficerët dhe detarët tanë i mbajtën gjallë dhe të paprekura. Fotografinë ku unë kam dalë me dy shokët para nëndetëseve, Petrit Myftiu, Kapiteni i Rangut të Parë, më 1999 ja dërgoi në Moskë ish-komandantit sovjetik në nëndetësen tonë, Komarov. Rusi, në bisedën telefonike i thotë: "Petrit, ato janë nëndetëset që kemi lundruar bashkë?" "Po", i përgjigjet Petriti. "Ju lumtë, paskeni qenë heronj", i përgjigjet ish-kolegu sovjetik. Pra, rusët nuk e kishin bërë asnjëherë llogari që ne do i vinim në punë dhe do i mirëmbanim nëndetëset pas largimit të tyre më 1961.

Anijet që falën sovjetikët

Veç katër nëndetëseve dhe bazës lundruese "Tomorri", sovjetikët sollën në Vlorë një numër të konsiderueshëm anijesh të tjera ndihmëse. Ata sollën një anije që karikonte bateritë, një anije çmagnetizuese, (që nëndetësja të mos tërhiqte mina të magnetizuara), një anije silur kapëse, (që kapte silurët që lëshoheshin në qitje stërvitore, se ishin të shtrenjtë), një anije polumbare, një katër rade, një anije frigorifer (për ushqimet), një anije çisternë për ujë (në Pasha-Liman s'kishte ujë). Ndërsa gjashtë anije të tjera, dy rimorkiatorë, një çisternë karburanti 600 tonësh, të emërtuar "Patosi", një çisternë uji për furnizimin e Sazanit, një anije transporti të vogël, për njerëz e mallra dhe një katër rade, ishin në përbërje të Flotës, të destinuara kryesisht për Sazanin. Pra, në kuadër të marrëveshjes erdhën gjithsej 13 anije, dy të fundit të mbërritura më 20 maj 1958 dhe të marra në dorëzim nga Fatosh Voshtina.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›