Topi dekreton 20 shkurtin, Ditën e Kujtesës
Presidenti Bamir Topi dekreton ligjin për simbolet e përkujtimit të viktimave dhe të krimeve të komunizmit në Shqipëri. Zyra e shtypit e kreut të shtetit bëri të ditur dje në mesditë se Topi ka hedhur firmën mbi ligjin e miratuar në Qeveri pak kohë më parë. Ky ligj përcakton 20 shkurtin, datën e rrëzimit të bustit të Enver Hoxhës, si ditë të përkujtimit të viktimave dhe krimet e komunizmit. Por një javë para se Presidenti të vendoste nëse do të firmoste ligjin, përfaqësues të shtresës së ish-të përndjekurve politikë, drejtues të sindikatave të pavarura, përfaqësues të shoqërisë civile, i dërguan një letër ku i kërkonin që këtë draft të Qeverisë të mos e dekretonte. Në letrën e hapur publike drejtuar kreut të shtetit, përfaqësuesit e sindikatave dhe shtresës së ish-të përndjekurve politikë propozojnë që, emërtimi i mundshëm i datës 20 shkurt të jetë "Dita e shembjes së diktaturës komuniste dhe e nderimit të viktimave të regjimit komunist". "Kërkojmë që ky projektligj të rishqyrtohet përsëri nga organet përkatëse shtetërore, duke marrë parasysh kërkesat e popullit tonë, që ishte protagonisti kryesor i kësaj dite, i udhëhequr nga sindikatat e pavarura dhe shtresa e ish-të përndjekurve politikë, dhe jo nga parti politike. I takon popullit shqiptar si fitimtar, të caktojë vetë emërtimin e kësaj dite me rëndësi kombëtare dhe jo nga individë dhe parti politike, sepse do të ishte gabim i madh historik, politik, kombëtar dhe i pluralizmit, që brezat e ardhshëm do ta korrigjojnë", thuhej në deklaratën e tyre për mediat. Këtë shqetësim, shtresat e të përndjekurve politikë ia shprehën kreut të shtetit edhe gjatë një takimi në Presidencë, një ditë më vonë. Ndërkohë zyra e shtypit e kreut të shtetit bëri të ditur dje se Topi ka hedhur firmën edhe mbi tre projektligje të tjera, të miratuara në Parlament gjatë muajit shkurt. Kështu Presidenti ka dekretuar shpalljen e ligjit për "Për krijimin e fondit special të kompensimit të pronave", disa ndryshime në "për inspektimin e ndërtimit" dhe ngritjen e institutit të studimit për krimet dhe pasojat e komunizmit në Shqipëri.
Ligjet e dekretuara
Shpallja e ligjit nr. 10 239, datë 25.02.2010 "Për krijimin e fondit special të kompensimit të pronave".
Shpalljen e ligjit nr. 10 240, datë 25.02.2010 "Për disa shtesa në ligjin nr. 9780, datë 16.07.2007 "Për inspektimin e ndërtimit".
Shpallja e ligjit nr. 10 241, datë 25.02.2010 "Për simbolet e përkujtimit të viktimave dhe të krimeve të komunizmit në Shqipëri".
Shpallja e ligjit nr. 10 242 datë 25.02.2010 "Për Institutin e Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit në Shqipëri".