PD-PS larg kompromisit në Kuvend, replikat mes Finos, Berishës dhe Ruçit
BLEDAR HOTI
Maxhoranca dhe opozita pas mbi nëntë orë debati, që zgjati deri në orët e para të ditës së sotme, nuk arriti në një konsensus për hetimin e zgjedhjeve të 28 qershorit 2009. Diskutimet e tejzgjatura të deputetëve socialistë dhe demokratë nuk dhanë asnjë sinjal për arritjen e një kompromisi politik, duke shkelur dhe ultimatumin e dhënë nga komisionari për zgjerim në BE, Fule, për gjetjen e zgjidhjes përpara vizitës së tij zyrtare në Tiranë. Ndërsa nuk munguan akuzat e ndërsjellta ndërmjet palëve në lidhje me zgjedhjet. Diskutimet e shumta, ku në listë ishin 66 deputetë të PD-së dhe 53 të PS-së, bënë që seanca maratonë të vazhdojë në ditën e sotme. Kryeministri Berisha ka qenë më aktivi në këtë seancë, duke replikuar disa herë me deputetët e PS-së. Përplasja më e fundit ishte ajo ndërmjet Kryeministrit dhe kreut të grupit të PS-së, Gramoz Ruçi. Përfaqësuesi i socialistëve akuzoi drejtpërdrejt Berishën për vjedhjen e zgjedhjeve. Ndërsa Berisha iu kundërpërgjigj se nuk mund të akuzosh pa fakte komisionerët që u angazhuan në zgjedhjet e 28 qershorit. Përfaqësuesi i maxhorancës bëri një ofertë të re ndaj opozitës, duke propozuar që shtojë numrin e prokurorëve, me anë të ndryshimeve ligjore duke rritur deri në 100, me qëllim hetimin e zgjedhjeve parlamentare. Berisha tha se nuk mund të pajtohet me akuzat e socialistëve për kërcënime dhe burgosje të komisionerëve pa fakte. “Më duhet të shpreh keqardhjen sepse në këtë seancë po spikasin traditat më të zeza të Partisë së Punës së Shqipërisë dhe po paraqesin opozitën si parti të armikut të brendshëm, si parti të persekucionit. Nuk mund të pajtohem me kërcënimet për burgosje dhe arrestime të komisionerëve tuaj, pa pasur qoftë dhe një fakt. Nuk mund të pajtohet, të vidhni vrerë ndaj tyre nga ata të cilët lanë çdo natë para droge më shumë seç janë shpërblyer të gjithë ata të gjithë së bashku për procesin zgjedhor në kazino. Nuk mund të pajtohet. Na nxirrni cili komisioner i juaj tradhtoi, thojani emrin këtu, apo fantazma e armikut të brendshëm qarkullon nëpër labirintet e partisë tuaj. Humbet zgjedhjet dhe tani merreni me njerëzit e thjeshtë, nxirrni emrin e një komisioneri, jo kartat e bixhozit që përdorni te Tajvani”, tha gjatë fjalës së tij Kryeministri. Kreu i maxhorancës u shpreh se humbja ndodh në politikë dhe ftoi opozitën në arritjen e një marrëveshjeje. “Humbja është një ndodhi e pashmangshme në politike. Të bëjmë një marrëveshje dhe mos përmendni komisionerët tuaj”, deklaroi Berisha. Ruçi nga ana e tij deklaroi se “pesë herë ka folur Kryeministri, duke bërë përpjekje për të devijuar diskutimin, për të kompromentuar këtë diskutim, për ta banalizuar këtë debat, për të bërë diversion brenda opozitës. Nëse doni emrin e komisionarit ka vetëm një hajdut, njehsimi i pushtetit me shtetin, me në krye ty. Ne të akuzojmë drejtpërdrejt ty në krye të pushtetit që ke vjedhur votat. Bëjë transparencën, nxirri fletët jashtë nëse je i pastër. Vetëm ti je hajdut për ne, asnjë komisioner socialistë! Ne kemi akuzë të drejtpërdrejte. Nuk kemi akuzë për komisionierë. Ndërpriteni këtë demagogji, këtë diversion, këtë shantazh, këtë mungesë dinjiteti”, replikoi Ruçi. Ai theksoi se sot është një ditë e madhe për politikanët shqiptarë dhe presin lajme veçanërisht nga Kryeministri. “Ne jemi shumë seriozë, kemi ardhur me argumente politikë, kurse ju po improvizoni diskutime”, tha Ruçi. Kreu i grupit të PS-së kërkoi ndërprerjen e debatit, që të mos zgjaste pafundësisht, pasi ora e vonë nuk lejonte që të dëgjoheshin nga vetë publiku. Seanca e pasdites së djeshme u mbyll sot në orën 01.30. Pas propozimit të Ruçit, seanca do të rifillojë sot në ora 09.00.
Berisha
“Nuk mund të pajtohet, të vidhni vrerë ndaj tyre nga ata të cilët lanë çdo natë para droge, më shumë seç janë shpërblyer të gjithë ata të gjithë së bashku për procesin zgjedhor në kazino. Nuk mund të pajtohet. Na nxirrni cili komisioner i juaj tradhtoi, thojani emrin këtu, apo fantazma e armikut të brendshëm qarkullon nëpër labirintet e partisë tuaj. Humbet zgjedhjet dhe tani merreni me njerëzit e thjeshtë, nxirrni emrin e një komisioneri, jo kartat e bixhozit që përdorni te Tajvani”.
Ruçi
“Nëse doni emrin e komisionerit ka vetëm një hajdut, njehsimi i pushtetit me shtetin, me në krye ty. Ne të akuzojmë drejtpërdrejtë ty në krye të pushtetit që ke vjedhur votat. Bëjë transparencën, nxirri fletët jashtë nëse je i pastër. Vetëm ti je hajdut për ne, asnjë komisionerë socialistë! Ne kemi akuzë të drejtpërdrejte. Nuk kemi akuzë për komisionierë. Ndërpriteni këtë demagogji, këtë diversion, këtë shantazh, këtë mungesë dinjiteti
Berisha-Fino, replika për ‘97
Aristir Lumezi
Kryeministri Berisha dhe ish-kryeministri socialist Bashkim Fino shkëmbyen replika të ashpra dje në Kuvend. Fino dhe Berisha gjatë replikave të tyre kanë sjellë në vëmendje periudhën e ‘97 dhe pozicionet historike kur kanë bashkëpunuar mes tyre, njëri si kryeministër i Qeverisë së Pajtimit Kombëtar dhe Berisha si President i vendit. Kryeministri në replikë me Finon i tha se pushtetin në ‘97 ia dha vetë socialistëve. “Mos u tregoni budallenj, pushtetin ua dhashë unë, nuk e merrnit kurrë ju pushtetin mor. Ku merrnin bandat pushtet mor? Po ça kujtuat ju, unë bëra një zgjidhje politike? Po çfarë u kisha unë ju mor? Në qoftë se u rren mendja për ‘97, provojeni ‘97. Ne po ofrojmë zgjidhje këtu. Po nëse u gënjen mendja te ‘97 dilni provojeni që nesër, muhabete janë këto?”, u shpreh Berisha. Gjatë fjalës së tij, Fino i kërkoi kreut të maxhorancës të reflektojë dhe të pranojë kërkesën e PS për hetimin e zgjedhjeve dhe të mos bëjë gabimet e së kaluarës, ndërsa i kujtoi se e ka ndihmuar në ditët e vështira të ‘97. “Por mua më vjen keq, sepse vërtet në ato ditë të vështira të kam ndihmuar dhe e kam ndjerë si për Presidentin e vendit tim edhe t’i ishe në kushte shumë të vështira që është e vërtetë edhe kur qaje e të mbante kokën Spartak Ngjela, por të kam ndihmuar edhe ministrat e tu që ke sot këtu mbrapa, nga Pollo, Imami, Ruli e me shokë dhe kam bërë prapë mirë zoti Kryeministër dhe s’kam gjuhën e urrejtjes por të bashkimit kombëtar”, u shpreh Fino. Deputeti socialist i bëri thirrje Berishës të ndryshojë qëndrim, ndryshe do ta largojë populli. “Ka një mënyrë që të shpëtosh nga ankthi që të ka zënë, shpëto nga vetvetja zoti Berisha. Nëse nuk e bën dot vetë, jam i bindur se populli do ta bëjë edhe për ty”, u shpreh Fino. Ai akuzoi kryeministrin se me qëndrimet dhe politikën që ndjek po përhap urrejtje ndër shqiptarë. “Në këto 20 vjet zoti Kryeministër ju jeni një politikan që natyrisht ngjallni dhe fanatizmin e madh të ndjekësve tuaj, por edhe urrejtjen e madhe kudo në Shqipëri. Kjo është më e keqja për një vend që ka 20 vjet në liri dhe nuk arrin dot të normalizohet në të jetuarin e politikës, të cilën ju e keni kthyer në një arenë lufte e përplasje të shqiptarëve, duke mos e lënë kurrë të bëhet një hapësirë ku ballafaqohen programet, idetë alternativat dhe njerëzit të sillen sërish si njerëz”, u shpreh Fino.
Berisha
Pas Finos, kryeministri Berisha replikoi duke e cilësuar të gabuar fjalën e tij dhe me mesazhe të gabuara. “Fillove të flasësh për urrejtje dhe fanatizëm. Urrejtja dhe fanatizmi janë në genin tënd ideologjik. Përmende Enver hoxhën, ke genet e tij, më vjen keq që të flas në këtë mënyrë. Për ato që kam bërë unë që përmende, jam krenar në gjithë jetën time. Kam një krenari të madhe dhe është një nga trashëgimitë e mëdha të miat. Atë që pësoi komunizmi shqiptar nga Sali Berisha dhe ata që bashkëpunuan ajo mbetet një nga veprimet më të goditura të Sali Berishës dhe partisë së tij”, u shpreh Berisha. Kryeministri i kujtoi Finos se Parlamenti nuk është vendi i kërcënimeve, por i gjetjes së zgjidhjeve. “Nëse mendoni se do ta zgjidhni me konfrontim keni bërë zgjedhje fatale për veten tuaj, sepse në mënyrë absolute të gjitha mjetet ligjore do të jenë në mbrojtje të shtetit ligjor. Këtë mos e harroni. Kjo tribunë nuk përdoret për kërcënime. Ke një shumicë që ka dalë nga zgjedhjet e lira dhe jo nga piramidat që dole t’i me shokë. Prandaj përfunduat në historinë e Evropës si regjimi më i inkriminuar, si regjimi i Aldo Bareve, si regjimi i Nehat Kullave, i xhikeve dhe stërxhikeve. Historia duhet tu urtësojë”, u shpreh Berisha. Kryeministri i kërkoi Finos dhe socialistëve të dalin nga rruga ku kanë hyrë dhe të flasin e veprojnë me arsyen e ligjit. “Dilni nga spiralja ku jeni futur, në një spirale të gabuar. Vjen dhe përdor forcën t’i këtu, ku ke më fal për shprehjen mbrapanicë për forcë t’i mor? Ku e ke forcën ti mor? Forcën e ka ligji. Harroje kohën e Gjolekës apo të Xhikes”, u shpreh Berisha.
Replikat mes Berishës e Finos
Bashkim Fino...Nuk jam penduar zoti Berisha për çfarë kam bërë dje po ashtu askush nuk do t’ju japë më dorë nëse njësoj si dje ju nuk dëgjoni zërin e arsyes që ju thotë se jeni përpara një tjetër humnere që këtë herë nuk do të merrni me vete Shqipërinë edhe pse shumë dëme mund t’i keni shkaktuar shqiptarëve...
...Ne jemi të revoltuar dhe të vendosur se s’do lejojmë kurrë që të qeverisemi nga maskarallëku i veshur me pushtet dhe që përdor pushtetin për të hedhur dhe për të vjedhur përsëri e përsëri qytetarët. Ka një mënyrë që të shpëtosh nga ankthi që të ka zënë, shpëto nga vetvetja zoti Berisha. Nëse nuk e bën dot vetë, jam i bindur se populli do ta bëjë edhe për ty!
Sali Berisha... Fillove të flasësh për urrejtje dhe fanatizëm. Urrejtja dhe fanatizmi janë në genin tënd ideologjik. Përmende Enver hoxhën, ke genet e tij, më vjen keq që të flas në këtë mënyrë. Për ato që kam bërë unë që përmende, jam krenar në gjithë jetën time. Kam një krenari të madhe dhe është një nga trashëgimitë e mëdha të miat. Ky nuk është kërcënim, por një përgjigje ndaj një kryeministri që në kulmin e krizës donte t’ia mbathte në panikun më të madh dhe iu detyrova t’i çoj rojet e mia për ta ndalur. Në kulmin e krizës desh ia mbathi duke treguar që e mbajta derisa e dorëzova. E thirra unë, po pse e lash, pyet ti? Pse e lash helikopterin? Mos u tregoni budallenj, pushtetin ua dhashë unë, nuk e merrnit kurrë ju pushtetin mor. Ku merrnin bandat pushtet mor? Po ça kujtuat ju, unë bëra një zgjidhje politike? Po çfarë u kisha unë ju mor? Në qoftë se u rren ‘97, provojeni ‘97. Ne po ofrojmë zgjidhje këtu. Po nëse u gënjen mendja te ‘97 dilni provojeni që nesër, muhabete janë këto?
Bashkim Fino... Por mua më vjen keq, sepse vërtet në ato ditë të vështira të kam ndihmuar dhe e kam ndjerë si për Presidentin e vendit tim edhe t’i ishe në kushte shumë të vështira që është e vërtetë edhe kur qaje e të mbante kokën Spartak Ngjela, por të kam ndihmuar edhe ministrat e tu që ke sot këtu mbrapa, nga Pollo, Imami, Ruli e me shokë dhe kam bërë prapë mirë zoti Kryeministër dhe skam gjuhën e urrejtjes por të bashkimit kombëtar.
“Të hetojmë çdo kuti votimi”
Kreu i PBDNJ-së, Vangjel Duke tha dje në Kuvend se seanca duhet të marrë vendim për të mos dalë mbi gjykatat, por për të hetuar çdo kuti votimi. “është momenti që sot të vendosim atë që e thotë Kushtetuta. Nuk mund të hetojmë gjykatat, por asgjë nuk na pengon në misionin tonë të shfletojmë çdo procesverbal, të hapim edhe kutinë e qendrës më të largët të votimit, sepse kështu vetëm kontribut do të kemi për proceset e ardhshme zgjedhore”, u shpreh deputeti i PBDNJ-së. “Nëse do të vazhdoni të qëndroni në insistimet tuaja, z.kryeministër po hidhni hije mbi legjitimitetin demokratik të Qeverisë suaj”, theksoi më tej deputeti i PBDNJ-së.
Erjon Braçe
Deputeti i Partisë Socialiste, Erjon Braçe tha se oferta e kryeministrit është pazar. “Do ti them kryeministrit se zgjidhja mbahet peng nga ai, çdo gjë po buron nga ai. Përdorët shpesh fjala ofertë, unë besoj se termi ofertë është term pazari, që i ka leverdisur sa herë në muajin mars kryeministrit, kur ka qenë keq edhe shumë keq. Ne nuk kemi ardhur të bëjmë pazar, kemi ardhur të vendosim një standard ndërkombëtar, atë të hapjes së kutive. Ne e duam këtë standard për ti dhënë kuptim zgjedhjeve në Shqipëri, zgjedhjet në këtë vend nuk vlejnë që nga qershori i këtij viti. Hetimi i vjedhjes nuk shpërbën shtetin por e legjitimon.”, tha përfaqësuesi i opozitës.
Basha: Krim kushtetues hapja e kutive
“Nëse ky Parlament e bën këtë hap, nëse kjo maxhorancë e pranon këtë propozim, atëherë ky Parlament nuk ka të drejtë të ekzistojë as dhe një sekond të vetëm. Sepse në këtë mënyrë ky parlament kthehet në kërcënimin më madhor për demokracinë dhe rendin kushtetues të këtij vendi dhe meriton të shpërndahet përpara se ta bëjë këtë. Katrastrofë që e pret në mënyrë të sigurt për shkak të papërgjegjshmërisë së tij politike dhe për shkak të matematikës elektorale që ne dimë ta bëjmë dhe ju dini ta bëni dhe e keni bërë.”, tha ministri Basha.
Gumi: Kuvendi s’mund të kryejë hetime paralele
Relatori i PD-së në komisionin e ligjeve, Viktor Gumi deklaroi se Parlamenti nuk mund të ndërmarrë një hetim paralel. “Kuvendi nuk mund të kryejë hetime paralele, nëse një fakt është hetuar ose është në proces hetimi nga Prokuroria. Hetimi është i kufizuar nga disa parime dhe detyrime kushtetuese”, tha Gumi. Sipas tij “Neni 4 i draftit, që synonte transparencën përmes hapjes së kutive, nuk u pranua, pasi nuk mund të hetohen çështjet për të cilat është shprehur gjykata.
Naço: Opozita do të kthejë Kuvendin në grup numërimi
Deputeti i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Nasip Naço, tha dje se ajo që kërkon të bëjë opozita është të kthejë deputetët në një grup numërimi. “Ajo çka kërkon opozita në pikën 4 të p/ligjit të saj është të kthejë komisionin hetimor në një grup numërimi, që Gjykata Kushtetuese ia njeh institucioneve të pavarura që KQZ dhe Kolegji Zgjedhor”, dha Naço. “Nëse në zgjedhjet e tjera ju nuk do t’i përfshini në komisione ata, i’u bëj thirrje të përfshihen në komisionet e LSI-së në qarkun e Beratit”, u shpreh Naço