E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qeveria shtrin "duart" te Dhomat e Tregtisë

Pas ligjit për përgjimin ndaj bizneseve, qeveria ka nxjerrë një urdhër të ri, që rrit kontrollin ndaj Dhomës së Tregtisë, institucionit më të lartë në mbrojtje të sektorit privat. Monitorimi mbi aktivitetin e Dhomave do të kryhet nëpërmjet sekretarëve të përgjithshëm, të cilët kanë varësi direkte nga ministri i Ekonomisë, Genc Ruli. Në fillim të 2007-ës, qeveria tentoi të ndërhynte në aktivitetin e Dhomave të Tregtisë, duke rritur kompetencat e sekretarit, por ligji pësoi sërish ndryshime, duke lënë në fuqi vetëm disa atribute të vogla. Tashmë kur kanë mbetur edhe pak muaj nga nisja e fushatës elektorale, qeveria do ta ketë më të lehtë kontrollin e bizneseve, që janë anëtare të Dhomave të Tregtisë. Nëse me ligjin e mëparshëm, kompetencat e sekretarëve u hodhën poshtë gjatë votimit në Kuvend, kësaj here ndryshimet e reja nuk do të mund të diskutohen, pasi janë bërë në formë udhëzimi, i nxjerrë në shtator 2008 nga Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës. Për këtë çështje, Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë nuk dha asnjë koment, por sqaroi se ligji "Për funksionimin e Dhomave të Tregtisë" e ka të caktuar qartë në statut se cili është roli i kryetarit dhe i sekretarit.

Kontrolli

Në rast se vëren shkelje të ligjshmërisë në vendimet e marra nga organet e Dhomës së Tregtisë, siç janë Asambleja, kryetari, apo Kryesia, sekretari i përgjithshëm i Dhomës së Tregtisë njofton organin mbikëqyrës (Ministrinë e Ekonomisë). Brenda 30 ditëve, ministria u kërkon këtyre organeve rishikimin e vendimeve të marra, ose, sipas rastit, marrjen e vendimeve për të cilat janë të detyruara sipas ligjit. Udhëzimi për rolin, funksionet dhe përgjegjësitë e sekretarëve të Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë është përgatitur që në maj 2008, por publikimi i tij është bërë këto ditë nga Ministria e Ekonomisë dhe Tregtisë. Raportimi i sekretarit te ministri bëhet pas çdo inspektimi që do të kryhet ndaj mënyrës së zbatimit të ligjit dhe akteve të tij. Ndërhyrja e qeverisë në aktivitetin e Dhomave të Tregtisë është kundërshtuar fort nga anëtarët e saj, pasi funksionimi i këtyre organizmave lidhet direkt me kuotat që paguajnë bizneset, duke krijuar një buxhet vjetor në shërbim të aktiviteteve të ndryshme.

Udhëzimi

Sipas udhëzimit të nxjerrë nga ministri i Ekonomisë, sekretari i Dhomës ka të drejtë të shtrojë çështje në Kryesi dhe Asamble, ndjek zbatimin e vendimeve të këtyre të fundit, si edhe firmos procesverbalin e mbledhjes dhe vendimet e zbardhura, duke u siguruar që këto dokumente janë në përputhje me vullnetin e shprehur të vendimmarrësve. Po ashtu, kryetari i Dhomës është i detyruar të bashkëpunojë me sekretarin në çdo kohë për kryerjen e detyrave në zbatim të vendimeve. Një tjetër kompetencë lidhet me anëtarësimin në Dhoma, ku sekretari ka rolin kryesor në ndjekjen e procedurave për regjistrimin e bizneseve dhe pagesën e kuotave. Edhe për shkeljet financiare, sekretari ka të drejtë të urdhërojë sektorin e auditimit në Dhomën e Tregtisë për të ushtruar kontrolle. Në këto raste, sekretari njofton edhe ministrin, i cili mund të ndërhyjë në zgjidhjen e problemeve. Në Dhomën e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë janë të regjistruar rreth 4 mijë biznese, të mesme dhe të mëdha, ndërsa kuota e anëtarësimit varion nga 50 mijë lekë të reja deri në 100 mijë lekë në vit.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›