E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nënë Tereza i përket Kalkultës

Autori i Lajmit: red.
Lumturimi i Nënë Terëzës

Kryeministri Berisha duket se ka hequr dorë nga kërkesa e tij për kthimin e eshtrave të Nënë Terezës në Shqipëri. Të paktën kjo lihet të kuptohet nga deklarata e tij ndërsa vizitoi Urdhrin e Motrave të Nënnë Terezës në Tiranë, dje në ditën e Lumturimit të Nënë Terezës. Edhe pse në ditët e fundit deklarata e tij për kthimin e eshtrave të Nënë Terezës në Shqipëri ka hapur debate mes Tiranës dhe Nju Delhit, kryeministri Berisha deklaron se Nënë Tereza i përket pa diskutim Indisë, pasi në atë vend ajo u shndërrua në një shenjtore të gjallë, të mbarë njerëzimit. “Gonxhe Bojaxhi u bë Nënë Tereza në Kalkuta të Indisë dhe ajo meriton më shumë se çdo gjë tjetër të quhet Nënë Tereza e Kalkutës. Nga ky qytet dhe nga ky vend i madh ajo u shndërrua në një shenjtore të gjallë të mbarë njerëzimit dhe nuk ka diskutim që i përket Indisë, i përket Kalkutës, që e bën atë Nënë të njerëzimit”. Pavarësisht kësaj deklarate, Berisha nuk tërhiqet plotësisht nga kërkesa për kthimin në Shqipëri të eshtrave të Nënë Terezës. “Kërkesa ime është thjesht njerëzore, sepse kam bindjen se, në fund të fundit, çdo njeri, çdo vajzë do të dëshironte, po të kishte mundur të prehej pranë eshtrave të nënës dhe motrës së saj. Nuk mund të them se do të ketë një vendim pozitiv nga autoritetet indiane, sepse ky është një vendim i vështirë, por ajo që mund të them është se kjo është një temë dialogu dhe dua të theksoj se një simbol kaq i madh dhe i çmuar që bashkon dy kombet tona nuk mund të jetë gjë tjetër veçse i tillë, nuk mund të shndërrohet në një kundërshti midis dy kombeve dhe dy vendeve tona.” u shpreh kryeministri. Deklarata u bë ndërsa kryeministri me bashkëshorten e tij vizituan misionin e motrave të Urdhrit të Nënë Terezës në Tiranë, në shenjë nderimi dhe mirënjohjeje për këtë figurë të madhe të kombit shqiptar dhe të mbarë njerëzimit, por edhe të vazhdimit të përpjekjeve dhe të përkushtimit njerëzor të Urdhrit të saj në ndihmë të njerëzve në nevojë. “Sot, është një ditë e shënuar për mbarë njerëzimin, dita e Lumturimit të Nënë Terezë, dita në të cilën nisi shenjtërimi i saj, e cila jetoi si një shenjtore e gjallë, Ditë krenarie e njeriut, e shqiptarëve, por e mbarë qytetarëve të botës. Unë erdha të shpreh nderimin tim më të thellë, respektin më të madh, mirënjohjen më të pakufishme ndaj kësaj shqiptareje që lartësoi më shumë se kushdo tjetër e emrin e njeriut, të shqiptarit, të qytetarit të mbarë botës, nobelistes Gonxhe Bojaxhi. Erdha të shpreh nderim të madh për motrat e Urdhrit të saj, që në vazhdim të misionit të Nënë Terezës u ofrojnë këtyre qytetarëve në nevojë shërbimet më të njerëzishme me përkushtimin dhe dashurinë më të madhe,” u shpreh Kryeministri. Në misionin e motrave të Urdhrit të Nënë terezës, strehohen 50 persona në nevojë apo me aftësi të kufizuara, të moshuara, gra dhe fëmijë. Misioni u vjen në ndihmë edhe 100 familjeve shqiptare në nevojë. Sipas Berishës, qeveria është e vendosur në luftën e saj kundër varfërisë dhe në këtë qëllim, do të vendosë një bashkëpunim jo vetëm me Urdhrin e Nënë Terezës, por edhe me organizata të tjera në mënyrë që në Shqipëri të mos ketë familje që jeton në mjerim.

Kthimi i eshtrave
“Gonxhe Bojaxhi u bë Nënë Tereza në Kalkuta të Indisë dhe ajo meriton më shumë se çdo gjë tjetër të quhet Nënë Tereza e Kalkutës. Kërkesa ime është thjesht njerëzore, sepse kam bindjen se, në fund të fundit, çdo njeri, çdo vajzë do të dëshironte, po të kishte mundur, të prehej pranë eshtrave të nënës dhe motrës së saj”, - tha Berisha.

Nënë Tereza

India refuzon telefonatën e Berishës për kthimin e eshtrave të Nënë Terezës

Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, ka telefonuar zyrtarë të Qeverisë së Indisë në kërkesë për kthimin e eshtrave të humanistes Nënë Tereza në Tiranë. Lajmi konfirmohet nga burime zyrtare të cilat thanë se autoritetet indiane e kanë refuzuar kërkesën e drejtpërdrejtë. “Qeveria indiane ka refuzuar një telefonatë nga kryeministri i Shqipërisë për kthimin e eshtrave (mbetjet e bekuara) të Nënë Terezës së Kalkutës, për t u rivarrosur në vendin Adriatik”, shkruajnë mediat në Nju Delhi. “Nënë Tereza ishte një shtetase indiane , ajo prehet në vendin e saj, tokën e saj," tha një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme në një konferencë shtypi në Nju Delhi. Në telefonatën e tij, mësohet se kreu i qeverisë shqiptare Berisha ka kërkuar që eshtrat e Nënë Terezës të kthehen në Shqipëri në 100-vjetorin e saj më 26 gusht 2010. Kërkesa e Shqipërisë është pritur keq edhe nga Konferenca e Peshkopëve Katolikë në Indi. Në një deklaratë shtypi, kjo Konferencë pohon se “Nënë Tereza, është lumturuar në tetor të vitit 2003, ajo duhet të qëndrojnë në vendin e saj në oborrin e Misionarëve të Kalkutës në Indi”.
Ky lajm është publikuar: 20/10/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›