Të ndërpritet procesi ndaj Albin Kurtit
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë ka apeluar dje që të ndërpritet procesi gjyqësor ndaj liderit të “Vetëvendosjes, Albin Kurti. Kryetari i Unionit të Gazetarëve, Aleksandër çipa, deklaroi “Ne apelojmë që në solidaritet me aktivistin për lirinë dhe integritetin e shtetit të ri të Kosovës, që të ndërpritet ky proces dhe të merret në konsideratë investimi që Albin Kurti bën në emër të kësaj lirie. Unioni i Gazetarëve Shqiptarë kërkon ndërprerjen e procesit në emër të së vërtetës që lidhet me investimin sakrifikant që Albin Kurti ka bërë në emër të shtetit dhe institucioneve të lira të Kosovës”. Deklarata e Unionit u bë në kuadër të këshillit të organizatave shqiptare. Në këtë deklaratë theksohet se “Riaktualizimi i këtij procesi të padrejtë e jodinjitoz është fyerje për të gjithë ne që kemi parë me sytë tanë se ç’ndodhi më 10 shkurt 2007 në rrugët e Prishtinës, të cilat, si pasojë e dhunës së pajustifikuar të policisë ndërkombëtare, u lanë me gjak. Tashmë dihet fare mirë se dhunë më 10 shkurt 2007 nuk ushtruan demonstruesit paqësorë e të paarmatosur, por pjesëtarët e policisë së armatosur deri në dhëmbë të UNMIK-ut dhe konkretisht njësiti i policisë rumune, i cili u kthye i pandëshkuar andej prej nga kishte ardhur”.
#