Zv/Kryeministri Oketa pret Drejtues të Autoritetit të Kontrollit të Komunikacionit të Turqisë
Zëvendëskryeministri Gazmend Oketa priti sot zotin Taifun Açarer, Kryetar i Bordit dhe President i Autoritetit të Kontrollit të Komunikacionit të Turqisë, si dhe zotin Gaip Zerei, Zëvendëspresident i këtij Autoriteti. Në takim ishte i pranishëm edhe Drejtori i Entit Rregullator të Telekomunikacionit të Shqipërisë, z. Idajet Kopani.
Drejtuesit e Autoritetit të Kontrollit të Komunikacionit të Turqisë ndodhen në Shqipëri për të nënshkruar Memorandumin e Mirëkuptimit me ERT-në, e cila synon shkëmbimin e ideve, informacionit dhe eksperiencës në fushën e komunikacionit elektronik.
Zv/kryeministri Oketa falënderoi drejtuesit e Autorit të Kontrollit të Komunikacionit turk për vizitën në Shqipëri, si dhe për përgatitjen e nënshkrimit të Memorandumit. Qeveria shqiptare, u shpreh zoti Oketa, vlerëson se investimi në këtë fushë është shumë i rëndësishëm në rrugën e reformave të ndërmarra. Ai i kërkoi Presidentit të Autoritetit të Kontrollit të Komunikacionit të Turqisë, zotit Taifun Açarer që të inkurajojë sipërmarrësit turq të investojnë në Shqipëri, duke garantuar se qeveria shqiptare po bën çdo përpjekje për të krijuar një treg tërheqës dhe lehtësues për biznesin vendas e të huaj.
Të dy palët ndanë vlerësimin e njëjtë se procesi legjislativ i rregjistrimit të aparateve telefonike, në Turqi ka dhënë rezultate shumë pozitive në drejtim të legjitimitetit të tregut dhe rritjes së të ardhurave të buxhetit të shtetit.
Gjithashtu, Zv/kryeministri Oketa dhe Drejtuesit e Autoritetit të Kontrollit të Komunikacionit të Turqisë theksuan se janë shumë të rëndësishme shkëmbimet mes Universiteteve të të dy vendeve, në funksion të forcimit të bashkëpunimit në fushën e telekomunikacionit.
Drejtuesit e Autoritetit të Kontrollit të Komunikacionit të Turqisë falënderuan zotin Oketa për mikpritjen, si dhe vlerësuan bashkëpunimin shumë të mirë mes Shqipërisë dhe Turqisë.