E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nënshkruhet marrëveshja për ngritjen e dializës pefiatrike në QSUT

Fëmijët shqiptarë, të cilët kanë nevojë për shërbimin e dializës, tashmë do ta marrin këtë shërbim shëndetësor pranë Qendrës Spitalore Universitare "Nënë Tereza" në Tiranë.  Ndërkohë, brenda këtij muaji pritet të jetë dhe fëmija i parë që do të marrë këtë shërbim pranë njësisë së dializës pediatrike, i mundësuar falë bashkëpunimit midis Qeverisë shqiptare dhe asaj turke, TIKA (Agjencia Kombëtare turke për zhvillim dhe bashkëpunim). Protokolli i bashkëpunimit për ngritjen e këtij shërbimi pranë Spitalit Pediatrik të QSUT-së u nënshkrua sot në Ministrinë e Shëndetësisë, nga ministrja Anila Godo dhe përfaqësuesi turk, Dr. Ali Ozgun Ozturk. Gjatë nënshkrimit të protokollit, ministrja e Shëndetësisë tha se "bazuar në marrëveshje, pala shqiptare ka vënë në dispozicion deri tani 8 milionë lekë për rikonstruksionin, përshtatjen pranë spitalit të pediatrisë, të njësisë që do të shërbejë për dializën pediatrike". Gjithashtu, sipas saj, pala shqiptare do të mbulojë pagat e personelit dhe të gjithë materialet e konsumit mujor dhe të përditshëm që do të ketë nevojë në këtë qendër. Ndërsa, pala turke me një investim prej 250 mijë euro do të vërë pajisjet e nevojshme në këtë qendër të dializës dhe do të sigurojë trajnimin e personelit të mesëm dhe të lartë që do të punojnë në këtë qendër.  "Ky sektor nuk ka ekzistuar më parë dhe ka qenë një ndër pikat e trishtueshme të shërbimit tonë, sepse kur kishim fëmijë që kishin nevojë për shërbimin e dializës mbeteshim në vështirësi", tha znj. Godo.

TIKA ka realizuar projekte të ndryshme në vendin tonë që prej viti 1996, ndërsa aktualisht po punon me dy projekte, për ngritjen e një qendre transfuzioni gjaku në Spitalin e Vlorës dhe i dyti ngritja e dializës për fëmijë në QSUT. "Është një problem shumë i vështirë këtu për fëmijët nën moshën 12 vjeç të gjithë ishin të detyruar të shkonin në shtete e tjera për problemin e dializës dhe për këtë arsye kryesia jonë mendoi të mbulonte shpenzimet e pajisjeve mjekësore për qendrën në fjalë", tha Dr. Ozturk. Trajnimet e personelit, të cilat kanë filluar me 3 infermierë e 1 mjek, do të përfundojnë brenda muajit korrik, me treajnimin dhe të 2 mjekëve të tjerë.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›