Tre shtetas nën akuzë për trafik droge
Tre shtetas, nën akuzën e "trafikut të narkotikëve", u arrestuan orët e vona të mbrëmjes së ditës së martë në Tiranë, ndërsa ju sekuestrua lënda narkotike, e llojit canabis sattiva. burimet zyrtare të policisë në kryeqytet, thanë se, pas një pune hetimore, operacioni policor "Kursanti", mundësoi vënien para drejtësisë të tre të rinjve, si dhe goditi një bazë problematike të shpërndarjes së lëndëve narkotike në zonën e Kinostudios dhe Kombinatit në Tiranë. Sipas burimeve të policisë, u arrestuan në kushtet e flagrancës, në afërsi të kryqëzimit të farmacisë Nr.10 Tiranë, shtetasit Ardit Hoxha dhe Julian Plaka, të dy studentë, të moshës 21 vjec, si dhe iu sekuestrua në cilësinë e provës materiale një çantë me një sasi bime e dyshuar narkotike, e paketuar, me peshë 3 kg e 444 gr. Ndërkohë, u arrestua në dhomën ku akomodohej, pranë godinave të Fakultetit të Mjekësisë Tiranë, 23 vjeçari Shkëlzen Kërçuku nga Kavaja, punonjës policie, kursant, ndërsa iu sekuestrua në cilësinë e provës materiale një sasi lënde narkotike, e dyshuar canabis sattiva, një pistoletë, një palë pranga të policisë, një armë e ftohtë (thikë). Ndërsa materialet hetimore i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor të Tiranës për hetime të mëtejshme dhe ndaj tre të rinjve tashmë rëndon akuza e "prodhimit dhe shitjes së narkotikëve".
...