E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS, plan kundër manipulimeve në zgjedhje

Autori i Lajmit: red.
Zgjedhjet

Rëndësia e zgjedhjeve të 28 Qershorit ka shtuar dhe shqetësimin për manipulimin e mundshëm të tyre. Për të evituar pikërisht këtë gjë, Partia Socialiste ka përgatitur një paketë masash për atë që ajo e quan “ruajtja e votës”. Vota do të ruhet nga falsifikimi eventual i dokumenteve të identitetit, presioni mbi punonjësit e administratës publike për të votuar përkundër dëshirës së tyre, uzurpimi i identitetit të emigrantëve nga të tretë dhe presioni apo cenimi fizik i komisionerëve dhe vëzhguesve socialistë. Për secilën nga këto shqetësime PS ka përgatitur masat konkrete, të cilat sipas saj, do të evitojnë çdo lloj abuzimi.
Ruajtja e votës
Plani i hartuar nga PS nis me verifikimin e origjinalitetit të letërnjoftimeve elektronike, të cilat mendohen të pafalsifikueshme. Megjithatë, një kartë plastike e tillë, që i ngjan një karte telefonike apo një karte bankare, mund të prodhohet me printer. Por letërnjoftimi origjinal ka disa pika të padukshme me sy të lirë, të cilët mund të shfaqen vetëm me rreze ultravjollcë. Sipas burimeve nga selia rozë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka 5500 aparate të tillë, që janë aty në gjendje që prej zgjedhjeve të vitit 2005, kur boja matrikulluese ishte e padukshme. Përfaqësuesi socialist në KQZ i ka kërkuar komisionit që, në mungesë të aparateve të leximit të letërnjoftimeve, të përdorin këta aparate me rreze ultravjollcë. Po të njëjtat burime pohojnë se, nëse KQZ nuk miraton këtë kërkesë, ata kanë gati 6000 aparatura të tilla, pra më shumë se ç ka qendra votimi në tërë Shqipërinë. Po ashtu, vëzhguesit socialistë janë trajnuar që të dallojnë edhe pasaportat e vërteta nga ato false. Një element tjetër i masave të marra nga socialistët janë kamerat në miniaturë, për të pajisur me mënyrë diskrete vëzhguesit në zonat e konsideruara problematike prej tyre. Janë 2600 aparatura të tilla, më shumë sesa gjysma e qendrave të votimit në rang republike. Po ashtu, një person tjetër, kryesisht një njeri i lagjes apo i fshatit, që njeh banorët, është pajisur me një numër telefonik për të dërguar sms për çdo lëvizje të dyshimtë të personave që nuk janë banorë të zonës. Vlerësohet si mundësi manipulimi edhe uzurpimi i identitetit të emigrantëve nga njerëz të pajisur me letërnjoftime të rregullta, por me emër tjetër. Në raste të tilla, emigrantët që kanë ardhur, PS i nxit të shkojnë të votojnë në ato zona ku mendohet se janë bërë manipulime në të shkuarën me emigrantët. Do të ketë një vëmendje të posaçme për fotografimin e votës. Çfarë problemi paraqet kjo? Mund të jetë i prirur të fotografojë votën e vet ai person të cilit i është bërë presion dhe fotoja e votës do të shërbente si provë se personi ka votuar për këtë apo atë parti. Në Partinë Socialiste mendojnë se ky mund të ishte produkt i presionit ndaj administratës. Për të plotësuar kuadrin e mbrojtjes së administratës nga presioni politik, për të votuar në një mënyrë të caktuar, në PS kanë përgatitur këtë projektligj, për të cilin zotohen se do të jetë akti i parë i një qeverie socialiste të nesërmen e zgjedhjeve, në rast fitoreje. Sipas projektligjit, personat që kanë ushtruar presion mbi administratën do të përjashtohen përgjithmonë nga shërbimi civil e madje, do të përfundojnë deri në ndjekje penale. Kurse nëpunësve që janë vënë në përdorim të partive politike për fushatë, do t u hiqet statusi i nëpunësit civil. Në fund, por jo më pak të rëndësishëm, të ashtuquajturit grupet e sigurisë. Grupe personash, kryesisht punonjës policie të liruar, që jashtë qendrave të votimit dhe në distancën e përcaktuar nga ligji, do të mbikëqyrin qendrat e votimit. Në qendrat e konsideruara problematike prej Partisë Socialiste, grupet e sigurisë do të jenë të përforcuar. Për të diskutuar këtë gjë ka pasur dhe një takim të mërkurën pasdreke mes drejtuesve politikë të partisë dhe drejtuesve të këtyre grupeve. Selia rozë do të vërë edhe një numër në dispozicion të qytetarëve 0800 32 32 për të denoncuar çdo shqetësim të tyrin. Një qendër operative do të marrë dhe do të analizojë të tëra të dhënat që do të vijnë nga qendrat e votimit në mbarë republikën.

Rama: “Reformimi i qeverisjes, prioriteti i 100 ditëve të para”
Kthimi i të gjitha institucioneve në funksionale dhe në shërbim të qytetarëve. Ky do të jetë prioriteti i 100 ditëve të para të qeverisjes së Ramës, nëse do të vijë në pushtet më 28 qershor. Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka shpjeguar për Zërin e Amerikës pikërisht projektet e tij të 100 ditëve të para të qeverisjes. Ai ka deklaruar se, nëse vjen në pushtet, pas zgjedhjeve të 28 Qershorit, “100 ditët e para do të jenë të fokusuara tek reformimi i qeverisjes, për të krijuar kushtet që makina e qeverisë të vihet në lëvizje dhe t i nënshtrohet një remonti kapital për operacione radikale, që do të lejojnë që institucionet tona të fillojnë të përgatiten për të përballuar të gjitha kërkesat e programit tonë dhe ne të hyjmë në një proces të modernizimit të vendit, duke modernizuar më parë pushtetin, në mënyrë që qytetarëve t u shërbehet më mirë”, - ka pohuar Rama për VOA. Duke folur për planet e tij, kreu i PS ka theksuar se qeveria e re do të punojë për të nxjerrë vendin nga kriza ekonomike globale, duke rihapur negociatat me Fondin Monetar Ndërkombëtar. “Ne do të rihapim negociatat dhe do të nënshkruajmë programin me FMN dhe do t i mundësojmë Shqipërisë aksesin tek ndihmat e këtij institucioni për vendet që janë prekur nga kriza. Vëmendje do t u kushtohet edhe remitancave dhe kursimeve të emigrantëve në Shqipëri”, - ka sqaruar Rama. Ai ka pohuar gjithashtu, se qeveria e re do të jetë e hapur për të pranuar investimet e huaja, por ka nënvizuar se nuk do të lejojë ato investime që janë të dëmshme për Shqipërinë. “Jemi të hapur për investimet e huaja, por nuk do të lejojmë që Shqipëria të bëhet vendi ku të shkarkojnë të gjitha rrangallat e Evropës, që konsiderohen të papranueshme në vendet e BE-së. Kjo, sepse shëndeti i fëmijëve tanë nuk është më pak i rëndësishëm se ai i fëmijëve të vendeve të BE-së”,- ka nënvizuar Rama. Duke e vënë theksin te zgjedhjet, Rama ka shprehur frikën se ato nuk do të jenë në përputhje me standardet e kërkuara nga Bashkimi Evropian për shkak të qeverisë Berisha , e cila, sipas tij, u vonua në kryerjen e proceseve paraelektorale. Ai ka shtuar më tej se këto zgjedhje nuk janë një objektiv për ndarjen e popullit shqiptar mes të majtëve dhe të djathtëve, por për bashkimin e tij përtej ngjyrimeve politike dhe për t u shkëputur nga politika e vjetër.
Ky lajm është publikuar: 25/06/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›